Shteti i mirëqenies: atëherë dhe sot

Roli direkt i qeverisë në shtetin e mirëqenies është rritur në Kosovën e pasluftës krahasuar me Kosovën komuniste, sado që parimisht do të pritej e kundërta, por që të dy modelet kanë ngjashmëri.

06 tetor 2016 10:18

Shteti i mirëqenies në kuptimin më të ngushtë përfshin të gjitha skemat e transfereve dhe mbrojtjes sociale të një vendi si pensionet, ndihma sociale, sigurimi shëndetësor etj. Kurse organizimi dhe rezultatet e shtetit të mirëqenies mund të tregojnë orientimin ideologjik dhe cilësinë e tij.

Në këtë bllog, duke marrë për bazë vetëm transferet cash (në para), argumentohet se roli i qeverisë në shtetin e mirëqenies është rritur në Kosovën e pasluftës në krahasim me Kosovën komuniste të para 1989-tës. Kjo rritje është e rëndësishme sepse (1) parimisht në ekonomitë e planifikuara, siç ka qenë ajo në Kosovë, pritet një rol gjithpërfshirës i qeverisë, dhe (2) indikon ndërrimin e adresës direkte të përgjegjësisë.

Së pari kjo rritje vjen nga përfshirja e qeverisë në menaxhimin e skemave sociale. Në vitin 2015, 98.77% e të gjithë përfituesve të skemave sociale të Kosovës kanë pranuar pagesat direkte nga qeveria. Që të gjithë këta përfitues janë pjesë e skemave sociale që menaxhohen në plotni nga qeveria, në nivel qendror ose lokal, përfshirë dhe ndarjen e përgjegjësisë (e kualifikimit) me asociacionet e kategorive të luftës dhe të burgosurve të dikurshëm politikë. Vetëm Trusti Pensional (kursimi pensional i detyrueshëm) dhe Fondi Slloveno-Kosovar (skema e vetme private pensionale), nuk menaxhohen nga qeveria, ndërsa shumica e pensionistëve të tyre bëjnë pjesë edhe në skemat qeveritare.

Më 1985, 21% e përfituesve gjendeshin në skema të menaxhuara nga organet qeveritare. Kështu pjesa dërrmuese e përfituesve të transfereve cash financoheshin nga sigurimet nën menaxhimin e Lidhjes së Bashkësive të Sigurimit Pensional dhe Invalidor.

Image

Linja 1: Shpenzimet sociale si përqindje të BP Shoqëror/GDP-së;
Linja 2: Shpenzimet sociale si përqindje të Buxhetit Kombëtar:
Linja 3: Pjesëmarrja e pagesave nga sigurimet sociale në transferet e përgjithshme;
Linja 4: Shtrirja e transfereve cash (me para) si përqindje e popullatës së përgjithshme:

Burimet bazë: Enti i Statistikës i KSA të Kosovës (1987), Agjencia e Statistikave të Kosovës (2015) / kalkulime vetjake.

Shteti i mirëqenies në Kosovën e pasluftës, pa përfshirë sigurimet shëndetësore, është gjithashtu më i madh. Më i madh në kuptim të shpenzimit të përgjithshëm në raport me GDP-në kombëtare dhe më i madh sa i takon mbulimit të shtrirjes së transfereve ose mbulimit të popullatës (ndikimi i plakjes është ende margjinal).

Orientimi i shtetit të pasluftës është të marrë nga të gjithë (sepse financohet kryesisht nga taksat në konsum) dhe t’ua kthejë të rrezikuarve nga varfëria, të mbulojë pasojat e meritat nga historia e afërt, si dhe gjithë të moshuarit përmes buxhetit kombëtar. Me kalimin e kohës, do të rritet rëndësia e sigurimeve pensionale në transferet e përgithshme. Shteti komunist i mirëqenies ka marrrë kryesisht nga klasa punëtore dhe prodhimi për të favorizuar fëmijët e punëtoreve, punëtorët e pensionuar, invalidët e punës dhe të margjinalizuarit ekstremë.

Por, rritja e rolit të qeverisë së zgjedhur nga Parlamenti dhe rritja e madhësisë së shtetit të mirëqnies, ndonëse përbëjnë kushte favorizuese, nuk janë të barazvlefshme me rritje të cilësisë. Sikur në komunizëm, edhe tash shteti i mirëqenies në Kosovë ka qenë dhe mbetet më i vogli në gjithë hapësirën e ish Jugosllavisë. Sikur atëherë, edhe tash shteti i mirëqenies favorizon një ose disa shtresa të shoqërisë, përjashton të tjera. Sikur atëherë, edhe tash numri i të papunëve është më i madhi. Ndërsa vazhdimisht diskriminohet gruaja.

Pra cila është trashëgimia dhe gjendja e shtetit të mirëqenies përtej miteve dhe brenda mundësisë së reformës? Blogjet në vijim do të kenë për subjekt kushtet, cilësinë dhe faktorët relevantë në këtë fushë. Debati për shtetin e mirëqenies është debat për shtetin e përmirësuar të Kosovës. Shihemi këtu! 

 

_______________________

Bllogu mbështetet nga Friedrich-Ebert-Stiftung, zyra në Kosovë.

Mendimet e shprehura në këtë bllog nuk paraqesin medoemos besimet e Friedrich-Ebert-Stifftung. 

 

 

06 tetor 2016
10:18

Artan Mustafa