17 shkurt 2021
19:21

Hyrja e Kinës në Ballkanin Perëndimor ka përfshirë një përzierje në dukje kontradiktore të projekteve ekonomike spektakolare dhe të profilit të lartë dhe diplomaci që s’bie në sy. Kina përpiqet të kultivojë imazhin e fuqisë globale dashamirëse, ndihmëse dhe të përulur që vepron me finesë për arsye kulturore, e jo për shkak të qëllimeve të liga. Qeveritë në rajon e kanë përvetësuar këtë imazh të Pekinit – duke u mësuar me skema të mjegullta, të etur për të përfituar politikisht nga projekte të mëdha, dhe bashkëpunues në përpjekjet për të fshehur problemet financiare e ligjore të krijuara nga nismat e tilla. Mediat e dominuara nga shtetet e Ballkanit Perëndimor shpesh kanë promovuar imazhin e bashkëpunimit, e tregtisë dhe të investimeve të pastra mes palëve, duke minimizuar çdo problem a paqartësi në marrëdhëniet e tyre dypalëshe me Kinën.
Sidoqoftë, kjo dinamikë po ndryshon gradualisht, si pasojë e faktorëve të ndryshëm. Një prej tyre është rritja e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Ballkanit Perëndimor e krijuar nga intensifikimi i garës gjeopolitike dhe integrimit gradual të rajonit në BE dhe NATO. Ballkani Perëndimor po bëhet shumë shpejt “fqinjësia e afërt” të cilën BE-ja nuk mund ta injorojë më dhe ta marrë për të mirëqenë. Marrë parasysh paqëndrueshmërinë politike në jug dhe lindje të bllokut, dhe mungesën e interesit nga ana e Turqisë që të integrohet në Perëndim, rajoni mund të jetë shumë afër së shndërruari në një lloj zone të ndërmjetme permanente.
Së dyti, tensionet dhe mungesa e konsistencës në politikat e BE-së në çështjet si 5G, standardet ambientale, dhe qeverisja ekonomike, po ndikojnë në rolin e Kinës në Ballkanin Perëndimor. Mungesa e tillë e konsistencës shpesh rrjedh nga ambivalenca gjeopolotike e BE-së, përderisa shtetet e rajonit navigojnë përmes standardeve, ligjeve, dhe praktikave të ndryshme të fuqive globale, duke kërkuar të gjejnë ekuilibrin e bashkëpunimit me të gjitha.
Së treti, përkundër përpjekjeve të qeverive të Ballkanit Perëndimor për të mbrojtur firmat dhe projektet kineze nga mbikëqyrja publike, aktivitetet e këtyre firmave po bëhen burim i pakënaqësisë publike. Siç u tha, kjo mund të shihet në aspektin e brengave ambientale në Serbi dhe në ndërtimin e autostradës në Mal të Zi. Në rastin e kësaj të fundit, reagimi publik mund të bëhet gjithnjë e më negativ nëse qeveria e re në Podgoricë i përmbahet premtimit për të botuar kontratën e projektit, parametrat ligjore dhe financiare të së cilës mund të jenë në favor të Kinës.
Së katërti, përderisa Kina zgjeron ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor, aktorët kinezë mund të detyrohen të përballen me pasoja të ndryshme dhe të merren me krizat që rrjedhin prej nismave të tyre. Pekini mund të mos jetë aq i shkathët dhe i përgjegjshëm për të vazhduar të përforcojë pozicionin e tij dhe të ruajë rolin pa rënë në sy. Deri më tash, historia është paksa e përzier. Për shembull, pronari kinez i minierës së Smederevës ka zgjidhur vetëm disa prej çështjeve ambientale, duke u mbështetur me sa duket në qeverinë serbe për të mbuluar zbrazëtirat. Një dimanikë e ngjashme duket sheshit në Bosnje për sa i përket termocentralit të Tuzllës. Nëse aktorët kinezë këmbëngulin në një qasje të tillë, kjo vetëm sa do të tërheqë më shumë mbikëqyrje dhe zbulim të aktiviteteve të tyre.
Së pesti, politika e BE-së po ndikon në rolin e Kinës në Ballkanin Perëndimor. Për shembull, për sa kohë që blloku ndryshon gradualisht qasjen në negociatat për hyrje, përpjekjet për të identifikuar dhe adresuar praktikat problematike kineze në rajon do të hyjnë gradualisht në sferën publike.
