Filipaj: Celuliti i lirisë së shprehjes

Sbunker pyet: Mediat online e kan? ndryshuar komunikimin publik. E kan? p?rmir?suar apo p?rkeq?suar cil?sin? e informimit dhe debatit?

12 gusht 2015 17:24

Teksa e kaloja fëmijërinë në Ulqin, veçmas lodrave të drurit të punuara nga duart e babit tim, kohën e vrisja duke shfletuar disa enciklopedi dhe fjalorë që im atë i përdorte gjatë përkthimeve nga serbishtja në shqip dhe anasjelltas. Por kjo nuk më mjaftonte me e rehatu kurreshtjen time.
Kohë pas kohe, paratë e ruajtura, zakonisht dollarë, të falura nga kushërinjtë me adresë në New York,  që i konvertoja në dinarë, i shpenzoja për t’u zbavitur dhe njëkohësisht për t’i treguar babit se edhe lexoj. Pra zgjidhja më e mirë dhe e lirë ishin stripat. Unë lexoja kryesisht historitë e detektivit të paranormales Dylan Dog dhe aventuarat e grupit TNT/Alan Ford. Sidomos me zbaviste Alan Fordi me ato oksimoronet dhe me shprehjet e lezetshme të përdorura për të treguar histori të ndryshme, gjithnjë duke e prekur atë anën absurde dhe qesharake të ndodhive/situatave të përditshme. Epizodet e Alan Fordit ofronin një interpretim qesharak të ngjarjes dhe në thelb nuk thoshnin asgjë por thjesht e trajtonin naivitetin e njerëzve në komentimin e ngjarjeve.

Shpeshherë më ka ndodhur që teksa lexoja lajme nga mediat online të Kosovës, të hasja në paragrafe, fjali, apo konstatime goxha absurde dhe qesharake mu si ato ‘biserat’ e Alan Ford-it. Mendoja se mbase autori i rreshtave të lexuar ka njohuri për stripa si unë por vazhdimi i leximit të tekstit thjesht e nxirte në pah mos-informimin, nxitimin dhe ortogtafinë çaluese në fjalitë kilometrike.

Absurd dhe qesharak, në jo pak raste, është edhe një pjesë jo e vogël e cilësisë së informimit, debatit dhe e diskursit të kultivuar nga një pjesë në rritje e portaleve informative/mediave online shqiptare të Kosovës, që kryesisht riciklojnë lajme të njëra/tjetrës: kopjim dhe redaktim sa për sy e faqe, çdokush që merret seriozisht me gazetari e di se çfarë dua të them.

Dallimi kryesor në origjinalitetin e lajmit, të këtyre portaleve, që tashmë në mënyrë të përhershme e kanë ndryshuar hartën mediatike kosovare, qëndron tek zgjedhja e favoriteve, që secili portal i ka, kryesisht për t’i thumbuar dhe për nivelin e ngjyrës rozë – që e përdorin metaforikisht me i dhanë ngjyrë lajmit. Vëmendjen e lexuesit këto portale nuk e tërheqin më vetëm me rëndësinë dhe afërsinë që lajmi ka për ata por me vizuelen - me nivelin në rritje të celulitit në kofshat e Kim Kardashian, apo me pornografinë skenike të Miley Cyrus.

Normalisht që lakuriqësia tërheq audiencën, sidomos atë grupin e njerëzve që ende nuk kanë krijuar mendim, duke i ndikuar ata edhe në atë sesi do të duhej të përceptohej bukuria, dashuria, seksi, marrëdhëniet mashkull-femër, qasja ndaj prindërve, dhe mjaft tema të tjera. Pra jo çdo gjë raportohet në internet është e vërtetë, e saktë, e konfirmuar dhe e besueshme, por këtë nuk e di pjesa dërrmuese e lexuesve që mjaft lajme i merr si të qëna dhe të sakta. Por emërtimi i portalit me fjalët lajm, informacion, glob, 24 orë, etj, etj trunin e lexuesit e lidhë me median online dhe me besimin se ay lajm është tamam ashtu siç e ka rregulluar mendja e ndonjë redaktori mbase pervers, që mund të ketë probleme dhe komplekse me vetveten dhe këtë e lufton duke raportu lajme që përqeshin njerëz, me një dozë të paparë të cinizimit, duke harruar se kryesor është raportimi i saktë dhe jo karikatura e krijuar me imazhin e kryepersonazhit të storjes.

Jo çdo selfie e ndonjë sponzorusheje apo pseudo-artisteje përbën lajm, por megjithatë paketohet si lajm duke synuar sa më shumë klikime. Lajmi definohet kryesisht me atë se çfarë ka ndodhur dhe jo shumë me atë se kush është kryepersonazh i lajmit, edhepse ka raste kur lajm përbën edhe emri i një personi specifik. E gjithë kjo mënyrë e raportimit në një mënyrë çuditshme e ka pasuruar por edhe përçudnuar skenën mediale të Kosovës duke i dhanë një dimension tjetër perceptimit të asaj se çfarë redaktorët quajnë lajm dhe të asaj se çka lexuesit konsiderojnë lajm. P

asurim e konsideroj praninë e mediave në platformën e internetit duke ofruar alternativa në informim dhe tematikë, gjë që është gjë e mirë për median tonë. Pra nuk ka vetëm lajme serioze po them kushtimisht, siç jemi mësuar ti lexojmë në shtypin e ditës. Tani në median online njëkohësisht po na servohen edhe lajme triviale, absurde dhe qesharake, me leximin e të cilave mbase mund ta shtyejmë kohën teksa presim mikun/mikeshën në lokal për kohën e kafesë së drekës por jo për të marrë ndonjë informatë fort me rëndësi.

Kurse përçudnim e quaj paketimin e aburditeteve si lajme, të cilat besoj se mund të prezantohen si kuriozitete, çudira nga bota dhe vendi, por asesi si lajme apo kryelajme, e këtu nuk duhet insistuar se publiku e definon atë se çfarë përbën lajm. Sot çdokush ka internet, IP adresë, ka llaptop dhe ka mundësi që të bëj lajme. Fyti i ngushtë i seleksionimit të asaj që është lajm thjesht është zgjeruar dhe gjendja e çoroditur mediale është pasojë e këtij zgjerimi.

Përçudnimi dhe vjedhja konstante e lajmit duket se po fiton rrezikshëm terren ndaj asaj që jemi mësuar ta quajmë raportim serioz. Informatat ‘rozë’ të një pjese të portaleve lexuesit i përpijnë me qejf por kur mbarojnë së lexuari njëkohësisht ndihen edhe të kënaqur dhe të pakënaqur për atë që kanë lexuar dhe për kohën e shpenzuar duke lexuar për celulitin e Kimit, gjoksin e Pamelës apo për idiotësirat e ndonjë estradisti/estradisteje tonë.

Prania e mediave online definitivisht e ka ndryshuar komunikimin publik duke ofruar disa parametra dhe qasje qe hasen kryesisht në mediat perëndimore me të cilat ende nuk jemi mësuar siç duhet për ti vlerësuar tamam. Ndërsa niveli i përkeqësimit apo i përmirësimit i cilësisë së informimit dhe debatit në Kosovë do të dihet më vonë, varësisht nga ngjyra e lajmeve, sidomos nëse ngjyra rozë fillon ti përpijë ngjyrat e lajmeve tjera. 

12 gusht 2015
17:24

Gjergj Anton Filipaj