Momenti kritik - ngritja e bashkësisë së komunave me shumicë serbe

Pas balotazhit, do të rikthehet para publikut tema kryesore politike - ajo e ngritjes së bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Ky bllog diskuton mundësitë se si momenti kritik i ngritjes së saj mund dhe duhet të shfrytëzohet për të lansuar reforma sociale.

11 nëntor 2017 10:54

Qeveria e drejtuar nga partitë e dala nga strukturat e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - PDK, AAK e NISMA - u ngrit këtë verë me përkrahjen pragmatike të Qeverisë së Serbisë dhe qendrave diplomatike. Kjo përkrahje, sidomos nga Beogradi, ndërlidhej direkt me qëllimin e ngritjes së bashkësisë së komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjes së gushtit 2015.

Këto qendra vendimarrëse duket që besojnë se, përkundër të gjithave, subjektet në fjalë ende kanë sigurinë e “bagazhit patriotik” dhe nevojën për pushtet - si qasje në resurse materiale publike - të mjaftueshme për ta kaluar, në këmbim, marrëveshjen.

Me të shkuar e diela e ardhshme e balotazhit (19 nëntori) dhe gjithë argëtimi teledramatik në lidhje me të, tema e ngritjes së bashkësisë do të fillojë të kthehet.

Sipas të dhënave zyrtare online në lidhje me sipërfaqen e komunave të Kosovës, si dhe duke llogaritur rreth 45 hapësira të mbrojtura në bazë të Pakos Ahtisaari, Bashkësia dhe Kisha Ortodokse Serbe do të kenë nën kontroll faktik rreth 16-17% të territorit të vendit. Vetëvendosja në gusht 2015 fliste për 30% të territorit. Nuk ka dilemë se me zbatimin e marrëveshjes, Kosova merr natyrë të organizimit federal.

Por ky bllog nuk merret me pyetjet se kush do të jenë narratorët e ngritjes së Bashkësisë, humbjeve dhe përfitimeve të tyre, dhe as me akterët që do të (ri)ngrisin temën e ndarjes për kosovarët të pasaportave të Shqipërisë a Serbisë në rrugë e sipër; përkundrazi, bllogu diskuton mundësitë se si momenti kritik i ngritjes së saj duhet të shfrytëzohet për të lansuar reforma sociale - në interes të nënshtetësisë (citizenship) kosovare dhe të vetë grupeve etnike.

Institucione të ngjashme në gjithë territorin 

Është në interes të konsolidimit të nënshtetësisë së Kosovës që vendi të ketë politika të njëjta (institucione) në gjithë territorin, dhe në interes të qytetarëve që të mësohen me një lloj institucionesh, sepse ata do ta kenë më të lehtë t’i kuptojnë dhe do të jetojnë më mirë prej tyre.

Aktualisht, shqiptarët dhe shumica e komuniteteve tjera jetojnë me politikat e Kosovës. Serbët (dhe ndonjëherë të tjerët), ndonëse marrin prej disa të drejtash kosovare, në përgjithësi varen nga politikat sociale të Serbisë. Përveç arsyeve politike, ata zgjedhin ato të drejta ngase në realitet ato janë më cilësore dhe më të zhvilluara.

Kosova duhet të sigurojë njështrajtshmëri institucionale sociale, por edhe të ofrojë të drejta konkurruese. Për këtë, ajo mund të marrë nga përvoja e Serbisë dhe trashëgimia e saj prej Jugosllavisë për të forcuar solidaritetin përmes pensioneve të garantuara nga qeveria, mbrojtjen e papunësisë dhe sëmundjes në punë, pagesat për fëmijët, dhe forcimin radikal të kujdesit ditor për fëmijët. Këto të drejta pothuajse mungojnë në Kosovën e pasluftës dhe serbët nuk do të duan t’i humbasin të drejtat që kanë.     