Strategji në të gjitha përpos emrit
Në dhjetëvjeçarin e fundit ka pasur shumë arsye për të besuar se zgjerimi i aktiviteteve kineze në Ballkanin Perëndimor nuk është pjesë e një strategjie gjithëpërfshirëse por vetëm efekt anësor i ambivalencës europiane dhe amerikane karshi rajonit. Vendet e Europës Perëndimore kanë hezituar të ndërveprojnë me shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe kanë qenë të prirura ta shohin kornizën bashkëpunuese 17+1 thjesht si lehtësi diplomatike, politike dhe administrative. Megjithatë, ka shumëçka që lë të kuptohet se veprimet e Kinës janë pjesë e një strukture më të madhe – e tillë që është koherente dhe lëviz në një drejtim të caktuar.
Vëmendja e Pekinit ndaj infrastrukturës bregdetare në Ballkanin Perëndimor është qartazi zgjerim i strategjisë globale, siç shihet nga projektet kineze në pjesë të ndryshme të botës si Gwadar në Pakistan dhe Hambantota në Sri Lanka. Ndonëse nismat e saj në Ballkanin Perëndimor nuk janë ‘varg margaritarësh’, ato reflektojnë qëllimin e qartë për themelin e pikëmbështetjeve strategjike në zonat bregdetare.
Anëtarisimi në NATO i vendeve të rajonit i ka ndërlikuar, më shumë sesa bllokuar, zbatimin e planeve të Kinës. Prospekti i hyrjes në BE të disa prej këtyre vendeve vetëm sa i jep Kinës edhe më shumë arsye për të fituar terren. Kjo është posaçërisht e vërtetë në një ambient ku fluiditeti politik dhe ligjor i procesit të hyrjes në BE krijon çelje të shumta për aktorët kinezë. Kina mund të mos jetë armiqësore ndaj hyrjes në BE, si çështje e politikës deklarative, por ajo po i shfrytëzon më së miri vonesat e vazhdueshme të këtij procesi – siç pasqyrohet në qëndrimin e saj ndaj standardave ambientale dhe të punës, si dhe qeverisjen ekonomike.
Qasja e Pekinit në rajon është e formësuar pjesërisht nga pozicionimi përbrenda organizatave shumëpalëshe. Në një mënyrë, Kina po luan lojën e numrave politikë me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke synuar të sigurojë mbështjetjen e tyre në këto institucione. Kjo qasje i ka ndihmuar Kinës të zgjerojë bashkëpunimin në politikën e saj të jashtme me vendet e Ballkanit Perëndimor në Kombet e Bashkuara rreth çështjeve si Xinjiang-u, Hong Kongu, dhe Deti i Kinës Jugore.
Afati kohor i aktiviteteve kineze në rajon shfaq gjithashtu qëllim strategjik. Siç u tha, në pak më shumë se një dhjetëvjeçar të angazhimit në Ballkanin Perëndimor, Kina ka konsoliduar praninë e saj në një mori sektorësh dhe është pozicionuar për t’u konsoliduar edhe në shumë të tjerë; ka zgjeruar ambasadat dhe u ka dhënë një rol më të spikatur; ka zhvilluar dhe shfrytëzuar ekpertizë rreth çështjeve lokale; është angazhuar në bashkëpunim me një sërë aktorësh, kontaktesh, politikanësh dhe zyrtarësh; ka shpërndarë narrativët e saj në një mënyrë gjithnjë e më sistematike.
Mund të thuhet se këto aktivitete përqendrohen në atë çfarë mund të quhet ‘sundim mandatesh’. Sipas kësaj qasjeje, Pekini fillimisht përkufizon një qëllim politik që i jep shtysa për veprim entiteve të ndryshme kineze. Pastaj gjeneron një kornizë veprash pa shpjeguar domosdoshmërisht shtrirjen e nismave që mund të përfshijë. Në një kuptim, Kina mund të mos ketë strategji eksplicite për Ballkanin Perëndimor, por ka shumë pak dyshim se ajo po ndjek të njëjtën qasje gjithandej rajonit – duke e trajtuar si hapësirë të vetme qëllimit strategjik ashtu që të përputhet me qëllimet e saj politike globale.
Pengesat në bashkëpunimin me Kinën
Kina mund të ketë ecur përpara në zgjerimin e rolit të saj në Ballkanin Perëndimor, por ajo do të vazhdojë të përballet me një mori sfidash të intensitetit dhe të parashikueshmërisë së llojllojshme. Njëra nga to është rritja e mbikëqyrjes ndërkombëtare, e krijuar nga intensifikimi i garës gjeopolitike dhe rritja e kostos së mosveprimit për BE-në dhe SHBA-në. Kjo pasqyrohet jo vetëm në hulumtimet dhe analizat për rajonin, por gjithashtu në dialogun politik mes qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe homologëve të tyre europianë dhe amerikanë – trend i cili do të vazhdojë doemos në vitet në vazhdim.
