Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kosova është shtet anti-biznes

Ilustrimi: BigEye

Çdo biznesmen që i është drejtuar administratës së shtetit të Kosovës për çfarëdo shërbimi mund ta vërtetojë që Kosova është shtet anti-biznes.

Sado të thjeshta qofshin shërbimet që kërkohen nga administrata, qoftë edhe mbyllja e një biznesi, numrit të procedurave që duhet të kryhen nuk i shihet fundi.

Kushtet e administratës për të marrë një shërbim janë të koklavitura dhe të përsëritura në mes disa agjencive/ministrive, kurse stafi është i papërgatitur dhe mospërfillës. Informatat rrallë herë ekzistojnë, janë të paqarta dhe stafi acarohet kur ua kërkon.

Përbrenda gjithë administratës ekziston një mendësi “komuniste”, ku organizimi është i karakterizuar me shumë hapa burokratikë edhe për gjërat më të thjeshta.

Të vetmet biznese që marrin shërbimin e mirë janë ato që nuk i drejtohen administratës fare sepse janë të lidhura me pushtetin dhe i marrin shërbimet “nën tavolinë”.

Por ato biznese nuk udhëhiqen nga ndërmarrësit krijues, por nga ndërmarrësit politik, të cilët mundin, kohën dhe paratë e tyre nuk i shpenzojnë në krijimin e produkteve dhe vendeve të punës por për korruptimin e zyrtarëve shtetërorë për përfitime personale.

Klima e biznesit në Kosovë është tejet e papërshtatshme. Jashtë administratës gjërat janë edhe më të rënda. Për bizneset nuk ka siguri juridike sepse nuk zbatohen kontratat dhe nuk mbrohet prona e tyre.

Investimet e huaja i ngjajnë një karvani të pambrojtur që bën një rrugë të gjatë nëpër pyje. Ato priten nga cubat e vendit që përpiqen të grabisin çfarëdo që munden dhe e lënë karvanin të arrijë pothuajse i zbrazur.

Gjatë gjithë kohës sime në sektorin privat ky ka qenë realiteti i hidhur. Nuk do mend pastaj që Kosova nuk ka biznese të suksesshme, nuk ka investime të huaja, nuk ka vende pune, nuk ka prodhime vendore dhe nuk ka mirëqenie.

Për këto nevojitet një klimë e mirë e biznesit që inkurajon ndërmarrësit të investojnë. Nevojitet mbrojtja fizike e pronës, siguria juridike dhe një administratë efikase. Nevojitet eliminimi dhe thjeshtësimi i procedurave burokratike dhe thjeshtësimi i sistemit fiskal si dhe ofrimi i integruar i shërbimeve administrative në një vend, dhe digjitalizimi i tyre online.

Për këto reforma nevojitet një qeveri e aftë, profesionale, me një vizion të qartë. Këtë Kosova nuk e ka dhe nuk duket se do ta ketë për një kohë.

Për bizneset kosovare e vetmja rrugëdalje mbetet të durojnë acarin dhe të lërojnë tutje.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.