14 qershor 2021
10:39

Në sipërfaqe
Me raste Kina adopton një formë më legjitime të joshjes. Kjo metodë bazohet në logjikën më të gjërë të ndërvarësisë ekonomike: Kina kërkon të kultivojë aksionarë të huaj që kanë interes për të pasur marrëdhënie të mira. Pekini promovon tregtinë dhe investimet përgjatë sektorëve të shumëfishtë, me shpresën që grupet që përfitojnë prej shkëmbimit ekonomik me Kinën mund të llogariten që të lobojnë te qeveritë e tyre për të kërkuar marrëdhënie bashkëpunuese me vendin. Të bindur prej këtyre elitave të sektorit privat për rëndësinë e ekonomisë kineze, liderët politikë do të punojnë për të minimizuar çdo mosmarrëveshje me Pekinin.
Në vendet ku elitat mbahen përgjegjëse prej sundimit të ligjit dhe opinionit publik – vende më pak të përshtatshme për shtysa të jashtëligjshme – kjo qasje ka funksionuar mjaft mirë deri më tash. Për shembull më 2016, një ndërmarrje shtetërore kineze bleu shumicën e aksioneve të portit më të madh grek të Pireut, dhe pastaj e modernizoi. Nga ana saj, qeveria greke u bë dukshëm më hezituese për të kërkuar përgjegjësi nga Kina. Gjatë kohës së blerjes, Greqia zbuti një deklaratë të BE-së lidhur me veprimet e Pekinit në Detin e Kinës Jugore, ndërsa një vit më vonë, ajo bllokoi BE-në që të nxjerrë një të tillë lidhur më shtypjen e disidentëve nga Kina.
Në Australi, një numër aktorësh kanë avokuar që të mbajnë paqen me Pekinin. Biznesmenë të spikatuar kanë kritikuar ligjvënësit që kërkojnë të luftojnë ndërhyrjen e huaj dhe kanë lobuar te qeveria australiane që të përkrahë BRI-në. Zyrtarët lokalë kanë nënshkruar marrëveshje të BRI-së dhe kanë dhënë kontrata gjigantit të telekomunikacionit Huawei. Universitetet australiane – të varuara prej studentëve kineze për shkak të të ardhurave – kanë anuluar ngjarje që mund të ofendojnë ndjeshmëritë kineze dhe kanë heshtur përderisa ligjëruesve u është bërë presion nga studentët që të kërkojnë falje për devijimin nga pozicionet kineze, ndërkaq në njërin rast, ka suspenduar një student aktivist të njohur për kritikën ndaj PPK-së.
Krahasuar me përpjekjet subversive, përpjekjet e Pekinit për të përkrahur interesat jashtë vendit mund të duken si qasje më fuqishme dhe afatgjate e qeverisjes ekonomike, meqë fuqizon një numër zërash që kërkojnë marrëdhënie më të afërta me Kinën. Prapëseprapë, kjo strategji ballafaqohet gjithashtu me sfidat e saj. Pikë së pari, shpagimet politike janë më të shpërndara dhe kërkojnë kohë të gjatë për të sjellë fryte, duke testuar durimin e liderëve kineze, të cilët janë të preokupuar me parandalimin e kritikës publike dhe sfidat e menjëhershme ndaj legjitimitetit të tyre, si brenda dhe jashtë vendit. Së dyti, kultuvimi i aksionarëve po bëhet më i vështirë.
Përderisa vlera e ekonomisë kineze është rritur, firmat kineze janë bërë lojtarë më të fuqishëm në sektorët e teknologjisë – të ndihmuar në mënyrë të padrejtë, thonë garuesit, nga subvencionet shtetërore. Si pasojë e kësaj gare, korporatat e huaja kanë pasur më pak arsye që të kërkojnë marrëdhënie më të afërta me Pekinin.
Ç’është e vërteta, ky evoluim është duke ngjarë tashmë në Shtetet e Bashkuara. Në vitet 90, të joshura nga qasja në tregun kinez, bizneset amerikane kanë lobuar me sukses te presidenti Bill Clinton që të zgjerojë statusin e Kinës si “vendin më të favorizuar”. Për dallim, sot ata ankohen për politika diskriminuese, vjedhje të pronës intelektuale, dhe kufizime në qasjen në treg në Kinë dhe lobojnë për masa ndëshkuese. Këmbëngulja e Kinës në modelin e saj të kapitalizmit shtetëror me gjasë do të dëmtojë përpjekjet për të kultivuar aksionarët e huaj.
