Ndikim pa u ngatërruar në Lindjen e Mesme

11 mars 2021 09:12

Si po i eviton Kina Shtetet e Bashkuara – dhe pa u vënë re

Për 12 vite, Shtetet e Bashkuara kanë provuar të shkëputen nga Lindja e Mesme. Fuqitë rajonale, përfshi Iranin, Izraelin, Rusinë, Arabinë Saudite dhe Turqinë, janë përgjigjur duke kërkuar aleatë të rinj dhe duke garuar ashpër më njëri tjetrin. Por përtej kryetitujve, Kina ka qenë fituesja më e madhe në Lindjen e Mesme pas epokës së SHBA-së. Pekini veçse ishte blerësi më i madh i naftës së rajonit. Tash, fare pa zhurmë, ajo është bërë e vetmja fuqi e huaj që ka lidhje të forta politike e tregtare me çdonjërin prej vendeve të mëdha në rajon.

Për Uashingtonin, kjo do të thotë se Lindja e Mesme po rishfaqet si fushëbetejë e garës mes fuqive të mëdha. Ndikimi në rritje i Kinës në Lindjen e Mesme ende nuk e kanos drejtpërdrejt ndonjë interes jetik të SHBA-së. Sidoqoftë, lidhja e thelluar e Kinës me Iranin dhe lidhjet miqësore me militantët shiitë antiamerikanë janë brengosëse dhe me rreziqe afatgjate për forcat, partneritetet dhe qasjen komerciale të SHBA-së. Administrata e Biden-it duhet të imponojë koston mbi Kinën dhe Iranin për të mbajtur nën kontroll lulëzimin e partneritetit të tyre strategjik. Gjithashtu, ajo duhet të kuptojë se shumica e aleatëve dhe partnerëve në Lindjen e Mesme – përfshi Izraelin dhe shtetet e Gjirit persik – janë të vëndosura që mos të mbajnë anë në rivalitetin gjeopolitik SHBA-Kinë.

Kina filloi të kërkonte një koncept të ri strategjik për angazhim në Lindjen e Mesme mënjeherë pas shpalljes së “boshtit të Azisë” nga administrata e Obamas më 2011. Më 2012, komentuesi më i spikatur kinez për çështje të politikës së jashtme Wang Jisi, propozoi një koncept që e quajti “marshimi drejt perëndimit.” “Përderisa Uashingtoni riekuilibron Azinë,” shkruante ai, “marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është bërë gjithnjë e më grindavece dhe e pafrytshme.” Dhe përderisa gara detare është nxehur, parashikonte Wang, Azia Qendrore dhe Lindja e Mesme do të hapen sërish për angazhim me Kinën. Tërheqja e pashmangshme e SHBA-së nga Lindja e Mesme paraqiti një situatë të mundshme ku fitojnë të gjithë, shkruante Wang, sepse Shtetet e Bashkuara qenë “nevojtare të ndihmës kineze për të stabilizuar Afganistanin dhe Pakistanin.”

Eseu i Wang-ut u botua pak para Kongresit të 18-të të Partisë Komuniste të Kinës, kur Xi Jinping u ngrit në pozitën udhëheqëse dhe kumtoi logjikën strategjike, parullat, dhe konceptet financiare që do të institucionalizoheshin shpejt në formën e Një Rrip Një Rrugë, që më vonë mori emrin Nisma Rrip dhe Rrugë [Belt and Road Initiative] (BRI). Megjithatë, reagimet ndaj fokusit të hollësishëm të Wangu-t në Lindjen e Mesme qenë të ashpra dhe të menjëhershme. Në një përgjigje ndaj Wang-ut, akademiku Xian Xiao argumentonte se Kina duhet të prioritizonte së pari fqinjtë e saj dhe të shmangte shpërndarjen gjithandej të resurseve. Pas një a dy rreshtave lëvdatash për Wang-un, Xian shpalosi një kritikë dërrmuese. “Çfarë nënkuptohet me “Perëndimin?” pyeste. “Prej perspektivës së largësisë, së pari fqinjët perëndimor, pastaj vendet e Lindjes së Mesme të cilat janë relativisht larg, dhe pastaj vendet e largëta afrikane.” Xian vazhdoi me argumentin se Wang-u po inkurajonte Kinën që të tejzgjerohet e të përhumbet nëpër humnera strategjike – ashtu siç kishin bërë Shtetet e Bashkuara në Afganistan.

