Demantohen mediet e politikanë serbë për kinse arrestime e planifikim të vrasjes së serbëve

21 dhjetor 2022 15:09

Politikanë të Listës Serbe dhe media në gjuhën serbe kanë vazhduar të shpërndajnë informata duke ngritur pretendime për kinse arrestime të ish policëve dhe planifikim të vrasjes së serbëve që janë duke qëndruar në barrikada.

“Një tjetër serb, ish-polic, është arrestuar sot në Mitrovicën e Veriut”- është titulli i lajmit të medias në gjuhën serbe, Kosovo Online i publikuar më 16 dhjetor. Aty pretendohet për një aksion tjetër të Policisë së Kosovës (PK), për kinse arrestimin e një ish pjesëtari të saj, i cili kishte dhënë dorëheqje krahas serbëve tjerë që braktisën PK-në, pas vendimit të qeverisë për konvertimin e targave ilegale në RKS. Në përmbajtje të këtij lajmi thuhet se, sipas informacioneve të tyre, bëhet fjalë për Zoran Mihajloviq, “por për momentin nuk dihet se për çfarë akuzohet ai”.

Image

Lidhur më këtë lajm, ka reaguar Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili ka mohuar arrestimin e ish-policit, Zoran Mihajloviq.

 “’Lajmet’ e porositura se kinse Policia e Kosovës ka lista mbi të cilat po arreston ish-policët, si pjesë e orkestruar e fushatës dezinformuese, po përdoren si mjete për të arsyetuar pretendimet e hapura territoriale të Serbisë, barrikadat dhe për të frikësuar qytetarët tanë serb”, thuhet në reagimin e Sveçlas.

Ai tutje ka shtuar se Policia e Kosovës do të zbatojë urdhrat e organeve të drejtësisë dhe do të vazhdojë të jetë vigjilente në ruajtjen e sigurisë publike dhe luftimin e krimit në çdo kohë.

Lajmin e mediave serbe e ka demantuar edhe PK-ja.

“Spekulimet e radhës nga mediumet serbe janë se kinse Policia e Kosovës edhe sot ka arrestuar një person (ish policin Z.M,) në Mitrovicë Veri”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Në përpjekje për t’i demantuar dezinformatat dhe kohën kur bllokadat vazhdojnë të pengojnë lëvizjen e lirë në veri, Policia e Kosovës ka shpeshtuar reagimet ndaj lajmeve që kryesisht burimin e kanë nga Serbia. Sipas PK-së, mediat serbe, në forma të ndryshme e përmes spekulimeve dhe informatave jo zyrtare po tentojnë të destabilizojnë edhe më tej situatën duke keqinformuar opinionin.

Akuza e Rakiqit se Kurti po dëshiron vrasjen e serbëve

Tensioneve në veri janë duke i fryrë edhe politikanë serb të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në barrikadat që u vendosën në fillim të dhjetorit. Kësisoj, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq duke marrë shkas nga një deklaratë e kryeministrit Kurti, e ka akuzuar atë se ka për qëllim vrasjen e serbëve. Ish-ministri për komunitete dhe kthim, deklarimin e ka bërë përmes një videoje të realizuar pranë njërës prej barrikadave, e cila është shpërndarë edhe në mediat lokale në gjuhën serbe.

“Deklarata e fundit e Albin Kurtit tejkaloi çdo masë. Kurti haptas sugjeron vrasjen e serbëve në barrikada, sepse sipas tij, barrikadat nuk mund t'i heq në asnjë mënyrë tjetër. Ai po bën thirrje për vrasjen e nënave tona, motrave tona, punëtorëve, mjekëve dhe profesorëve tanë që luftojnë ditë e natë dhe në mënyrë paqësore kundër terrorit të tij. Fatkeqësisht, ky kërcënim shkon pa përgjigje nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, gjë që është e papranueshme”, ka thënë Rakiq.

Sipas tij, “receta” për heqjen e barrikadave është lirimi i serbëve të arrestuar, tërheqja e të gjitha njësive të Policisë nga veriu i Kosovës dhe, siç pretendon Rakiq, “heqja e të gjitha listave sekrete për vrasjen e serbëve”.

Image

Por shefi i ekzekutivit, Kurti në deklaratën dhënë mediumit britanik “The Guardian”, nuk përmend vrasjen e serbëve, por pasojat që do të shkaktoheshin nga largimi me dhunë i barrikadave.

Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk mund t’i përjashtojë viktimat. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t'u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri. Megjithatë, këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë nuk mund ta lejojmë përjetë. Pra, po, kjo duhet të marrë fund, sa më shpejt aq më mirë”, ka deklaruar Kurti.

“BE-ja dhe SHBA-ja, të gjithë bien dakord se barrikadat duhet të hiqen. Por ata janë gjithashtu të shqetësuar se kjo mund të përdoret dhe abuzohet nga Beogradi”, ka shtuar ai.

Image

Deri tash ka munguar një aksion i policisë për largimin e barrikadave megjithëse Kurti e Sveçla në disa raste e kanë përsëritur se kanë kapacitete që ta bëjnë këtë. Në njërën prej konferencave të fundit, Kurti tha se për situatën në veri janë në koordinim të plotë me KFOR-in. Sipas tij, forca e cila vepron në bazë të rezolutës 1244, ka kërkuar më shumë kohë për ndërhyrje në largimin e barrikadave. Pas zhvillimeve të fundit në veri, KFOR-i e ka shtuar prezencën por që deri tash nuk ka ndërmarrë veprime për heqjen e pengesave.

21 dhjetor 2022
15:09

Disinfo