Së dyti, ka dallime të mëdha kulturore dhe bihejviorale mes aktorëve kinezë dhe kontakteve të tyre në Ballkanin Perëndimor. Këto dallime mund ta pengojnë ndërveprimin e thellë dhe të qendrueshëm mes dy palëve, duke bërë që bashkëpunimi mes njëri tjetrit të jetë kryesisht në suaza transaksionale. Kjo nuk vlen aq për bashkëpunimin ndërshtetëror – siç është ai tregtar – por mund të luajë rolë në fusha të tjera.
Së treti, integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në organizatat euroatlantike mund ta ndërrojë terrenin e bashkëpunimit dypalësh me Kinën. Hyrja në NATO është veçanërisht relevante në këtë kuptim, meqë ka kufizuar mundësitë e Kinës për të bashkëpunuar me këto vende në fushat si infrastruktura strategjike, siguria, mbrojtja, dhe komunikimet digjitale. Kjo mund të shihet në zhvillimet rreth prezentimit të 5G-së në Shqipëri, Mal të Zi, madje deri në një masë edhe në Serbi. Së paku, presioni mbi këto shtete për ta shmangur teknologjinë kineze do të rritet në vitet në vazhdim.
Negociatat për hyrje në BE do të ndikojnë gjithashtu në marrëdhëniet me Kinën. Nëse BE-ja ngarkon që në fillim dispozitat e saj ligjore në procesin e harmonizimit me vendet kandidate, kjo ka potencial që të ndikojë seriozisht në lidhjet e tyre me Kinën, në fushat si tregu i punës, ambienti, teknologjia dhe standarde të tjera; qeverisja ekonomike, dhe qëndrueshmëria dhe transparenca fiskale. Procesi i hyrjes mund të dinamizojë organizatat e shoqërisë civile – shumë prej të cilave janë mjaft të përfshira në këtë proces – që t’i bëjë ballë Pekinit. Disa shtete anëtare të BE-së ka gjasë që të insistojnë që procesi i hyrjes të ketë parasysh rolin e Kinës në rajon.
Ndërkaq, siç u tha, shumë qytetarë të shteteve të Ballkanit Perëndimor po bëhen gjithnjë e më rezistentë ndaj ndërveprimit me Kinën. Protestat ndaj aktorëve kinezë mbesin lokale, dhe i nënshtrohen një presioni të madh nga qeveritë e nervozuara. Megjithatë, ato ndërlidhen me frustrimin e përhapur publik me Kinën, projektet ekonomike të së cilës në rajon nuk kanë bërë investimet e duhura në fabrikat e reja me qëllim ruajtjen e ambientit. Në sytë e shumë qytetarëve, bashkëpunimi me Kinën mbetet çështje elitash që ka përfitime të vogla për shoqërinë si të tërë.
Pandemia covid-19 mund të ketë pasur ndikime negative te perceptimet e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor rreth Kinës. Vendi është përqendruar në paraqitjen e imazhit të vetvetes si fuqi globale në rritje, si vend i mundësive ekonomike, dhe ithtare e bashkëpunimit të ndërsjellë, si në aspektin dypalësh ashtu edhe gjithandej globit. Prapëseprapë, në trajtimin e pandemisë, Pekini mund të ketë krijuar në mënyrë të pakthyeshme një kundërnarrativë që mbithekson jashtëzakonshmërinë kineze, të nxitur nga teoritë e përhapura rreth shfaqjes së koronavirusit dhe teknikave të saj oruelliane për kontrollimin e krizës.
Një fazë e re angazhimi
Faza fillestare e hyrjes së Kinës në Ballkanin Perëndimor ka marrë fund: vendi tash po bëhet gjithnjë e më shumë i rëndësishëm strukturalisht për rajonin. Në disa raste, Pekini është në fund të procesit të të fituarit të terrenit substancial mbi shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ç’është më e rëndësishmja, Kina e ka zgjeruar praninë e saj në rajon pa u ndier, por me shpejtësi mbresëlënëse. Siç u tha, ndonëse mund të mos ketë strategji eksplicite për Ballkanin Perëndimor, Kina ka zhvilluar një qasje konsistente për angazhim me vendet e rajonit. Duhet pranuar se kjo shfaqje e qëllimit strategjik nuk prodhon rezultate të njëtrajtshme – për shkak të çështjeve historike e gjeografike, si dhe qëndrimeve të elitave lokale – por, gjithsesi që ka cak dhe drejtim të qartë. Në përgjithësi, prania e Kinës në Ballkanin Perëndimor nuk është më risi por burim i ndikimit të vërtetë.