Për më tepër, politika e jashtme gjithnjë e më agresive e Pekinit kërcënon të hedh hije mbi joshjen pozitive të angazhimit ekonomik. Diplomacia e saj tipike “Ujqëve Luftëtarë”, një stil agresiv i politikës së jashtme i emërtuar sipas disa filmave patriotik kinezë, ka përkeqësuar marrëdhëniet me shumë vende. Prirja e saj që të ndërmarrë shtrëngime ekonomike ka nënvizuar edhe më tej të metat e ndërvarësisë. Kur Pekini vendosi tarifa dhe ndalesa tregtare ndaj qymyrit, lëndëve të drurit, verës, ushqimit të detit dhe produkteve të tjera australiane si përgjigje ndaj thirrjeve të Australisë për të hetuar burimin e pandemisë, kjo rezultoi me fuqizimin e atyre në Australi që përkrahin që favorizojnë një politikë më të ashpër ndaj Kinës.
Në Tajvan, Pekini ka pasur edhe më pak sukses: ndonëse është përpjekur të përdorë marrëdhëniet lulëzuese ekonomike për t’i prerë këmbët fraksioneve pro pavarësisë, biznesmenët tajvanezë kanë refuzuar në masë të madhe që të përkrahin politikat e Kinës, meqenëse çështja e pavarësisë së Tajvanit shihet si çështje gjithpërfshirëse e sigurisë. Edhe joshja legjitime i ka limitet e veta.
Humbja e miqve
Megjithë fjalët për përfitimet gjeopolitike nga qeverisja ekonomike, deri më tash Pekini ka qenë në gjendje të shumtë të arrijë qëllime transaksionale dhe afatshkurta – si p.sh. heshtja publike ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut nga ndonjë ligjvënës ose vetoja rreth rezolutës për Detin e Kinës Jugore gjatë takimit të ASEAN-it. Përveç një numri të vogël vendesh me llogaridhënie të vogël publike, ndikimi strategjik afatgjatë i Kinës mbetet i limituar. Shumica e vendeve të cilat ka shënjestruar Kina nuk kanë bërë ndryshime madhore në pozicionin e tyre gjeopolitik; më së shumti, ato kanë ofruar zotime retorike dhe simbolike.
Ky është dështim në ekzekutim; Pekini shpesh ka qenë i shurdhër, duke e lënë posaçërisht të cënueshëm ndaj peripecive të politikës demokratike. Duke dështuar që të kuptojë se çfarë efekti do të kenë strategjitë e saj në kontekste të ndryshme politike, Kina ka nxitur kundërpërgjigje në vend se të fitojë përkrahje. Investimet kineze shpesh janë bërë të politizuara, me partitë jashtë pushtetit që kritikojnë ata në pushtet të cilët kanë nënshkruar marrëveshje se i janë nënshtruar Pekinit. Skandalet e shpeshta korruptive që prodhojnë kanë ofruar edhe më shumë material për kritikët.
Ç’është e vërteta, Kina duhet të pajtohet me politikat vendore të vendeve të tjera edhe më shumë se sa do të parapëlqente. Përderisa politikbërësit amerikanë shpesh e shohin qeverisjen ekonomike të Kinës përmes pikëpamjes së strategjisë së madhe dhe garës së fuqive të mëdha, për shumë liderë të vendeve pranuese, ajo ka të bëjë shumë më shumë me allishverishet e politikës lokale. Këta liderë kanë luajtur role të rëndësishme në formësimin e përpjekjeve të Kinës. Merrni rastin e Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan, projekt madhor i BRI-së.
Ky ka pasur pengesa të shumta politike dhe ekonomike meqë politikanët pakistanezë kërkuan zgjerimin e projekteve energjetike dhe infrastrukturore dhe pastaj u grinden rreth alokimit të tyre. Në Shri Lankë, ideja e stimulit për portin Hambantota të financuar nga Kina, e përmendur shpesh si rast klasik i diplomacisë së kurthit të borxhit, në fakt erdhi prej politikanëve shrilankas të cilët i dhanë kontratën një ndërmarjeje shtetërore kineze pas refuzimit nga Shtetet e Bashkuara dhe India. Rasti i Hambantota-s nuk është i tillë që siguron një çmim gjeopolitik për Kinën – porti nuk është as ekonomikisht i qendrueshëm as gjeografikisht i përshtatshëm për përdorim detar – por i tillë që Shri Lanka ndërton një elefant të bardhë.
Vendet pranuese po bëhen gjithashtu më të afta në negocimin e termave të marrëveshjes me Kinën. Të lodhur nga skandalet e vazhdueshme, shume prej tyre kanë bërë presion te qeveria kineze që t’i kushtojë më shumë vëmendje rregullave vendore. Në Malajzi, pas reagimeve për mbeturinat dhe mashtrimet në një projekt të madh hekurudhor që do të lidhë portet në brigjet lindore dhe perëndimore të Malajzisë, Kina u pajtua që të ulë çmimin për një të tretën, prej $16 miliardë në $11 miliardë. Më 2018, qeveria e Malajzisë kërkoi ndihmë nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së që të rinegociojë termat për një projekt të ndërtimit të një porti të financuar nga Kina.
