Titull keqinformues rreth “marrëveshjes së shumëpritur” mes Kosovës e Serbisë

07 korrik 2022 07:49

Më 21 qershor Kosova dhe Serbia finalizuan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë në katër komunat e veriut të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Udhërrëfyesi është mbështetur në marrëveshjen e vitit 2013, e cila është arritur në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja. E njëjta marrëveshje është konfirmuar edhe në vitin  2015. Sidoqoftë, për plot nëntë vite marrëveshja ka mbetur pa u zbatuar, gjatë së cilës periudhë qytetarët serbë në veri të Kosovës nuk kanë paguar fare faturat e energjisë elektrike.

Marrëveshja e fundit parashikon një sërë veprimesh konkrete që do të ndërmerren gjatë kësaj periudhe, në mënyrë që qytetarët serbë në atë pjesë të Kosovës të paguajnë për energjinë e shfrytëzuar. Si hap i parë ishte parashikuar që në Kosovë të licencohet një kompani e posaçme –për faturim të energjisë elektrike.

Image

Kështu, ZRRE pas shqyrtimit të aplikacionit të kompanisë serbe “Drustvo Elektrosever D.O.O.” ka miratuar kërkesën për dhënie të licencës  për furnizim me energji elektrike për konsumatorët në katër komunat veriore të Koosvës.

Në komunikatën e ZRRE-së thuhet se “me dhënien e kësaj licence, pritet fillimi i plotësimit të kushteve të cilat janë paraparë ne marrëveshjen e fundit të nënshkruar në Bruksel dhe përfundimisht normalizimi i faturimit dhe inkasimit  të energjisë së konsumuar”.

Siç ndodh rëndom pas pothuajse çdo marrëveshjeje politike në mes Kosovës dhe Serbisë, faqe të ndryshme në Facebook, uebfaqe të panjohura, por me numër të madh të ndjekësve dhe shpërndarjeve, fillojnë keqinterpretimin e lajmeve dhe keqinformimin e opinionit publik. Kjo ndodhi edhe pas marrëveshjes së fundit Kosovë-Serbi. P.sh. faqja LexoSot  në Facebook, që ka  mbi 43 mijë ndjekës, ka shpërndarë më 28 qershor një lajm me titull keqinformues “NUK PRlTEJ KJO/ Vjen Iajmi nga BE, javën e ardhshme Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshjen e shumëpritur e ciIa eshte.”, duke e paraqitur rrejshëm si lajm aktual.

Image

Mirëpo, ky link dërgon tek një faqe krejt tjetër, news308media që e ka publikuar këtë lajm me 21 qershor. Kjo faqe tash e disa herë është hasur gjatë monitoritmit tonë si një prej faqeve që publikojnë lajme të rreme në vazhdimësi. Poashtu edhe disa medie online dhe faqe të tjera vazhdojnë të shpërndajnë lajme të paverifikuara e të pavërteta, përfshirë paraqitjen e lajmeve e deklaratave të vjetra si lajme aktuale.

Image

07 korrik 2022
07:49

Disinfo