Luci: Qëndrueshmëria financiare ka marrë përparësi mbi pavarësinë dhe përgjegjësinë redaktoriale

Sbunker pyet: Mediat online e kan? ndryshuar komunikimin publik. E kan? p?rmir?suar apo p?rkeq?suar cil?sin? e informimit dhe debatit?

12 gusht 2015 10:27

Rritja e prezencës së mediave online nëpërmjet kanaleve të panumërta të komunikimit e ka bërë informacionin tejet më të qasshëm -  qoftë përmes burimeve online të lajmeve, mediave sociale, platformave për bloging dhe atyre multimedia, tipareve interaktive të tyre, për të përmendur disa. Sot ne angazhohemi me platforma dhe mjete të tilla në baza ditore. Andaj edhe komunikimi publik, që nënkupton atë se sa qytetarët e një shoqërie angazhohen në debat nëpërmjet marrjes dhe shkëmbimit të mesazheve, ideve dhe mendimeve, sot është më i madh se kurdo më parë. Po ashtu, si rezultat i rrjeteve sociale, shumë individ po ashtu edhe marrin pjesë në përgaditje të përmbajtjes, qoftë më shkrim, video, fotografive etj.

Por janë disa çështje të rëndësishme për të adresuar këtu. Njëra ka të bëjë me atë së është roli i mediave të informimit online në mes të këtyre avancimeve teknologjike për shkëmbim informacioni. Dhe tjetra se sa ju përmbahen ato standardeve profesionale të gazetarisë duke prodhuar informacion që siguron se informimi është i saktë dhe që fuqizon qytetarët të marrin pjesë në procese politike, dhe rrjedhimisht në debat cilësor dhe të informuar publik.

Nga ky këndvështrim gazetaresk i medias online, në Kosovë kemi nevoj për një rikujtim më të zëshëm se formati i medias online nuk e përcakton substancën e përmbajtjes – një qasje që mediat online kryesisht duket se kanë përqafuar. Përderisa informacioni sot mund të publikohet shpejt, mund të freskohet në cdo sekondë, dhe mund te bëhet viral shumë lehtë, si shoqëri gjithnjë do kemi nevoj që hulumtimi dhe raportimi i përgjegjshëm të përbëjnë bazën mbi të cilën një shkëmbim më i madh dhe debat publik i ideve, opinioneve dhe interpretimeve zhvillohet.

Në njërën anë, preferenca për shpejtësi në një ambient mediatik ku informacioni ëhstë  I lirë (pa pagëse), qon në një situatë ku qëndrueshmëria financiare ka marr përparësi dhe prioritet mbi pavarësinë dhe përgjegjësinë redaktoriale. Mediat e informimit online janë gjithnjë e më shumë duke u drejtuar nga sasia e përmbajtjes në vend se nga cilësia e përmbajtjes, si dhe nga numri i klikimeve në vend se angazhimi i lexuesve me përmbajtje.

Në anën tjetër, nuk duhet të ngatërrojmë pluralitetin e mediave në numër me pluralitet të zërave dhe mendimeve. Gara për klikime nuk përkthehet dhe nuk do të thotë garë për diversitet të medimeve.

Kjo është një luftë me të cilën ballafaqohen mediat gjithandej. Por cka është e nevojshme është që të rikujtojmë se ekzistojnë audienca dhe publik që janë të interesuar në informacion të mirëfillte. Dhe njëkohësisht është edhe roli i mediave, pa marrë parasysh formatin, të prodhoj përmbajtje që siguron cilësi për diskutim, debat dhe dialog, që qëndrojnë në thelb të demokracisë.

Ka shembuj të shumtë të mediave të informimit onlinë që në mënyrë të suksesshme janë duke u përballuar me sfidat e përmbajtjes dhe qëndrueshmërisë financiare online. Revista VOX me bazë në SHBA, e cila me sloganin e drejtpërdrejtë "Shpjegojmë lajme" ofron në mënyrë bindëse, interpretuese dhe edukuese përmbajtje interaktive; pastaj media hulumtuese franqeze MediaPart është një nga shembujt e rrallë të medias online që ka arritur të jetë financiarisht e vetqëndrueshme duke u mbështetur në abonim të lexuesve me rreth 150,000 sosh, dhe kjo vetëm për shkak të gazetarisë së tyre politike hulumtuese. Po ashtu, tani në botën e medias po ashtu ekziston edhe koncepti i ‘gazetarisë së kadalshme’ (e praktikuar nga mediume të ndryshme online), që bazohet në rikëmbjen e vlerës së domethënies përtej informacionit të thjeshte.

Këta shembuj tregojnë se edhe në mediat e sotme të ciklit të lajmeve 24-orëshe, ka mundësi për prodhim gazetaresk që është i saktë, faktik, etik dhe që provokon debat kritik – një që aspiron të informoj me kontekst, analizë dhe mendim. Ky debat mbi mediat online, në mes të shumë tjerësh, ka nevoj të zëjë vend më të bujshëm në Kosovë në mënyrë që të përmirësojmë cilësinë e informimit dhe debatit publik.

 

12 gusht 2015
10:27

Besa Luci