Serbia, përfshirë institucionet e saj paralele në Kosovë, e ka më të mirë organizimin e ndihmës sociale pasi punëtorët socialë të saj janë përgjegjës direktë për vlerësimin e varfërisë sipas zonave të ndara. Kosova, që pret që familjet të aplikojnë vetë, ka mbulueshmëri shumë të vogël të varfërisë (rreth 23% më 2015), sidomos në zonat ruale.

Në anën tjetër, serbët dhe të gjithë banorët e Kosovës do jetonin më mirë duke i ndërlidhur institucionet e mësipërme me pensionet universale të financuara nga shteti dhe me sigurimin e mundshëm shëndetësor sipas konceptit të Sigurimit Kombëtar Shëndetësor (shih blogun e kaluar Destrata). Këto institucione, që Serbia nuk i ka, zakonisht korrektojnë problemet e mbulueshmërisë që vijnë nga sigurimet sociale të ndërlidhura me shkallën e vogël të punësimit.

Të dyja vendet, Kosova dhe Serbia, aplikojnë shkallë të ulëta të taksimit të të ardhurave personale dhe kanë rritje të varshmërisë në punët që paguajnë pak. Por Serbia, ndryshe prej Kosovës, në masë të madhe u ka rezistuar skemave partikulare publike për veteranët. Ky është rast i mirë që Kosova ta shuajë skemën e pensioneve ndaj veteranëve duke e zëvendësuar me ndonjë projekt publik punësimi të favorizuar që ka funksion produktiv publik p.sh. të pastrimit, të ndërtimit etj. Kështu edhe gjasat që veteranët të respektoheshin më tepër do të rriteshin. Është, gjithashtu, në interes të të gjithë banorëve që shkallët e taksës në të hyrat personale të ngriten në funksion të rritjes së barazisë dhe rritjes së buxhetit.

Gjendja sociale brenda komunitetit serb

Përveç interesit kosovar të nënshtetësisë, thjeshtësisë institucionale dhe përmirësimit të të drejtave, edhe komuniteti serb ka nevojë për reformë që i imponohet nga realiteti social.

Familjet serbe fitojnë gjithnjë e më pak nga të ardhurat prej tregut privat dhe transfereve publike të Kosovës. Për një pjesë prej tyre, nevoja për të ardhura nga bujqësia dhe nga jashtë është shtuar.

Në anën tjetër, subvencionet e Qeverisë së Serbisë, p.sh. duke u paguar për një kohë 150% rroga të punësuarve të saj në Kosovë, sidomos kur dihet që një pjesë e tyre punojnë edhe për qeverinë kosovare, dhe transferet tjera që ndërlidhen me historinë individuale të punës, kanë krijuar disbalancë serioze brenda këtij komuniteti. 

Ndonëse këto masa të Qeverisë së Serbisë kanë ndihmuar serbët të qëndrojnë në Kosovë, varfëria dhe pabarazia në të ardhura në mesin e serbëve është e lartë dhe në rritje (shih tabelën më poshtë). Arsyeja kryesore është punësimi i vogël në tregun privat.

Image

Kalkulime vetanake mbi të dhënat bazë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ASK.

Me reformën e diskutuar më sipër kjo disbalancë do të sfidohej dhe shumë serbë do të mund të jetonin më mirë. Njëtrajtshmëria institucionale do të favorizonte gjendjen e bashkësisë, sepse buxheti do të ishte më i madh duke qenë unik.

Për të gjitha këto arsye, ngritja e bashkësisë së komunave me shumicë serbe mund dhe do të duhej të shfrytëzohej për reforma sociale në interes të të gjithë banorëve. Pakoja e Ahtisaarit siguron politikë pensionale të drejtuar nga qendra, por në të vërtetë ajo nuk e pengon vazhdimësinë e realitetit ekzistues.

Pa këto reforma, elitat do të vazhdojnë të mbledhin pasuri dhe të na dërgojnë selfie nga qendrat botërore të luksit, financuar nga taksat shoqërore, ndërsa të varfrit e të papërfshirët - pa dallim feje e etnie - do të vazhdojnë të emigrojnë në kërkim të punës. E përse të mërziten atëherë se ç’votohet në Parlament?

11 nëntor 2017
10:54

Artan Mustafa