Fushata dezinformuese e Serbisë për aplikimin e reciprocitetit rikthen bllokadat në veri

03 gusht 2022 15:27

Zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e reciprocitetit në targa dhe letërnjoftime riktheu bllokadat në pikat kufitare drejt Jarinjes dhe Bërnjakut. Situata u përshkallëzua disa orë para se të hynte në fuqi vendimi i nxjerrë më 29 qershor 2022, ku serbët vendosën mjete të rënda transportuese në rrugët kryesore që shpiejnë drejt pikëkalimeve kufitare me Serbinë. Pati edhe të shtëna me armë ndaj kordonit të Policisë së Kosovës (PK) por sipas autoriteteve nuk u qëllua asnjëri prej tyre. Megjithëkëtë, sipas Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, nga zhvillimet të dielën janë lënduar 11 qytetarë dhe janë dëmtuar disa vetura të qytetarëve dhe të PK-së.

Në anën tjetër, zyrtarët serbë nëpërmjet Listës Serbe si rëndom dramatizuan me situatën duke e cilësuar vendimin e qeverisë si sulm e presion mbi popullatën serbe, derisa përmendën edhe luftën në emër të vetëmbrojtjes. Bllokadat u paraprinë nga një fushatë dezinformuese dhe propagandë e egër ndaj qytetarëve serbë duke thënë se Qeveria e Kosovës po synon që serbëve t’ua marrë dokumentet e identifikimit për t’ua pamundësuar jetesën në Kosovë. 

Presidenti Aleksandër Vuçiq mblodhi Këshillin e Sigurisë të dielën dhe tha se serbët “janë mbështetur për muri”, teksa tërhoqi paralele me periudhën e Sllobodan Millosheviqit. 

“Unë kërkoj nga shqiptarët që të mos mendojnë se do të mund të bëjnë krime kundër serbëve dhe se do të mund ta poshtërojnë Serbinë dhe popullin serb. Nëse mendojnë kështu, ju informoj se kjo nuk do të ndodhë. Serbia nuk provokon dhe nuk dëshiron konflikte, por nuk është një vend që do të mund ta fitoni lehtësisht si në kohën e Sllobodan Millosheviqit dhe Boris Tadiqit”, ka thënë Vuçiqi, deklarata e të cilit është shpërndarë edhe nga mediat serbe që kanë shtrirje në veri. 

Image

Nuk është aspak e habitshme që në çdo deklarim dhe fushatë dezinformimi të zyrtarëve serbë në lidhje me Kosovën në mënyrë thuajse të menjëhershme kemi edhe pozicionimin e zyrtarëve të Federatës Ruse. Kështu zëdhënësja e MPJ-së e Rusisë, Maria Zakharova shkroi në Twitter : “Vendimi i ‘autoriteteve’ në Prishtinë për të filluar aplikimin e “rregullave” të pajustifikuara për rilëshimin e detyrueshëm të dokumenteve personale dhe targave për serbët vendas nga 1 gushti është një hap tjetër drejt dëbimit të serbëve nga Kosova”. 

Pavarësisht kërkesës së fuqive perëndimore, Serbia është ndër shtetet e pakta në Evropë që refuzon t’i vë sanksione Rusisë pas agresionit mbi Ukrainën. 

Image

Tensionimi i situatës në veri aktivizoi ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë Jeffrey Hovenier, i cili të dielën në mbrëmje takoi kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe Ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla. Pas takimit, përmes një deklarate për media ambasadori amerikan tha se u ka kërkuar liderëve që ta shtyjnë për 30 ditë zbatimin e vendimit në letërnjoftime. Mbështetur në kërkesën e tij, pak para mesnate kur do të hyntë në fuqi vendimi, qeveria njoftoi për shtyrjen e tij, me kusht që barrikadat të largohen nga rrugët. 

Kryeministri Kurti në një konferencë të përbashkët me Ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla veçoi fushatën dezinformuese të Serbisë si faktor që nxiti rezistencën karshi vendimit të qeverisë. 

“Qytetarët e përkatësisë kombëtare serbe në Kosovë kanë qenë të bombarduar prej lajmeve të rreme nga Serbia se si në Kosovë po përgatitet diçka që kur nuk e quanin ‘Olluja’ e quanin ‘Ferr’. Pra qyetarët serbë i janë nënshtruar një fushate të egër dezinformuese. Kjo ka qenë brenga e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian dhe ne e kuptojmë”, tha Kurti. 

Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet fakti që për më shumë se nje dekadë, qeveria e Serbisë e bën të njëjtën gjë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Pra, çdo qytetar i Kosovës për të kaluar kufirin me Serbinë, i duhet të pajiset me një dokument të lëshuar nga shteti serb.

Image

Vendimi për largimin e targave ilegale, si dhe reciprociteti në letërnjoftime, u mor pas dështimit për arritjen e një marrëveshjeje të përhershme për targat në Bruksel. 

Vendimi i obligon qytetarët serbë t’i kthejnë targat ilegale të Serbisë në RKS, si dhe vendos reciprocitet për hyrje të shtetasve të Serbisë në Kosovë.

Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, duhet të pajiset në pikëkalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.

Ashtu sikurse në tetorin e 2021-ës kur një aksion i Policisë së Kosovës për luftimin e kontrabandës hasi në rezistencë të serbëve, edhe tash veprimet e qeverisë për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri, Beogradi zyrtar i ka interpretuar si presion mbi popullatën serbe në Kosovë. Autoritetet e vendit e kanë konfirmuar disa herë se serbët lokalë vazhdojnë të manipulohen nëpërmjet strukturave paralale, të fuqizuara nga Serbia në veri, pavarësisht marrëveshjeve të Brukselit për shuarjen e tyre. Prezencën e tyre e ka konfirmuar edhe Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson procesin e dialogut Kosovë-Serbi. 

03 gusht 2022
15:27

Disinfo