Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Politikanë e media serbe vazhdojnë narracionin anti-NATO

Translated article.

Gjatë raportimit për përvjetorin e intervenimit të NATO-s, ashtu sikurse vitet e kaluara, politikanë dhe disa media serbe u shërbyen me të dhëna të shtrembëruara, për ta akuzuar NATO-n për “agresion” mbi ish-Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) më 1999. Pas refuzimit të Slobodan Millosheviqit që ta ndalë agresionin mbi Kosovën dhe shterimit të të gjitha mjeteve diplomatike për ta zgjedhur paqësisht çështjen e Kosovës, më 24 mars 1999 NATO-ja nisi fushatën e bombardimeve mbi caqet ushtarake jugosllave, e cila në të drejtën ndërkombëtare u cilësua si ndërhyrje humanitare.

Në përvjetorin e 24 të bombardimeve, mediat serbe publikuan analiza e lajme të shumta që ushqejnë narracionin se ai ka qenë “agresion” mbi një shtet të pavarur. Kësisoj, është manipuluar edhe me numrin e viktimave civile si pasojë e bombardimeve. Sipas një raportimi të Kosovo Online, që është shërbyer me të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, “janë vrarë 2500 civilë, mesin e tyre 89 fëmijë dhe 1031 pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë“.

Gjithashtu, ish-diplomatë e ushtarakë serbë të cilët kanë mbajtur pozita politike e ushtarake nën pushtetin e Millosheviqit, kanë folur me tone negative kundër NATO-s.

Diplomati dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme i RSFJ-së Vlladisllav Jovanoviq, tha se pasojat e  intervenimit të ‘99-ës, janë të përhershme dhe se “agresioni po vazhdon, por me mjete të tjera“.

Ndërkaq ish-gjenerali i policisë dhe ushtrisë jugosllave Vlladimir Llazareviq në deklarimin e tij për ndërhyrjen e NATO-s ka krahasuar potencialin e ushtrisë serbe me periudhën e intervenimit të NATO-s. Ushtria serbe në vitin 2023 është shumë më e pajisur se sa ishte atëherë, veçanërisht kur bëhet fjalë për sistemet kundërajrore dhe kur aviacionin”, tha ai. Kujtojmë se Llazareviqi është dënuar për krime lufte në Kosovë, për ndihmë dhe nxitje të dëbimit dhe transferimit të dhunshëm të popullatës etnike shqiptare të Kosovës, për të cilat u dënua me 14 vjet burgim. Deklarimet të tilla dëshmojnë se kriminelet e dënuar të luftës vazhdojnë të paraqiten rregullisht në mediat serbe.

E zyrtarë tjerë serb janë shërbyer edhe me fotografi të rrejshme nga shtetet tjera për ta akuzuar NATO-n. Kryetari i Partisë së Popullit, Vuk Jeremiq, ka postuar në Twitter një fotografi duke pretenduar se ajo është e realizuar gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s. Mirëpo, në bazë të kërkimeve në internet del se ajo është realizuar në Bagdad, në vitin 2003.  Ish-ministri i Punëve të Jashtme ka bërë thirrje që të mos falet asnjëherë NATO-ja për bombardimet teksa i ka ndërlidhur zhvillimet e atëhershme me dialogun e tashëm Kosovë-Serbi.

“Forma e fundit në të cilën na kërkohet pëlqimi është i ashtuquajturi ‘plani franko-gjerman’. Pranimi i tij do të nënkuptonte legjitimimin e agresionit në vitin 1999, si dhe heqjen dorë vullnetare dhe të përhershme nga Kosova”, është shprehur Jeremiq.

Të dhënat e organizatave ndërkombëtare demantojnë pretendimet e serbëve

Organizatat e besueshme ndërkombëtare që kanë mbledhur të dhënat lidhur me pasojat e bombardimeve, e thonë të kundërtën e pretendimeve që vijnë nga Serbia.

Sipas Human Rights Watch, numri i konfirmuar i vdekjeve është dukshëm më i vogël sesa ato që u janë paraqitur opinionit serb.

