17 shkurt 2021
19:10

Në përgjithësi, Kina po e shton gradualisht përfshirjen e saj në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor – edhe pse prej një baze të ulët. Hendeqet e vazhdueshme zhvillimore mes rajonit dhe BE-së s’kanë si mos të krijojnë mundësi të tjera për Pekinin në dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Sido që të jetë, terreni ekonomik i Kinës në Ballkanin Perëndimor mbetet relativisht i vogël, ku vendi përbën diku rreth 6 përqind të tregut rajonal. Megjithatë, Kina po e konsolidon praninë e saj në fushat kyçe të ekonomive kombëtare – në energji, infrastrukturë, dhe financa.
Ndonëse shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë borxhe të menaxhueshme, Kina përbën një pjesë të madhe të këtyre borxheve – gati 15 pëqind në Serbi dhe Bosnje, më shumë se 20 përqind në Maqedoninë e Veriut, dhe më shumë se 40 përqind në Mal të Zi. Ç’është e vërteta, Mali i zi tashmë është bërë shembull tipik i diplomacisë së kurthit të borxhit [debt-trap diplomacy], ku borxhet përbëjnë shifrën e dhimbshme të 80 përqind të BPV-së. Rëndësia strukturore e huave kineze në Mal të Zi do të bëhet e qartë në fund të këtij viti, kur vjen koha që vendi t’i paguajë ato. Pekini do të jetë në pozitën që të marrë vendime thelbësore për fatin financiar të vendit për shkak të katastrofës fiskale si pasojë e pandemisë covid-19.
Kina mund ta aplikojë këtë terren të ri në mënyra të ndryshme, duke marrë parasysh që Mali i Zi mund të jetë i obliguar kontraktualisht që ta dorëzojë kontrollin mbi asetet e rëndësishme strategjike. Gjithashtu, ajo mund të jetë në pozitë të ngjashme në vendet e tjera të rajonit. Qeveria shqiptare ka rinegociuar pjesërisht monopolin e fluturimeve ndërkombëtare të pronarit kinez të aeroportit të Tiranës, por gjatë procesit, ka zgjeruar kontratën e koncesionit të firmës duke e lejuar që të ketë rol në formimin e politikave kombëtare të transportit ajror. Në Bosnje, konzorciumi i udhëhequr nga China Gezhouba Group Company ka filluar zgjerimin madhor të termocentralit më të madh në vend që gjendet në Tuzlla.
Kina po e zgjeron praninë e saj ekonomike në fusha të ndryshme në Serbi, duke krijuar kështu mundësi të reja për të fituar terren. Kjo përpjekje po bëhet strukturalisht e rëndësishme përmes përfshirjes kineze në sektorë si energjia dhe infrastruktura. Një tjetër fushë është tregu i punës, përderisa pronarët kinezë blejnë ose investojnë në firma të mëdha sikurse konglomerati i çelikut Smederevë dhe fabrika e gomave Linlong (të cilat kanë rreth 5000 dhe 2000 punëtorë respektivisht). Për më tepër, Huawei është bërë lojëtar integral në sektorin serb të teknologjisë dhe inovacionit, veçanërisht në infrastrukturën digjitale dhe telekomunikacionin.
Ç’është më e rëndësishmja, përpjekja e Kinës për të ushtruar ndikim në Ballkanin Perëndimor është sa funksion i bashkëpunimit me lojtarë dhe rrjete kyçe ekonomikë në rajon – më së shpeshti përmes marrëdhënieve ndërqeveritare dhe kontratave të paqarta – sa edhe i huadhënies, investimit, dhe tregtisë. Tok, këto marrëdhënie mund të krijojnë varësi përmes së cilave Kina përfiton ndikim ad hoc dhe sistemik. Disa prej marrëveshjeve në zemër të marrëdhënieve përmbajnë kurthe të ndryshme juridiskionale dhe ligjore. Për shembull, aplikimi dhe arbitrazhi nën ligjin kinez ose mekanizmi i kompensimit mund të çojë te transferimi i pronës dhe aseteve tjera te Pekini.