Një tjetër kritikë ndaj propozimit të Wang-ut thoshte se “marshimi drejt perëndimit” do të antagonizonte fuqitë e tjera të mëdha. Akademiku Jiye Zhang, shkruante më 2013 në Global Times se kjo strategji do të dëmtonte marrëdhëniet me Rusinë, Indinë, dhe Shtetet e Bashkuara dhe do të shtynte Kinën të investonte në “zona të rrezikshme.” Kina nuk duhet të “ndërmarrë hap të madh para, por të vlerësojë me kujdes rreziqet strategjike dhe të ndërtojë një plan strategjik për të kuptuar plotësisht “lëvizjën e saj drejt perëndimit.”

Shkurt, shumë intelektualë kinezë që merren më politikën e jashtme qenë shumë të brengosur për rrezikun që një projekt kinez i profilit të lartë, ngjashëm me BRI-në, do të dështonte në Lindjen e Mesme. Strategët kinezë e panë logjikën e përdorimit të fuqisë ekonomike të vendit për përfitime politike, por druajtën përhumbjen në rrjetin e koklavitur të rivaliteteve kombëtare dhe sektare. Ç’është e vërteta, historia sugjeron se nuk është fare e lehtë të shmanget ai rezultat. Gjatë shekujve, Lindja e Mesme ka qenë humnerë për shumë perandori të huaja, përfshi Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Rusinë dhe Francën.

Këto arsye shpjegojnë pse Kina iu ka qasur BRI-së më ndryshe në Lindjen e Mesme se në cilindo rajon tjetër. Në Afrikë, Azi Qendrore, Azi Juglindore, dhe Amerikë të Jugut, Kina zakonisht reklamon marrëveshjet përmes spektakleve mediale dhe foto sesioneve në tapet të kuq. Për dallim, në Lindjen e Mesme Pekini përpiqet të mbajë marrëveshjet sa më larg kryetitujve që të jetë e mundur. Për shembull, shumë pak dihet rreth asaj se si po investon fondi i pasurisë i sovranit të Abu Dhabi-t në SenseTime, kompaninë kineze të inteligjencës artificiale, e famshme për programin kompjuterik për njohje të fytyrës. Shumë prej marrëveshjeve të Kinës me vendet e Lindjes së Mesme janë botuar në tërësi – në anglisht, mandarin, ose në ndonjë gjuhë lokale. Partneriteti gjithpërfshirës strategjik Kinë-Iran prej $400 miliardë është i ditur për publikun vetëm sepse ka dalë në shesh paqëllimshëm.  

Nëse qëllimi i Kinës është të ushtrojë ndikim pa u ngatërruar në Lindjen e Mesme, atëherë BRI- është duke pasur sukses të shkëlqyeshëm. Lista e vendeve që kanë përqafuar BRI-në dhe janë përkushtuar në një formë a tjetër në partneritet me të, përfshin Egjiptin, Iranin, Katarin, Arabinë Saudite, Turqinë, dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Mjafton vetëm kjo që të zgjojë nga gjumi Uashingtonin. Këto vende nuk pajtohen thuajse për asgjë mes vete – por që të gjitha duan lidhje më të afërta me Kinën.