Rekomandimet
Përgjigjja e parë e politikëbërësve europianë ndaj këtyre sfidave duhet të jetë shestim i tyre dhe përpjekje për të parashikuar sesi do t’i zhvillojë Kina aktivitetet e saj në Ballkanin Perëndimor. BE-ja dhe NATO mund të bëjnë shumë në adresimin e këtyre sfidave përmes mbikëqyrjes së strukturuar, gjithpërfshirëse, dhe analizës së aktiviteteve kineze në rajon.
Kujdes boshllëkun zhvillimor
Boshllëku zhvillimor mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së nuk është brengë abstrakte por problem i prekshëm. Njejtë mund të thuhet edhe për ambivalencën e politikëbërësve perëndimorë ndaj rajonit. Përderisa ky hendek është shfaqur kryesisht për shkak të mangësive lokale në qeverisje, vonesat e vazhdueshme në procesin e hyrjes dhe mungesa e një harte realiste për bashkërendimin mes rajonit dhe BE-së, do të vazhdojë të krijojë hapje për aktorë të tretë. Kjo do të inkurajojë qeveritë e Ballkanit Perëndimor që të përvetësojnë një qasje transaksionale në politikën e jashtme, përmes së cilës kapin çdo mundësi ekonomike, pa marrë parasysh si ndikon kjo në integrimin në BE të ekonomive dhe shoqërive të rajonit.
Nga kjo pikëpamje, politikëbërja perëndimore në njëfarë mënyre i ka braktisur këto qeveri. BE, NATO, dhe shtetet e tyre anëtare duhet të identifikojnë fushat kyçe në të cilat mund të ofrojnë përkrahje dhe të ndërhyjnë për të zvogëluar këtë hendek. Për më tepër, ato duhet të mundohen ta kuptojnë këtë hendek, dhe ta integrojnë në veprimin politik në rajon.
Mbyll boshllëkun zhvillimor
Ndonëse politikëbërësit europianë kanë filluar të kenë më shumë vëmendje për Ballkanin Perëndimor, ende nuk kanë vendosur për një drejtim të qartë të veprimit gjeopolitik në rajon. Ata duket se janë indiferentë për këtë çështje, ende të bindur se koha është në anën e tyre. Ata duket se po hamenden a t’i mbledhin forcat dhe vullnetin e nevojshëm për ta integruar Ballkanin Perëndimor në aleancën euroatlantike, apo ta kthejnë rajonin në një zonë të re të ndërmjetme. Sidoqoftë, drejtimi i fundit mund të mos mjaftojë për të kthyer përmbys arritjet politike të rajonit, apo për të ndryshuar identitetin e tij kulturor.
Mosveprimi perëndimor, që me raste duket si moskokëçarje, do të vazhdojë të krijojë hapje për aktorët e jashtëm me qëllime strategjike. Bota perëndimore nuk është më e plotfuqishme në fatin e vet – në kuptimin që këta aktorë vazhdimisht ndikojnë mbi lojtarë, institucione, e strategji të tjera. Për ta mbyllur boshllëkun zhvillimor në Ballkanin Perëndimor, BE-ja do të duhet ta zbatojë planin e investimeve në fusha thelbësore si infrastruktura dhe energjia; të integrojë fuqishëm ekonomitë e rajonit në BE; të prioritizojë ligjet e BE-së në bisedimet për hyrje; dhe të dizajnojë rrjete të integrimit sektorial sikurse komuniteti energjetik.
Fito përkrahjen publike
Në një shekull ku balanci i fuqisë gjeopolitike po shkon kah lindja, ambivalenca e politikëbërësve europianë ndaj Ballkanit po i detyron shtetet e rajonit që të kërkojnë alternativa jashtë partnerëve europianë dhe amerikanë. Bashkëpunimi me aktorë të huaj si Kina duket sikur u ofron këtyre vendeve një të ardhme më të ndritshme. Si përgjigje ndaj kësaj, BE-ja duhet të përpiqet të fitojë përkrahjen publike në Ballkanin Perëndimor duke ndërtuar një sens të përbashkët të përkatësisë. Kjo mund të bëhet përmes nismave sikurse ato që rigjallërojnë dhe thellojnë bashkëpunimin akademik dhe kërkimor, asistencën kulturore, diplomacinë, dhe programet mediale me vendet në rajon.
***
Punimi origjinal mund të shkarkohet në European Council on Foreign Relations
***
Ky artikull mbështetet nga "Sbunker" përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.
17 shkurt 2021
19:21