Kina planifikon për një botë pa teknologji amerikane

24 mars 2021 15:21

Liderët e Pekinit shtrojnë rrugën për ta shkelur të vetëm, duke zotuar shpenzime të mëdha për të mbuluar zbrazëtirat në inovacion dhe shmangur varësinë nga Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët.

Kina ka vënë në dispozicion dhjetëra miliarda dollarë hua për industrinë e saj të teknologjisë. Ajo po katalogon sektorët ku Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët mund të ndërprejnë qasjen në teknologji kyçe. Ndërsa, kur liderët e saj bënë publike planet më të rëndësishme ekonomike javën e kaluar, ata shpërfaqen ambiciet për t’u bërë superfuqi inovacioni e pashoq.

Duke i paraprirë përpjekjeve të administratës së Biden-it për të vazhduar sfidimin e ngritjes teknologjike të Kinës, liderët e vendit po përshpejtojnë planet për të ecur të vetëm, duke kërkuar të adresojnë dobësitë në ekonomi që mund të ngulfatin ambiciet e saj në një gamë të gjërë industrish, që prej smartfonëve te motorët e aeroplanëve.

Kina ka bërë plane të guximshme e ambicioze edhe më parë – më 2015 – por nuk i ka arritur qëllimet e veta. Ngaqë shumë vende që janë bërë syçelë ndaj sjelljës së Kinës dhe rritjes së fuqisë së saj ekonomike, vrulli i Pekinit për pavarësi ekonomike është bërë edhe më urgjent. Plani i ri pesëvjeçar i bërë publik më 5 mars, e cilësoi zhvillimin teknologjik çështje të sigurisë kombëtare, jo vetëm zhvillimit ekonomik, gjë që dallon sheshazi nga plani paraprak.

Plani zotohet të rrisë shpenzimet për kërkim dhe zhvillim për 7 përqind në vit, përfshi sektorët publik dhe privat. Ky numër ishte më i lartë se rritjet buxhetore për ushtrinë e Kinës, e cila parashihet të rritet për 6.8 përqind vitin e ardhshëm, duke ngritur prospektin e një epoke para Luftës së Ftohtë – sikurse gara me Shtetet e Bashkuara.

Zotimet për shpenzime vijnë pas 4 viteve të trazuara, gjatë të cilave presidenti Donald J. Trump tronditi  - dhe zemëroi – udhëheqësinë e Partisë Komuniste nën Xi Jinping-un, duke kufizuar qasjen në teknologjinë amerikane për disa prej ndërmarrjeve të saj gjigante, përfshi Huawei-n.

Kjo përvojë e ka përforcuar pikëpamjen se Shtetet e Bashkuara, edhe nën një administratë të re, janë të vendosura të pengojnë përparimin e vendit dhe se Kina nuk mund të mbështetet më në Perëndimin për furnizim të qendrueshëm të teknologjive që ndihmojnë rritjen e saj ekonomike.

“Shtetet e Bashkuara, që tashmë kanë ngjitur majat, duan të heqin qafe shkallët,” shkroi Zhang Xiaojing, ekonomist i Akademisë së Shkencave Sociale të Kinës pak para mbledhjeve legjislative që po zhvillohen tash në Pekin.

Rruga për në “majat globale të teknologjisë,”siç i ka përshkruar aspiratat e Kinës z. Xi, është e përpjetë. Më herët, qeveria kishte planifikuar të shpenzonte 2.5 përqind të bruto produktit vendor për kërkim dhe zhvillim në pesë vitet e fundit, por shpenzimet aktuale dështuan të arrijnë cakun.

Një sektor ku Kina ka pasur probleme është ai i mikroçipëve, nga të cilat varet shumica e prodhimit të elektronikës. Prodhimi jashtëzakonisht i ndërlikuar ka nxjerrë pengesa të mëdha për bizneset kineze, të cilat importojnë shumicën e gjysëmpërçuesve të nevojshëm. Sipas IC Insights, firmë hulumtuese amerikane për gjysëmpërçues, përkundër investimit të dhjetëra miliarda dollarëve, prodhimi vendor i çipëve në Kinë përmbushi vetëm 15.9 përqind të kërkesës për çipa më 2020, shumë afër 15.1 përqindëshit që kishte përmbushur më 2014.

