Titull çorientues që nuk përputhet me përmbajtjen

15 janar 2023 10:34

Faqja në Facebook “Lexo sot” më 1 janar të këtij viti ka publikuar një lajm me titull: “E FUNDIT/ Kurti më në fund tregon për marrëveshjen e fshehtë me Serbinë ku tregoi se..”

Image

Por kur klikohet në artikull shfaqet një faqe tjetër - neqs308media.com ku shihet pjesa e shkëputur nga një intervistë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për KosovaPress. Aty, Kurti e mohon se ka ndonjë marrëveshje të fshehtë me Serbinë.

Image

Lajmi është publikuar nën dritën e zhvillimeve në veriun e Kosovës, ku për disa javë rrugët që shpiejnë drejt pikave kufitare në Jarinje e Bërnjak u bllokuan me mjete të rënda nga protestuesit serbë.

Në intervistë, Kurti e ka sqaruar se nuk ka pasur asnjë marrëveshje të fshehtë me Serbinë për largimin e barrikadave. Sipas tij, garancia e vetme që u ka dhënë ndërkombëtarëve është se s’ka lista për arrestimin e serbëve në veri. Që prej dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës pas vendimit të qeverisë për konvertimin e targave ilegale në RKS, politikanët serb pretendonin se qeveria ka përpiluar edhe lista për arrestimin dhe eleminimin e serbëve.

Përveç kryeministrit këto pretendime janë mohuar edhe nga organet e sigurisë në Kosovë.

15 janar 2023
10:34

Disinfo