Raportet e viktimave ndryshojnë, por përkojnë në vlerësimin e një numri të vdekjeve prej të paktën 1.200 deri në 5000 civilë […]Në fund të fundit, ky është më shumë se dyfishi i numrit të vdekjeve civile prej rreth 500 që Human Rights Watch ka mundur të verifikojë”, thuhet në raportKurse Natasa Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë se, “sipas të dhënave që kanë grumbulluar,  nga bombardimet janë vrarë 756 njerëz”.

Shterimi i mjeteve diplomatike

Pavarësisht pretendimeve të serbëve, diplomatë perëndimorë të cilët i njohin zhvillimet rreth Ballkanit qysh prej viteve 90-ta kanë shpjeguar arsyet që çuan në bombardimin e ish-RSFJ-së. Kësisoj, Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher R.Hill ka theksuar se gjatë karrierës së tij ka mësuar që ndonjëherë diplomacia dështon, “dhe kur kjo ndodh, rezultatet mund të jenë tragjike”. Megjithëkëtë, ai ka shprehur ngushëllime për familjet e atyre që humbën jetën në atë periudhë, si rezultat i fushatës ajrore të NATO-s.

Unë shpreh ngushëllimet e mia personale për familjet e atyre që humbën jetën gjatë luftërave të viteve 1990. E di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë”, ka shtuar Hill. Ndaj këtij postimi të Hillit ka reaguar profesori amerikan Edward Joseph, duke thënë se këto lloj ngushëllime ndikojnë në rritjen e viktimizimit te serbët dhe rusët. Ndërkaq Donjeta Miftari, këshilltare e presidentes, Vjosa Osmani ka kritikuar Hillin se ka vendosur të rishkruaj historinë. Sipas saj, ndërhyrja e NATO-s nuk erdhi si rezultat i ”dështimit të diplomacisë” dhe Serbia me të vërtetë nuk duhet ta harrojë atë, “pikërisht sepse ndodhi si përgjigje ndaj veprimeve të një regjimi brutal dhe gjenocidal”.

Konferenca e Rambujesë, pika e kthesës

Bombardimit të Serbisë i parapriu një proces i gjatë diplomatik në përpjekjen për ta stopuar agresionin e Serbisë me mjete paqësore, që kulmuan me negociatat e Parisit.

Nga 6 deri 23 shkurt të vitit  1999, u mbajt Konferenca e Rambujesë dhe pas refuzimit të nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e Millosheviqit, nisi fushata e bombardimeve që zgjati 78 ditë. Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, Serbia kreu masakrat më të mëdha në Kosovë si ajo e IzbicësRezalles etj. Përfundimisht Serbia, u detyrua të tërhiqej nga Kosova me 9 qershor 1999 pas  Marrëveshjes së Kumanovës, në të cilën Serbia pranoj kapitullimin duke mundësuar hyrjen e KFOR-it në Kosovë.

Pavarësisht viktimizimit të cilin e shpërfaq Serbia, ajo e njeh rolin dhe rëndësinë që ka NATO në sigurinë rajonale, veçanërisht në mbrojtjen e komunitetit serb në Kosovë, marrë  parasysh faktin se KFOR-i është garantuesi kryesor i sigurisë së tyre.

Për më tepër, Serbia ka bashkëpunim me perëndimin edhe në sferën ushtarake. Kësisoj, fqinji verior iu bashkua Programit të Partneritetit për Paqe (PfP) në dhjetor 2006. Si pjesëmarrëse në Partneritetin për Paqe, Serbia zotohet për bashkëpunim dhe aktivitete të përbashkëta me NATO-n, të cilat zhvillohen në kuadër të  “Grupit të Reformës së Mbrojtjes së NATO-s”, si dhe përmes “Procesit të Planifikimit dhe Rishikimit – (PARP), i cili synon të promovojë reformat e strukturës së mbrojtjes dhe të mbështesë arritjen e operacioneve më të larta ndërkombëtare.

Gjithsesi, 24 vjet pas akuzave rreth bombardimeve, KFOR edhe në perceptimin e qytetarëve të Kosovës vazhdon të jetë forca më e besueshme ushtarake e cila nuk kontestohet nga shqiptarët, as nga serbët.

*Përgatiti: Ridona Berisha

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Opinion

Samiti Ukrainë-Europë Juglindore, i cili u mbajt më 28 shkurt në Tiranë, i vijuar një ditë më vonë nga Samiti Ballkan Perëndimor-BE, mund të...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.