Vuçiq dezinformon për krijimin e një ‘task force anti-serbe’ nga Kurti

11 gusht 2022 14:43

Zyrtarët serbë kanë dezinformuar lidhur me shkaqet e arrestimit të Dejan Spahiqit nga Policia e Kosovës duke thënë se ai nuk kishte probleme me ligjin dhe se vetëm po transportonte barna në Rudare të Zveçanit. Gjatë një interviste për televizonin publik serb- RTS, presidenti Vuçiq deklaroi se drejtuesi i autoambulancës nuk është arrestuar nga njësitet ROSU, por të ashtuquajturat Agjenci Speciale të Inteligjencës. Ai ka spekuluar duke thënë se kjo forcë është krijuar dhe drejtohet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Image

“Kanë kapur një serb i cili transportonte ilaçe, që nuk ishte fajtor. Do të thonë se ai është fajtor se ishte në një demonstratë afër barrikadave. Epo, të gjithë serbët janë në barrikada sepse po luftojnë, se nuk mendojnë se Kosova është shtet i pavarur dhe pastaj Kurti para QUINT-it thotë se do të luftojë kundër mafias dhe krimit. Të gjithë serbët janë mafiozë përveç atyre që thonë se Kosova është e pavarur”, ka thënë Vuçiq. Kjo deklaratë është shpërndarë edhe nga Kosovo-online që lexohet në veriun e populluar me shumicë serbe.

Ndërkaq, vartësi i tij, drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë Petkoviq, ka shpifur  duke thënë se shoferi Dejan Spahiq është maltretuar për disa orë nga PK-ja.

Image

“Pas më shumë se shtatë orësh keqtrajtimi dhe mbijetese nga @albinkurti, Policia e Kosovës dhe njësitë speciale, pak më parë u lirua shoferi i ambulancës Dejan Spahiq! Sapo mora vesh nga ai se po mbahet mirë, pavarësisht gjithçkaje që ka kaluar. Beogradi ia ka angazhuar një avokat dhe të gjithë mbështetjen e nevojshme, e cila në fund, së bashku me përpjekjet e presidentit @avucic, rezultoi me lirimin e tij në shtëpi”, ka shkruar Petkoviq, deklarata e të cilit po ashtu është shpërndarë nga Kosovo-online.

Këto deklarata janë demantuar nga PK-ja, e cila ka sqaruar rrethanat e arrestimit të shoferit të ambulancës. PK-ja ka konfirmuar se arrestimi është realizuar në përpjekje të luftimit të kontradandës në veri, e jo ndonjë task force tjetër për të cilën spekuloi Vuçiqi.

“Drejtuesi i automjetit, nuk posedonte dokumente për prejardhjen e produkteve medicinale, andaj ekziston dyshim i bazuar se ato kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale, pra janë kontrabanduar duke i ikur obligimeve doganore”, thuhet në komunikatën e PK-së.

Policia ka njoftuar prokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe rasti në koordinim me të është duke u trajtuar nga organet e hetuesisë.

Sipas Policisë, qarkullimi i informacioneve të pavërteta ka për qëllim dezinformimin dhe krijimin e pasigurisë tek qytetarët.

“Njëkohësisht, përmes këtij informacioni zyrtar demanton informatat e ndryshme, të rreme të cilat po qarkullojnë se kinse Policia e Kosovës, në veri të Mitrovicës po ndalon dhe maltreton qytetarët, gjatë ushtrimit të detyrave policore. Ftojmë qytetarët që të mos bien pre e informacioneve të tilla të pasakta”, thotë komunikata e PK-së.

Serbia ndërmori një fushatë të egër dezinformimi në prag të fillimit të zbatimit të vendimit për reciprocitet në targa dhe letërnjoftime. Për pasojë, më 31 korrik për disa orë dhjetëra qytetarë serbë me makina të rënda bllokuan rrugët që shpiejnë drejt pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak. Pas kërkesës së ambasadorit të SHBA-së Jeffrey Hovenier, qeveria e shtyu zbatimin e vendimit për 30 ditë.

Beogradi dezinformoi se sipas vendimit të qeverisë së Kosovës, letërnjoftimet e serbëve do të konfiskoheshin në kufi. Por me vendim të qeverisë, atyre që kanë dokumente të identifikimit të Serbisë veçse do t’u shtohet një dokument në pikëkalimet kufitare, praktikë kjo të cilën Serbia e aplikon me shtetasit e Kosovës për më shumë se një dekadë.

11 gusht 2022
14:43

Disinfo