Si e mbjell Kina ndikimin e saj në rajon
Kina ka ushtruar politikën e saj të hyrjes dhe angazhimit në Ballkanin Perëndimor kryesisht në nivelin ndërqeveritar, duke u përqendruar në aktorët e rangut të lartë në sistemet qeveritare kombëtare. Në orvatjet e saj ekonomike, Kina është përqendruar në projekte ambicioze, të shkallës së gjerë që shënjestrojnë thelbin e ekonomive të vendit. Megjithëkëtë, ka gjithnjë e më shumë dëshmi se Kina po ndërmerr një qasje shumë më të nuancuar dhe shumënivelëshe në rajon.
Një element i nënvlerësuar i strategjisë së Kinës në rajon është kokërrzimi i saj, që vërehet në orvatjet e Pekinit për të thurur ndikimin në strukturën e jetës institucionale dhe shoqërore. Shembuj ka me bollëk. Në Tiranë, arkivi shetëror i filmit pranoi një donacion të shumëpritur nga ambasada kineze të pajisjeve për kontrollin e temperaturës dhe të lagështisë, si pjesë e marrëveshjes dypalëshe të bashkëpunimit me arkivin kombëtar kinez të filmit. Pas përfshirjes nga flakët të agjencisë shtetërore të lajmeve në Shkup, ambasadori kinez thirri për të ofruar ndihmë të konsiderueshme financiare për rinovimin e objektit. Kori i fëmijëve i qytetit kinez Wuxi i dhuroi 42000 maska Sarajevës pasi i shkroi kryetarit të presidencës së Bosnjes dhe Hercegovinës. Përpjekjet e tilla i ndihmojnë Kinës të krijojë përmbajtje mediale pro Pekinit, të cilën ia ofron si aktorëve të nivelit të lartë ashtu dhe agjencive shtetërore të lajmeve dhe mediave shumë më të vogla.
Ka dëshmi se Kina po luan gjithnjë e më shumë rolin e ndërmjetësuesit në Europën juglindore përmes strukturave si Shoqata Kineze e Biznesit e Europës Juglindore, e cila ka vendosur marrëdhënie disi të patejdukshme me institucionet në rajon. Organizata të ngjashme angazhohen me mediat gjithandej Ballkanit Perëndimor, përfshirë ofrimin e përmbajtjes dhe avokimin për mbulim medial që e paraqet Kinën në sy të mirë. Për shembull, qendrat e BRI-së [Belt and Road Initiative] që janë shpërndarë gjithandej rajonit – edhe pse jo barabartë – po bëhen gradualisht qendra të kërkimit, bashkëpunimit akademik, prodhimit të përmbajtjes, dhe publicitetit e angazhimit medial. Gjithanshmëria e tyre u lejon që të operojnë në nivele të ndryshme të shoqërisë, ekonomisë dhe politikës, duke kapur vëmendjen e një sërë audiencash.
Si pjesë e qasjes së saj shumështresore, Kina është përqendruar pjesërisht në strukturat qendrore qeveritare. Ajo ka për cak qeverisjen lokale dhe institucionet administrative, duke kërkuar të shfrytëzojë formatet dypalëshe dhe shumëpalëshe, kryesisht bashkëpunimin 17+1. Për shembull, Tirana dhe Pekini janë binjakëzuar që prej vitit 2016, ndërkaq pesë qytete tjera në Shqipëri poashtu kanë zhvilluar lidhje të tilla. Një tjetër shembull është marrëdhënia lulëzuese mes Sarajevës dhe Shanghait, e dëshmuar nga donacioni i furnizimeve mjekësore gjatë fazës së hershme të pandemisë. Në mënyrë të dukshme, bashkëpunimi i tillë shtrihet përtej asaj që quhet “politikës së gjesteve” në projekte investimesh. Ka përputhshmëri të qartë mes hapave të Kinës për të zhvilluar marrëdhënie me qeveritë qendrore dhe lokale, dhe me institucionet e nivelit të lartë dhe njësive shumë të vogla sociale, kulturore dhe mediale. Ky angazhim i gjithanshëm mund të krijojë aleanca dhe rrjete nëpërmes një vargu të tërë institucionesh shtetërore dhe aktorësh joshtetërorë shoqërorë dhe ekonomikë.
