Robelli: Diskursi publik nuk është përmirësuar, por është egërsuar së tepërmi

Sbunker pyet: Mediat online e kanë ndryshuar komunikimin publik. E kanë përmirësuar apo përkeqësuar cilësinë e informimit dhe debatit?

12 gusht 2015 10:28

Jo çdo ndryshim është pozitiv. Në rastin e shumicës së mediumeve online në viset shqiptare unë vërej - jo profesionalizëm, por pisllëk, jo raportim, por rrëmujë, jo informim, por insinuata. Në këtë kuptim diskursi publik nuk është përmirësuar, por egërsuar së tepërmi. Siç vrapojnë mediumet klasike (shtypi dhe televizioni) pas audiencës, ashtu edhe mediumet online kërkojnë publikun e tyre. Por, si bëhet kjo ndër ne: me lajme të rrejshme apo të fryra, me tituj që sugjerojnë krejt diçka tjetër nga përmbajtja, me një gjuhë shqipe që po të kishte gojë do të bërtiste orë e çast. Edhe më keq: shumica e mediumeve online janë shndërruar në grazhde të përtypjes së lajmeve të vjedhura. Në kohën e Ante Markoviqit, kryeministrit të fundit të Jugosllavisë socialiste, ishte lejuar të hapeshin dyqane nga privatët, të ashtuquajturat ‘piljara’, sot edhe teneqexhiu hap një portal dhe futet në tregun medial. Dhe kjo bëhet pa gazetarë, pa redaktorë, pa lektorë – mjafton një faqe interneti, një laptop dhe një teneqexhi që vjedh lajme. Është mahnitëse – në kuptimin negativ – të shohësh se me çfarë shpejtësie vidhet një lajm sapo të postohet në një portal lajmesh që pretendon të jetë më korrekt, më serioz, më profesional – pa tituj në stilin ‘Ja çfarë i tha filani filanes’ apo ‘Kallashi në kafehanen e Kaçibegut’.

Një kapitull i zi është botimi i komenteve nga të ashtuquajturit lexues: fjala është kryesisht për militantë partiakë, analfabetë funksionalë, kriminelë që lidhen me botën dhe pa asnjë konsekuencë mund të shpifin, njollosin, gënjejnë kundër çdokujt. Madje edhe në mediume që mbahen pak më serioze mund të gjeni ‘komente lexuesish’ që na ‘informojnë’ se filan politikani kosovar është homoseksual. Racizmi, homofobia, urrejtja, gjuha e pistë dhe ordinere janë të shtrira gjerësisht në mediumet online. Në kohën e socializmit ka pasur Ministri të Informacionit, e cila ka qenë më shumë agjenci për censurë. Sot diçka e tillë nuk na duhet, por së paku një instancë kontrolli për të shmangur fundosjen e mëtutjeshme të fjalës publike është më së e nevojshme. Fundja, kjo është edhe në interesin e vetë gazetarëve, besueshmëria e të cilëve në viset shqiptare, për fat të keq, shpesh i afrohet krerëve të mafies.

Dikur Rolling Stones këndonin: ‘Time is on my side’. Pronarët, shumica anonimë, të portaleve dhe fabrikave të tjera për prodhim çervishi informativ, mund të shpresojnë se koha është në anën e tyre dhe, herët apo vonë, mediumet klasike, gazetaria cilësore, do të vdesë. Kush e demanton më mirë këtë se gazeta e përjavshme gjermane ‘Die Zeit’. Me gazetari cilësore ajo arrin gati 1,7 milionë lexues – dhe vetëm në tre muajt e fundit ka përfituar 49 mijë lexues. Viset shqiptare nuk janë të mallkuara të mbesin në këtë nivel prapambetjeje. Me kalimin e viteve do të ketë gjithnjë e më shumë lexues që duan cilësi dhe jo vetëm shpejtësi, sepse lexuesi është qytetar aktiv që beson në të ardhmen e vendit të vet, ndërsa klikani që bredh nëpër mediumet e papërgjegjshme online është vetëm një konsumues në xhunglën e kanibalizmit. Mediumet online dhe ato sociale (kryesisht Facebook dhe Twitter) e kanë revolucionarizuar komunikimin mes Sarandës, Suharekës dhe Strugës. Kjo është shumë pozitive. Sot me shpejtësi drite opinioni informohet për ngjarjet e ndryshme, madje shpesh në takt minute. Por përtej këtij ushqimi të shpejtë njerëzit kanë nevojë për atë që në gjermanisht quhet ‘Einordnung’, domethënë klasifikim, vlerësim, filtrim nga propaganda, hulumtim të lajmit. S’mjafton të jepet lajmi se u vra dikush në Vlorë a në Mitrovicë, por përse u vra. Gazetaria profesionale është e shtrenjtë, por gazetaria joprofesionale është edhe më e shtrenjtë – ajo mund ta deformojë aq shumë një shoqëri, saqë duhen dekada për kthimin e saj në binarët e normalitetit. Këtë deformim po e vërejmë prej vitesh në Prishtinë e Tiranë, ku online-gazetarët më shumë kryejnë punën e menaxherëve të zemërimit. Gazetaria online ofron shumë shanse për forma të reja të komunikimit me lexues. Do të ishte në dobi të gazetarisë sikur këto forma të aplikoheshin më shumë në viset shqiptare”.

12 gusht 2015
10:28

Enver Robelli