Xharra: Portalet e popullarizuara mund të bëjnë kthesë në vënien e standardeve etike

Sbunker pyet: Mediat online e kanë ndryshuar komunikimin publik. E kanë përmirësuar apo përkeqësuar cilësinë e informimit dhe debatit?

12 gusht 2015 10:39

Mediat online janë një trend i pashmangshëm që po zhvendosin audiencën prej mediave tradicionale. Ky transformim nuk po i ndodhë vetëm medias, por edhe mënyrës së të bërit gazetari. Kapërcimi nga tradicionalja në Kosovë është duke ndodhur me një shpejtësi befasuese në dy-tre vitet e fundit.

Nëse llogarisim përafërsisht numrin e vizitave që ndajnë portale kryesore në tregun medial, janë diku mbi 1 milionë lexues potencial brenda 24 orëve. Ky është një tregues i qartë i ndërtimit të një realitet të ri mediatik. Konkurenca mes tyre dhe tendenca për të rritur “egërsisht” numrin e vizitorëve, është duke i paraprirë një denigrimi të tmerrshëm të gazetarisë, përcjellë natyrshëm me degradim edhe të debatit publik.

Me pak përjashtime, ku themelues të mediave online janë gazetarë me përvojë, të cilët kanë përvojë në gazetat kredibile, shumica e portaleve janë thjesht ose mekanizma të grupeve të caktuara interesi, ose themelohen për të nxjerrë një pagë mujore.

Sot në Kosovë janë të regjistruara rreth 300 portale, pronarët në të shumtën e rasteve nuk dihet se kush janë, por referencë gradualisht do të mbesin vetëm tre-katër sosh. Kështu ka ndodhur edhe me gazeta, dhjetë vjet me parë, kur biznesmenë edhe politikanë, hapnin gazeta gjatë fushatës parazgjedhore, për t’i mbyllur me ‘aksham pazar’. E gjithë këtë proces të transformimit të medias është duke e përcjellë një problem shqetësues: etika dhe standardet. Nuk jep kush përgjegjësi për lajmet e shpifura, linçimet publike që lehtësisht bëhen në hapësirat e tyre, vjedhjet e lajmeve...

Kjo lloj gazetarie është shndërruar në standard të medias online dhe ka rritur ndikimin edhe në orientimin e diskursit publik. Ky standard ka ndryshuar përfundimisht komunikimin në publik duke u devalvuar në vazhdimësi. Portalet sot kanë tërhequr audiencë të gjerë, shpejtësia e lajmit, me gjithë të metat etike, është duke “djegur” çdo përpjekje për të bërë gazetari të mirëfilltë.

Paralelisht, informimi nga portalet orienton edhe nivelin e debatit. Kështu që disa nga portalet që kanë arritur numër të madh të vizitave,e kanë momentumin e përkryer që të bëjnë kthesë në vënien e standardeve etike për të rritur kredibilitetin dhe ndikimin e tyre. Sepse edhe atyre do iu duhet një mekanizëm vetërregullues. Përndryshe me këtë ritëm, do të shihen vetëm si hapësira linçuese dhe atraksion për “lajme pornografike”!

 

 

12 gusht 2015
10:39

Arbana Xharra