12 gusht 2015
19:38

Sbunker pyet: Mediat online e kan? ndryshuar komunikimin publik. E kan? p?rmir?suar apo p?rkeq?suar cil?sin? e informimit dhe debatit?
Ndërsa çka përmban teksti pas titullit, është pak e rëndësishme. Ndalesh pak, ‘scrollit’ poshtë e naltë nja 2-3 herë, e sheh që nuk ka ndonjë fotografi që do t’ndërlidhej me nëntitullin dhe vazhdon me lundru në portalet tjera, ku ki me kliku’ në të njëjtin titull senzacional, me të njëjtën përmbajtje, të njëjtin artikull dhe, në shumicën e rasteve, të njëjtat fjalë e rreshta.
Ti nuk je mo lexues, as vizitor. Ti je një klikues që gjeneron numra të cilët nga portalet online, përkthehen në “lexues” dhe “vizitorë”. Strategjia me përcjellë trendin në përdorimin e kësaj fjale në titull u dëshmu e suksesshme, numrat shënuan rritje, rritjet u paraqitën në profilet e kompanive mediale, ndërsa debati për cilësinë e debatit publik në Kosovë po vazhdon me tone të ashpra.
Njëra palë në debat e mbron përdorimin e fjalës, ndërsa tjetra kundërshton rreptësisht, duke argumentuar që do t’duhej të përdoret fjala “lakuriq” sepse është më serioze, dhe me gjasë, ka etimologji shqiptare. Përfundimisht, lajmi i mbuluar nga mediat lidhur me cilësinë dhe pjesëmarrësit eminentë në debatin mbi debatin publik në Kosovë, merr hovin anembanë botës virtuale: “GODET CULLAKU!”
N’debatin publik, pjesëmarrës është publiku. Media e krijon diskursin, mirëpo formën ia jep debatuesi. E cilësia e debatit t’hapun nuk është e shmangun prej kulturës së përgjithshme, mentalitetit dhe mënyrës së komunikimit, pa marrë parasysh në çfarë rrethanash apo mediumesh zhvillohet komunikimi. Nëse diskursi i debatit publik i përcaktuar nga media kundërshtohet mjaftueshëm me argumente prej pjesëmarrësve në debat, atëherë diskursi publik domosdoshmërisht do t’duhej të merrte kahje tjetër.
Mirëpo, përkundër perverzitetit të lajmeve, vullgaritetit të mediumeve me e shitë “lajmin" me çdo kusht dhe mungesës së kulturës për debat publik, nji element (ndoshta i vetmi) është pozitiv n’krejt këtë mish-mash infomanik. Debati është i hapun për të gjithë. Secili është pjesëmarrës në debat. Secili mundet me u shprehë lirshëm. Rrjedhimisht, secili prej nesh jemi përgjegjës për cilësinë e debatit.
Sot, votuesi komunikon e debaton hapun me deputetin përmes platformave sociale. Në shumicën e rasteve për tema krejtësisht të parëndësishme. Megjithatë, e ka mundësinë për komunikim t’hapun.
Nji fenomen tjetër që më duket se është bajagi serioz, është uniformiteti medial. Zhvillimi i shpejtë i trendeve mediale online, i ka gjetë mediumet t’papërgatituna me e definu strategjikisht zhvillimin dhe çfarë roli n’avancimin e debatit publik kishin me e pasë këto forma t’reja t’komunikimit, duke përfshi këtu edhe rolin e tyre si medium.
Nëse fjala “cullak” ka gjeneru shumë vizitorë (normalisht), atëherë domosdoshmërisht është dashtë edhe mediumi tjetër me përdorë të njëjtën fjalë që me qenë konkurrent me numra në tregun medial. Po, një medium për hir të seriozitetit e ka përdorë fjalën “lakuriq”, mirëpo qëllimi ka qenë i njëjtë: të stimulohen sa më shumë klikues (jo lexues), pa marrë parasysh kualitetin e atyre vizitave, pa marrë parasysh që më shumë se 90% e vizitorëve nuk e lexojnë më shumë se titullin, e nuk rrijnë më shumë se 15 sekonda brenda një artikulli.
Rrjedhimisht, me disa përjashtime shumë t’vogla, asnjë medium nuk dallohet prej tjetrit, nuk diferencohet dhe nuk ka një karakter unik, duke e kriju një situatë jo fortë të favorshme për mediat online. Të gjitha mediat, përkundër tendencës dhe përpjekjeve me u diferencu në tregun medial, në perceptimin e opinionit publik janë të njëjta dhe reflektojnë të njëjtën uniformë, duke i grumbullu të gjitha nën të njëjtin kulm, pikërisht për shkak të qasjes së njëjtë redaktoriale dhe trendeve që ato përcjellin.
Përfundimisht, duke ofru përmbajtje vetëm në tituj, mediat sot kanë arritë ta ndryshojnë dukshëm kulturën e konsumimit të lajmit dhe informimit, duke i reduktu ato në 2-3 rreshta senzacional, sepse thjesht, ky është trendi medial, ndërsa në anën tjetër, ka shumë pak lexues, e shumë, masovikisht shumë klikues.
12 gusht 2015
19:38