Kryeministri kinez Li Keqiang, javën e kaluar bëri të ditur propozimet për të përshpejtuar zhvillimin e gjysëmpërçuesve, sistemeve operative, procesorëve kompjuterikë, dhe inteligjencës artificiale të kategorisë së lartë.

“Mendoj se janë vërtet të brengosur,” thotë Rebecca Arcesati, analiste e teknologjisë me Institutin Mercator për Studime Kineze në Berlin. “E dinë se pa qasje në ato teknologji, nuk do të jenë në gjendje të arrijnë caqet.”

Deri në një pikë, strategjia e re ribrendon fushatën e mëhershme Made in China 2025, e cila orvatej të bëhej kampione e një sërë teknologjish të përparuara. Strategjia vendosi si qëllim prodhimin e 70 përqind të përbërësve kyç që u duhen prodhuesve kinezë deri më 2025. Plani trembi partnerët tregtar dhe i kontribuoi luftës tregtare me Shtetet e Bashkuara.

“Kina kërkon të reduktojë varësinë e saj nga bota – jo të reduktojë tregtinë dhe ndërveprimin por të sigurojë që nuk është e cënueshme ndaj shantazhit strategjik kundër Kinës, të cilin e ka përdorur historikisht kundër të tjerëve,” thotë Daniel Russel, ish diplomat amerikan, i cili tash është zëvendëspresident i Institutit të Politikave të Shoqërisë Aziatike.

Konfrontimi ka një dekadë që është duke u zier. Politikat e kahershme kineze të minimizimit të varësisë nga teknologjitë e huaja u rigjallëruan më 2013, pas zbulimeve të Edward Snowden-it lidhur me hakimet e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), të cilat mbështeteshin në firmat amerikane.

Firmat amerikane janë ankuar për një kohë të gjatë për politikat që kërkojnë transfer të teknologjisë. Hakimet e përkrahura nga qeveria kineze që shënjestruan pronën intelektuale amerikane kanë ngritur edhe më lart tensionet. Kina ka përdorur spiunimin korporativ edhe në të kaluarën për të përkrahur interesat ekonomike, përfshi fushat e teknologjisë më të avancuar, të cilat qeveria tash i ka prioritet.

Ndërhyrja më e fundit në bizneset dhe agjencitë qeveritare përdori sistemet e emailave të Microsoft-it dhe u zbuluan në fillim të muajit.

E lidhur që në fillim me hakerët kinezë, kjo ndërhyrje ka gjasë të thellojë ndarjen që mund të ndajë më dysh botën teknologjike.

Në javët e fundit, zyrtarët kinezë kanë vënë theksin te rreziku i “pikave të ngulfatjes”, ku Shtetet e Bashkuara kontrollojnë teknologjitë kyçe. Në një konferencë shtypi në Pekin, ministri i Industrisë dhe Teknologjisë Informative Xiao Yaqin, njoftoi se do të bëhej studim i 41 sektorëve për të gjetur “hapësirë të zbrazëta” që mund të shkaktojnë prishjen e zinxhirit të furnizimit teknologjik “gjatë kohëve të vështira.”

Pekini po përkrah këtë përpjekje me para dhe retorikë.

Banka Zhvillimore e Kinës, huadhënësi për politika i vendit, tha në fillim të muajit se po përgatite të jepte mbi $60 miliardë në hua më shumë se 1000 firmave që janë qendrore për inovacionin strategjik dhe ka ofruar $30 miliardë për fondin e ri të mikroçipëve të përkrahur nga qeveria.

