Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking Articles

Alarmet e rrejshme të Presidentit Vuçiq për serbët e Kosovës

Zyrtarët serbë i janë rikthyer diskursit luftënxitës pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që është mbajtur më 29 qershor, i cili obligon qytetarët serbë t’i kthejnë targat ilegale të Serbisë në RKS. Gjatë mbledhjes së Qeverisë u morr vendimi që qytetarët që kanë targa të lëshuara ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ apo ‘ĐA’, nga 10 qershori 1999 deri më 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka vendosur reciprocitet për hyrje të shtetasve të Serbisë në Kosovë.

“Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Sipas këtij vendimi regjistrimi do të fillojë në fillim të gushtit dhe do të zgjasë deri më 31 shtator.

Një masë të tillë e aplikon edhe Serbia për shtetasit e Kosovës. Megjithatë, pas këtij vendimi Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar lidhur me targat për serbët që jetojnë në veri të Kosovës, duke pretenduar se qëllimi i vendimit të Kosovës është “të dëbojë serbët’’ dhe të shkaktojë një “stuhi” të re ndaj popullit serb, duke krahasuar aksionin e ushtrisë kroate në 1995 “Oluja” [Stuhia] që dëboi shumicën e serbëve nga Kroacia. Ai poashtu kërcënoi që përgjigja e Serbisë do të jetë vdekjeprurëse.

Ndërsa, kjo deklaratë e Vuçiq është manipulim i qëllimshëm për nxitje të tensioneve.

Image

Reagim të ngjashëm ka pasur edhe drejtori i së ashtuquajturës “Zyra e Kosovës’’ në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviq, i cili tha se kjo është “kërcënim për luftë”.

“Është e papranueshme që ndaj një kërcënimi dhe njollosje të tillë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të heshtin dhe të pretendojnë se janë injorantë, derisa Albin Kurti po përgatit fillimin e një konflikti të madh dhe sulmin ndaj serbëve në fund të shtatorit. Me heshtjen e tyre, ata bëhen bashkëfajtorë të drejtpërdrejtë të destabilizimit të ri të situatës në terren, të udhëhequr nga Albin Kurti, të shkaktuar nga vendimi i ri i njëanshëm i pushtetit në Prishtinë”, thuhet në reagimin e Petkoviqit.

Përmes një videomesazhi në gjuhë serbe, kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka bërë thirrje qytetarëve që targat ilegale t’i shndërrojnë në ato RKS me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë.

Vendimin e Qeverisë e përkrahu Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, duke cilësuar se Kosova ka të drejtë t’i heqë targat KM sipas marrëveshjeve të vitit 2011 dhe 2016, por që është me rëndësi që zbatimi i këtij vendimi të bëhet në pajtueshmëri me qytetarët.

Ky vendim është marrë nga Qeveria e Kosovës pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje të përhershme për targat në Bruksel. Kjo marrëveshje është përcaktuar në dokumentin e vitit të kaluar përmes të cilit u zhbllokuan pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak  patën qenë të bllokuara për gati dy javë nga protestuesit serbë.

* Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.