Më problematikja për interesat kombëtare amerikane është partneriteti strategjik mes Kinës dhe Iranit. Politika e brendshme iraniane është ndarë mes një fraksioni reformator prokinez dhe një fraksioni të linjës së ashpër, ultra prokineze, që ka përqafuar me entuziazëm BRI-në. Politika për “presion makismal” ndaj Iranit e administratës së Trump-it, ka fuqizuar fraksionin e linjës së ashpër. Marrëdhëniet iraniano-kineze kanë qenë miqësore me dekada, por ato janë përmirësuar shpejt gjatë presidencës së Donald Trump-it. Kina ka bërë blerje të mëdha të naftës iraniane dhe i ka shitur Iranit pajisje të telekomunikacionit, duke shkelur sanksionet, dhe aktualisht po negoicion një marrëveshje për Jaskun, një port jashtë Ngushticës së Hormuzit. Të dy vendet kishin planifikuar stërvitje të përbashkëta të marinës në Oqeanin Indian për javën e kaluar. (Kina u tërhoq në minutin e fundit, duke u arsyetuar se kishte festat e vitit të ri kinez.)  Pa marrë parasysh se a do të materializohen paratë në orarin e premtuar, pritja e mbështetjes kineze do ta nxisë Teheranin që të vë kushte më të mëdha në negociatat nukleare me administratën e Biden-it.

Grupet shiite përgjatë rajonit tërhiqen pas Kinës për arsye të ngjashme – ata e shohin si kundërpeshë strategjike të Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë në Irak, ministri i energjisë shkroi në tetor 2019 se “Kina është opsioni ynë i parë për partner strategjik afatgjatë.” Grupet paramilitare shiite nga Iraku dhe Siria (Asa’ib Ahl al’Haq) në Liban (Hezbollah) kanë lavdëruar vazhdimisht Kinën dhe kanë bërë thirrje për investime kineze si kundërshtim ndaj Shteteve të Bashkuara.

Për befasi, kjo nuk ka nxitur reagim antikinez në shtetet e mëdha sunite të rajonit. Arabia Saudite ka nisur një program për kinezishtën si gjuhë të tretë në të gjitha shkollat dhe universitetet. Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe Kuvajti kanë kontraktuar Huawein që të ndërtojë infrastrukturën e telekomunikacionit 5G, duke kundërshtuar presionin amerikan. EBA qe vendi i parë i huaj që dha pëlqim të mënjehershëm për vaksinën COVID-19 të Sinopharm-it. Sundimtari i Dubait Sheik Mohammed bin Rashid al Maktoum, postoi në Twitter një foto ku shihej duke marrë vaksinën.

Për mrekulli, Kina ka paguar një çmim fare të vogël diplomatik në Lindjen e Mesme për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut të pakicave të saj myslimane. Më 2019, princi saudit Mohammed bin Salman u lavdërua gjatë vizitës në Pekin. Të dy vendet nënshkruan disa marrëveshje të mëdha tregtare, dhe lideri saudit lavdëroi politikat vendore “kundër terrorizmit” në Kinë – që përbën miratim të heshtur për shtypjen e ujgurëve, popullit turkik që ka mërgatë të madhe në Stamboll. Megjithëkëtë, në vitin e kaluar, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan nuk bëri zë për këtë çështje, dhe policia turke thuhet se ka arrestuar qindra refugjatë ujgurë me kërkesë të Kinës. Përderisa ekonomia turke rrëshqet gjithnjë e më thellë drejt krizës, Erdogani po mbështetet më shumë se kurrë në investimet dhe tregtinë kineze.

Madje edhe Izraeli po i reziston presionit amerikan për të kufizuar ndërveprimet tregtare me Kinën. Një ndërmarrje shtetërore kineze ka fituar mundësinë që të shfrytëzojë për 25 vite portin izraelit të Haifa-s. Muajin e kaluar, qeveria izraelite refuzoi kërkesën amerikane për të inspektuar objektin. Kina është duke investuar gjithashtu qindra miliona dollarë në vit në sektorin teknologjik në Izrael, përkundër ofenzivës disamujore të administratës së Trump-it që ta bindë Izraelin për t’u tërhequr.