Rrjetet e ndikimit
Rrjetet e marrëdhënieve personale dhe institucionale që e ngulisin ndikimin kinez në Ballkanin Perëndimor ende nuk duket se formojnë një tërësi plotësisht të integruar. Por, siç u tha, vendi po përdor qasjen shumëdrejtimëshe për të mbështetur ndërveprimet me komunitete dhe institucione të ndryshme. Një pjesë e këtij rrjeti janë linjat e shumta të kontaktit që përçohen përmes strukturave kineze dhe komunitetet lokale akademike e kërkimore. Kjo përfshin marrëveshjet e bashkëpunimit të Kinës me institucionet lokale; krijimin e programeve të reja akademike; shkëmbimet e rregullta të stafit; projektet e përbashkëta kërkimore; porositjen e analizave në sferat si ekonomia dhe politika në nivelet individuale dhe institucionale; themelimin e pozitave të reja akademike; dhe nisma të tjera.
Një tjetër rrjet kalon nga inistitucionet akademike e kërkimore kineze te mediat e ndryshme, duke ofruar mundësi për të legjitimuar informacionin dhe për ta paraqitur para publikut të gjerë. Për shembull, në Bosnje, një organizatë e përkrahur nga Kina, që udhëhiqet nga ish gazetarë e transmeton përmbajtjen e BRI-së në media lokale.
Megjithatë, shumica dërrmuese e bashkëpunimit Kinë-Ballkan Perëndimor përfshin institucionet shtetërore. Kjo mund të shihet në prodhimin e sinkronizuar të përmbajtjes rreth projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme, të cilat i paraqesin si reciprokisht të dobishme. Përmbajtja e tillë karakterizohet nga përfaqësimi pozitiv i Kinës dhe informata shpesh jo të plota mbi nismat për të cilat bëhet fjalë. Si pjesë e kësaj, qeveritë e Ballkanit Perëndimor kanë ndërhyrë në organizatat mediale për t’i parandaluar që të shpalosin informata problematike para publikut. Praktikat e tilla shpjegojnë keqperceptimet e përhapura rreth meritave të huave dhe investimeve kineze.
Ndërkaq, lidhja mes prodhuesve kinezë të përmbajtjes dhe organizatave lokale mediale po bëhet më e fortë përmes mekanizmave të ndryshme. Një prej tyre është marrëveshja e gjerë mes entiteve si Xinhua dhe agjencisë shtetërore të lajmeve, të cilat furnizojnë përmbajtje në lidhje me Kinën nëpër rajon. Një tjetër është përmbajtja që prodhojnë ambasadat kineze dhe ndërmjetësuesit pro Pekinit, sikurse qendrat e BRI-së, për të promovuar projektet dhe të cilat transmetohen në publik përmes një sërë kanalesh mediale. Një tjetër është përmbajtja e marrëveshjeve mes Radios Ndërkombëtare të Kinës dhe organizatave të mëdha mediale në Ballkanin Perëndimor.
Rrjete të tilla, të cilat kanë funksione të ndryshme në rajon, po rriten në numër. Për shembull, në Bosnje, tashmë ekziston një shkallë domethënëse e koordinimit mes aktorëve të ndryshëm që kanë lidhje me Kinën – Institituti i Konfucit, qendra e BRI-së, akademikë, dhe gazetarë. Kjo ilustron fleksibilitetin e këtyre marrëveshjeve dhe dinamikën e krijuar nga kornizat e bollshme dypalëshe dhe shumëpalëshe, të cilat duket se Kina ka vite që i kultivon me kujdes. Përderisa përpjekjet e vendit në këto fusha gjenerojnë shtysa të ndryshme për aktorët lokalë, ato po marrin vrull në çfarë mund të dëshmohet si mënyrë e vetëqendrueshme.