Qeverisja ekonomike nuk është kurrë e lehtë. Masat shtrënguese sikurse sanksionet dështojnë shoesh që të bindin cakun, pa marrë parasysh se a vendosen nga Uashingtoni a Pekini. Edhe pse joshja e shtysave mund të duket më premtuese, ato përmbajnë gjithashtu rreziqe. Në rastin e Kinës, dështimi ka qenë më shumë rregull se sa përjashtim. Kjo ka ngjarë sepse suksesi i shtysave varet në masë të madhe nga dinamikat politike në vendet pranuese. Për shembull gjatë Luftës së Ftohtë, ndihma amerikane për vendet e korruptuara në zhvillim në Afrikë dhe Amerikë Latine pat sukses në përkrahjen e diktatorëve, ndërkaq në Europë, Plani i Marshallit arriti të përforcojë ndikimin amerikan në vendet demokratike.
Ndihmat dhe investimet japoneze kanë përforcuar imazhin e Tokios në Azinë Juglindore, por kanë pasur shumë pak suskses në Kamboxha, ku qasja subversive e Kinës ka lulëzuar. Pekini mund të kuptojë që stili subversiv funksionon mirë në vendet e korruptuara dhe autoritare, por me gjasë do të vazhdojë të ketë telashe në vendet ku llogaridhënia ka rëndësi – ku shumë prej të cilave janë gjithashtu të rëndësishme strategjikisht.
Nuk mund të thuhet se përpjekjet e Kinës për qeverisje ekonomike nuk bëjnë punë fare. Me BRI-në, Kina po mëson nga gabimet e saj. Ajo ka njoftuar se do të minimizojë investimet “joracionale” të BRI-së, do të ndalojë aktivitetet e jashtëligjshme të investitorëve kinezë jashtë vendit, dhe do të krijojë një agjenci të re për të koordinuar ndihmën e huaj.
Në forumin ndërkombëtar të BRI-së më 2019, liderët kinezë tejkaluan retorikën e tyre të zakonshme “ku të gjithë fitojnë” dhe për herë të parë theksuan rëndësinë e infrastrukturës cilësore, luftimin e korrupsionit dhe transparencës më të madhe. Në të njejtin samit, Banka qendrore e Kinës dhe ministria e financave bënë të ditur gjithashtu kriteret e reja financiare që do të marrin parasysh borxhet ekzistuese të vendeve pranuese.
Në anën tjetër të medaljes, rritja e joliberalizmit mund t’i japë Kinës më shumë mundësi që të fitojë ndikim në mënyra subversive. Posaçërisht në vendet që vërtiten në prag të autoritarizmit, karrotat që blejnë elitat e korruptuara mund të ndihmojnë ato jo vetëm që të mbajnë pushtetin por gjithashtu të shkaktojnë dëme afagjate institucioneve politike. Kështu, Kina mund të thellojë autoritarizmin – madje edhe nëse nuk përpiqet aktivisht që të eksportojë autokracinë. Si masë parandaluese, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj mund të përforcojnë institucionet llogaridhënëse në vendet pranuese dhe të ofrojnë ekspertizë teknike për t’i ndihmuar të negociojnë me Kinën. Formulimi i kësaj çështjeje si klub i demokracive të udhëhequra nga SHBA-ja që garon kundër kampit autoritar të Kinës me shumë gjasë do të tjetërsojë shumë prej këtyre vendeve, të cilat do të parapëlqenin të shmangin zgjedhjen mes dy fuqive rivale.
Në fund, zgjerimi i shpejtë i pranisë ekonomike të Kinës jashtë vendit, veçanërisht kur shoqërohet me subversion dhe shtrëngim, mund të thellojë frikën strategjike përgjatë globit. Zyrtarët kinezë mund të mendojnë ende se zhvillimi ekonomik promovon natyrshëm vullnetin e mirë dhe mirënjohjen mes vendeve pranuese, por ka arsye të forta për të besuar se e kanë gabim. Me sa duket, Kina nuk mund të llogarisë automatikisht në konvertimin e pushtetit të saj ekonomik në një realitet të ri gjeopolitik.
***
Artikulli origjinal në Foreign Affairs, edicioni Maj/Qershor 2021.
***
Ky artikull mbështetet nga "Sbunker" përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.
14 qershor 2021
10:39