Rrahmani: Gazetarë digjital apo delikuentë digjital?

Sbunker pyet: Mediat online e kanë ndryshuar komunikimin publik. E kanë përmirësuar apo përkeqësuar cilësinë e informimit dhe debatit?

12 gusht 2015 19:33

Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë edhe i internetit në veçanti ka bërë që në ditët e sotme qasja në lajmet të bëhet momentale për lexuesin digjital. Gjithashtu gërshetimi i rrjeteve sociale me platformat e ndryshme mediatike elektronike e ka sjellë njerëzimin në një pikë te re në kuadër të raportit lajm-lexues.

Ky raport i ri është bërë interaktiv, ku lexuesit kanë mundësi që përveç marrjes së shpejtë të lajmit, e shpërndarjes së tij, të kyçen në debat me lexuesit e tjerë për një temë të caktuar e shpesh-herë edhe me vet autorin e artikullit. Mirëpo, unë këtu i shoh vështirësitë dhe ato janë të shumëfishta. Jo medoemos renditja e këtyre vështirësive është kronologjike mirëpo kjo nuk e zbehë faktin e ekzistimit të problematikës.

Fillimisht, qasja digjitale e informatave u ka mundësuar edhe delikuenteve digjital krijimin e portaleve të informimit. Shndërrimi i shoqërisë në një shoqëri ekskluzivisht konsumuese dhe materialiste, pa kritere, e ka devalvuar edhe ‘lajmin’. Krijohet një kakofoni digjitale me lajme nga më të ndryshmet vetëm për hir të një ‘pëlqimi’ më tepër të faqes. E nga kjo kakofoni digjitale nuk janë të kursyer as debutuesit.

Në të shumtën e rasteve këta janë anonim, apo me emra të rremë, dhe pasqyrojnë denigrim të gjuhës dhe shtjellim të tematikës. Problemi më fundamental, mendoj unë , qëndron në faktin se zhvillimi i hovshëm i teknologjisë nuk është në të njëjtin hap me zhvillimin e vetëdijes së njeriut apo një shoqërie të caktuar. Zhvillimi i teknologjisë është shumëfish më i hovshëm dhe unë vetëm pyes veten sa a do të jetë njerëzimi në gjendje që ta përballojë këtë sfidë pranë së cilës gjendet dhe një ditë mos të përjetoj një kolaps total. Sa për qind e poseduesve të iPhone 6 apo ndonjë telefoni tjetër të mençur i përdorin resurset dhe potencialin teknologjik që ato aparate u mundësojnë e sa janë në posedim të tyre veç pse janë modeli i fundit? Mendimi im është se një përqindje e madhe i takon grupit të dytë.

Kjo prapë na kthen te problematika e konsumerizmit dhe rrethit vicioz të krijuar aty, si dhe zhvillimit të hovshëm të teknologjisë por jo edhe zhvillimit të vetëdijes së shoqërisë dhe individit. Prandaj si rezultat i të gjitha këtyre problematikave debati është bërë shumë më i afërt por po ashtu edhe shumëfish më i degraduar.

Nga kjo sindromë nuk vuan vetëm Kosova, Shqipëria apo Ballkani. Këto janë prezente edhe në shoqëritë shumë më të zhvilluara siç është Britania e Madhe për shembull. Qasje në plasim Informate ka secili me agjenda nga më të ndryshmet. Zhvillimet më të reja teknologjike unë i shoh si pjesë përbërëse e evolucionit njerëzor; përqafimi i risive jo medoemos është i lehtë dhe fitimprurës në afat të shkurtër. Por në aspektin afatgjatë ne kemi arritur shumë sidomos në  dy-tri dekadat e fundit. Një ngritje e vetëdijes njerëzore në përgjithësi do të çonte në një kohë kur të gjitha të mirat e të arriturave të shkencës dhe teknologjisë do të ishin në shërbim të njeriut për ngritjen dhe evoluimin e tij të mëtutjeshëm dhe jo për denigrimin e shoqërisë.

12 gusht 2015
19:33

Asdren Rrahmani