Një ekosistem interesash të përbashkëta
Ndërveprimet e Kinës me individë dhe institucione në Ballkanin Perëndimor duket se janë dizajnuar për të krijuar një ekosistem interesash të përbashkëta. Ç’është më e rëndësishmja, ky tip angazhimi shkon përtej zatetjeve ad hoc, ka synime të qarta afatgjate, dhe po bëhet tipar i diskursit publik dhe ambientit politik në rajon.
Ekosistemi përbëhet nga tri pjesë. E para ka të bëjë me kontaktet dhe marrëdhëniet e trashëguara, shumë prej të cilave datojnë që në luftën e ftohtë. Në disa raste, këto rrjete janë shprehimisht të lidhura me kujtesën e venitur të komunizmit europian. Në raste të tjera, Kina thjesht ka dëshirë të bashkëpunojë, me aktorë lokalë të qendrës së majtë. Ndërveprimet e tilla mund të duken se nënkuptojnë një shkallë të afërsisë ideologjike mes partive, por kjo afërsi funksionon si hapje e përshtatshme më shumë sesa domosdoshmëri.
Pjesa e dytë e ekosistemit përbëhet nga partneritetet institucionale aleancat e shtrira përgjatë një shumësie strukturash shtetërore. Ky angazhim përfshin një sërë formatesh, aktivitetesh, dhe projektesh bashkëpunimi dypalësh dhe shumëpalësh. Me zhvillimin e këtyre nismave, një numër në rritje aktorësh po angazhohen me to. Kjo aftësi për të tërhequr një varg aktorësh shpjegon pse përpjekjet për bashkëpunim administrativ dhe institucional të Kinës përqendrohen në ministritë, agjencitë, qeveritë lokale e rajonale, dhe ndërmarrjet shtetëore, veçanërisht ato që merren me insfrastrukturë, energji, dhe ekonomi. Angazhimi i tillë është kryesisht transaksional dhe shpesh rrjedh nga aranzhimet zyrtare sikurse marrëveshjet tregtare dhe të investimeve, por mund të shpërndahet edhe në përkushtime dhe vepra të rregullta e ekspansive – sikurse vihet re në bashkëpunimin e vazhdueshëm të Kinës me zyrtarë dhe politikanë të rangut të lartë pas përfundimit të mandateve. Për shembull, ish presidenti serb Tomislav Nikolic është emëruar president nderi i Shoqatës Ekonomike Kinë-Serbi.
Pjesa e tretë e ekosistemit ka potencial për rritje të konsiderueshme në vitet e ardhshme. Ky është një rrjet disi fluid i aktorëve të rinj, të cilat kanë interes të shtuar për angazhim me Kinën. Aty ka studentë të cilët janë kthyer në Ballkanin Perëndimor nga Kina dhe po fillojnë karrierat; anëtarë të diasporës kineze; të vetëpunësuar; pronarë e menaxherë të mediave private; dhe sipërmarrës që kërkojnë mundësi biznesi në vend. Këta aktorë janë shpesh të vetorganizuar, por me raste pranojnë mbështetje nga institucionet kineze. Angazhimi i tillë me Kinën është kryesisht i pandikuar nga ndryshimet në ndërveprimet ndërshtetërore që, për shembull, mund të vijnë si pasojë e negociatave për hyrje në BE.
Siç u tha, përfshirja e Kinës në Ballkanin Perëndimor duket se ka gjithnjë e më shumë dinamikë vetëfuqizuese. Angazhimi i aktorëve lokalë me vendin tash po piqet bazuar në një strukturë të qartë të shtysave të ndryshme e të llojllojshme, të lidhura me statusin, mundësitë e punësimit, dhe të përfitimeve materiale. Këto shtysa rrjedhin pjesërisht nga ndërveprimet e drejtpërdrejta me institucionet, organizatat, dhe firmat kineze. Megjithatë, shumë prej tyre janë më të shpërndara dhe abstrakte, të bazuara në perceptime rreth asaj sesi zhvillimi i Kinës krijon mundësi për bashkëpunim dhe rritje. Për shembull, motivet e tilla janë mjaft të përhapura mes ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Ballkanin Perëndimor, të cilat i mësyjnë panairëve të tregut për këtë qëllim.