Zyrtari i Akademisë Kineze të Inxhinierisë Ni Guangnan, shkroi së fundmi se vendi duhet të krijojë një “sistem kinez” që do t’i zë vendin sistemeve të kombinuara të Intel, Microsoft, Oracle, dhe të tjerëve që kanë dominuar historikisht botën e kompjuterëve. Kina gjithashtu do të rrisë varësinë e botës në teknologjinë e saj të infrastrukturës së telekomunikacionit për të “krijuar një parandaluese të fuqishme” kundër embargove të ardhshme.

Zinxhiri i furnizimit me teknologji mbetet tej mase i ndërlikuar dhe vendosmërisht global, dhe përzierja e tepruar në tregje mund të ketë pasoja të paparashikueshme, vërejnë ekspertët. Përderisa Shtetet e Bashkuara dhe Kina shtyhen mes vete për mikroçipa, kjo ka shkaktuar pjesërisht mungesën e çipave që së fundmi goditi industrinë e automobilëve.

As njëri as tjetri vend nuk mund të arrijnë vetëmjaftueshmëri të vërtetë në shumësinë e teknologjive të përparuara që janë të nevojshme për të drejtuar një ekonomi dhe ushtri moderne. Në vend të politikave gjithëpërfshirëse po shfaqet një luftë në emër të të tjerëve, ku të dy palët kërkojnë të sigurojnë pjesët që u mungojnë nga vendet tjera.

Shumë aleatë amerikanë kanë që të kënaqur të shohin firmat e tyre që shfrytëzojnë tregun kinez, i cili po zbrazet gjithnjë e më shumë nga firmat amerikane.

Në fillim të muajit, firma hollandeze ASML, e cila prodhon veglat që duhen për të prodhuar mikroçipë në masë, njoftoi se ka zgjeruar kontratën për t’i ofruar pajisje prodhuesit më të madh kinez të gjysëmpërçuesve, edhe pse Uashingtoi e vendosi firmën e quajtur SMIC në listën e zezë vitin e kaluar. Zgjerimi nuk shkeli asnjë kufizim, por tregoi se aftësia e Shteteve të Bashkuara për të ndërprerë furnizmet nuk është e pakufizuar.

Vendimet të tilla mund të vazhdojnë të frustrojnë presidentin Biden, i cili e konsideron Kinën si sfidën më të rëndësishme të politikës së jashtme. Kina shpreson të pengojë përpjekjet amerikane për ta izoluar, duke u binjakëzuar me ekonomitë e mëdha, përfshi ato që janë politikisht aleate me Shtetet e Bashkuara.

“Natyrisht se ata po flasin dhe veprojnë me qëllim të shkurajimit të vendeve të treta që t’i bashkohen çfarëdo grupacioni që Shtetet e Bashkuara mund të organizojnë kundër Kinës,” thotë z.Russel nga Instituti i Politikave të Shoqërisë Aziatike. Qëllimi është të blehet “koha e nevojshme që Kina të mbulojë zbrazëtirat e mbetura.”

Çfarëdo shprese që kishin liderët kinezë për një rifillim diplomatik pas viteve të Trump-it duket se tashmë janë zbehur.

Bashkëbisedimi i parë i z. Biden me z. Xi zgjati rreth 2 orë dhe sipas Shtëpisë së Bardhë pati diskutime për “praktikat ekonomike  shtrënguese dhe të padrejta të Pekinit.”

Në shtëpi, z. Biden ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara duhet të mbajnë hapin me Kinën për sa i përket investimeve dhe infrastrukturës, si në përkrahjen e industrive të teknologjisë, përfshi automjetet elektrike. “Nëse nuk lëvizim, do të na hanë bukën,” tha ai derisa argumentonte nevojën e planit ekonomik prej $1.9 bilionësh.

Kjo frazë solli në mend atë që kishte thënë si kandidat për president vetëm para dy vitesh – që të neglizhonte sfidën që paraqet Kina. “Kina do të na hajë bukën?” kishte thënë në Ajoa më 2019. “Oh, të lutem!” 

***

Artikulli origjinal në The New York Times, më 10 mars 2021

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga "Sbunker" përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

24 mars 2021
15:21

Paul Mozur & Steven Lee Myers