Tash për tash, rritja e ndikimit të Kinës në Lindjen e Mesme nuk kanos drejtpërdrejt ndonjë interes madhor të SHBA-së. Në një kuptim, kjo përshkruan një tipar të përgjithshëm të rajonit: Shtetet e Bashkuara thjesht kanë më pak interesa kombëtare në Lindjen e Mesme sot, se sa që kishin para një a dy dekadash.

Sido që të jetë, aktivitetet kineze ndikojnë indirekt në shumë interesa, në mënyra të cilat kërkojnë konsideratë dhe përgjigje. Oferta e Iranit për armë bërthamore është më e rëndësishmja nga to. Për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe mbijetesën e aleatëve të saj, është jetike që Irani të pajtohet me Planin e Përbashkët Gjithpërfshirës të Veprimit ose me një marrëveshje të re e të zbatueshme bërthamore. Për aq sa partneriteti lulëzes i investimeve i Kinës me Iranin i jep regjimit teren në këto negociata, ose blerjet kineze të naftës iraniane blejnë kohë për një pasurim të shpejt nuklear, Shtetet e Bashkuara duhet të reagojnë. Kjo mund të përfshijë ndalimin e anijeve që bartin ngarkesa të paligjshme dhe imponimin e sanksioneve dytësore.

Shtetet e Bashkuara kanë gjithashtu interes jashtëzakonisht të rëndësishëm në parandalimin e Kinës që të themelojë një bllok gjeopolotik autoritar apo të bëhet eksportuese e veglave tekno-autoritare. Uashingtoni ka vetëm disa mënyra të pastra se si të parandalojë uljën graduale të tensionit mes Pekinit, Moskës dhe Tehranit, por gjithsesi se mund të vendosë koston për vendet që blejnë armë dhe kapacitete mbikëqyrëse nga Kina, ashtu sikurse vendosi sanksione mbi Turqinë për blerjen e sistemit raketor S-400.

Përfundimisht, Shtetet e Bashkuara kanë interes jashtëzakonisht të rëndësishëm që të parandalojnë Kinën që të përkrah Hezbollahun dhe fraksionet armiqësore Shiite në Irak, të cilat kanosin aleatët dhe asetet e SHBA-së në rajon. Kina nuk realizoi vrullin e investimeve në Liban, të cilat i kërkoi Hezbollahu verën e kaluar, por Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë t’ia bëjnë me dije Pekinit se do të paguajnë çmimin adekuat nëse përkrahin Hezbollahun. Në raste të ndjeshme gjeopolitike si në Liban, Uashingtonit mund t’i nevojitet të mbështetet në Fondin Monetar Ndërkombëtar për të hapur shportën.

Pekini e di se është duke ecur mbi një litar të tendosur, duke u përpjekur të ushtrojë ndikim përderisa rri larg rivaliteteve të ndërlikuara kombëtare dhe konflikteve sektare në rajon. Statuskuoja në Lindjen e Mesme shkon në favor të Kinës. Shtetet e Bashkuara shpenzojnë shuma marramendëse për të luftuar grupet ekstremiste dhe për të ruajtur lirinë e navigimit në rajon, dhe Kina përfiton në formën e çmimeve stabile të naftës. Ajo që do Kina është që të ruajë këtë rend të gjërave, ndërkohë që gradualisht përsos aftësinë për të bërë presion mbi vendet individuale që t’i nënshtrohen vullnetit dhe mënyrave të saj. Ndonëse nuk ka kanosje të mënjershme të interesave amerikane këtu, aftësia e Kinës që të tërheq me qetësi partnerë të gatshëm në Lindjen e Mesme është befasuese dhe kërkon vëmendje më të madhe. Në planin afatgjatë, Shtetet e Bashkuara nuk duhet të jenë të kënaqura me mundësimin e rendit të sigurisë rajonale, nëse Pekini do të jetë përfituesi kryesor.

***

Artikulli origjinal në Foreign Policy, më 25 shkurt 2021

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga "Sbunker" përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

11 mars 2021
09:12

Eyck Freymann