Përgjegjësitë e pushtetit
Zgjerimi i rrjetëve të Kinës në Ballkanin Perëndimor po ndikon gradualisht në politikat, praktikat dhe zhvillimet në shoqëritë e rajonit. Vendi po përfshihet në çështjet e brendshme të disa vendeve, për sa kohë që nismat e tyre fillojnë të sjellin fryte. Siç do të shohim në vitet në vazhdim, vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të angazhohen pashmangshëm me Kinën në një sërë fushash. Kjo nuk është asgjë e re për Kinën, e cila ka krijuar dinamikë të ngjashme në rajonet si Azia juglindore, Azia jugore, dhe Afrika.
Prapëseprapë, shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të jenë ndër të parat vende europiane që të përballen me dilemat e varësisë së thellë ndaj Kinës. Një dilemë e tillë është shlyerja e borxhit që Mali i Zi i ka Kinës për ndërtimin e aksit të parë të autostradës Bar-Boljare. Shlyerja e borxhit duhet të fillojë në verën e 2021. Kjo koincidon me periudhën e vështirësive të mëdha financiare për vendin, i cili është nën presion për shkak të rënies së turizmit dhe rënies së përgjithshme ekonomike të shkaktuar nga pandemia. Pozita e dobësisë në të cilën gjendet Mali i Zi i jep mundësi Kinës që të fitojë terren – terren i cili mund të ketë pasoja të jashtëzakonshme afatgjate politike, ekonomike, dhe sociale.
Shembuj të ngjashëm të varësisë së tillë nga Kina, edhe pse në masë më të vogël, po shfaqen gjithandej rajonit. Një rast i tillë ka të bëjë me protesta të vazhdueshme dhe gjithnjë me të dukshme në qytetet serbe të Smederevës dhe Borit, të cilat u motivuan nga problemet ambientale të lidhura me firmat kineze. Deri më tash, ndikimi i demonstratave është amortizuar nga një përzierje e ndërhyrjeve zyrtare për të reduktuar mbulimin medial, disa veprime riparuese nga pronarët e firmave, dhe nga përpjekjet e institucioneve të shtetit që të nxisë firmat për të bërë përmirësime.
Në këtë realitet të ri, Pekini ka mënyra të ndryshme për të menaxhuar këto ndërlikime dhe për të shfrytëzuar terrenin e fituar në vendet e Ballkanit Perëndimor. Njëra prej tyre të duket sikur është e gjendshme, siç ka bërë me shtete të ndryshme që kanë pasur vështirësi të paguajnë borxhe. Në këtë mënyrë, Pekini mund të bëjë një sërë kërkesash politike e financiare prapa dyerve të mbyllura. Mundësia e dytë është shfrytëzimi i rrjeteve të bashkëpunimit për të minimizuar reagimet negative ndaj aktiviteteve të tyre. E treta ka të bëjë me tërheqjet taktike që i lejon të mbajë shpejtësinë, kohë, dhe fushëveprimin e planeve të saj për të depërtuar në ekonominë e një vendi (siç u tha, ka dëshmi të kësaj qasjeje të Kinës në Serbi). Alternativë tjetër është qasja më agresive, në përpjekje për të zënë ngusht qeveritë dhe për të rritur presionin për bashkëpunim.
Të gjitha këto qasje bëhen më të lehta përmes ndikimit kinez në mediat rajonale, të cilat e ndihmojnë vendin që të pranojë mbulim më të madh – e shpesh më miqësor – medial. Në tërësi, ka gjithnjë e më shumë presion që Kina të menaxhojë problemet e krijuara nga pesha e saj ekonomike dhe politike në Ballkanin Perëndimor. Ditët kur vendi mund të rrijë në prapaskenë kanë marrë fund.
***
Ky artikull mbështetet nga "Sbunker" përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.
17 shkurt 2021
19:10