Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Perspektiva e një valute kosovare

Në mesin e propozimeve për reformat ekonomike në Kosovë, perspektiva e adoptimit të nje4 valute kosovare është diskutuar pamjaftueshëm. Një valutë kosovare mund të sjellë përfitime për ekonominë e vendit, por në kushte të caktuara mund të jetë edhe tejet e rrezikshme.

Përfitimet

Përveç që një valutë përbën njërin nga elementet kryesore të shtetësisë, ajo mund të sjellë edhe përfitime konkrete ekonomike. Në radhë të parë, valuta e bën të mundshme politikën monetare: menaxhimin e sasisë së parasë në qarkullim për të arritur objektiva të ndryshme si stabilitetin e çmimeve, punësimin e plotë apo qëndrueshmërinë makro-ekonomike. Aktualisht Kosova nuk mund të bëjë politikë monetare, pavarësisht përdorimit të euros, sepse nuk është pjesë e Eurozonës. Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nuk i lejohet të shtypë euro dhe kështu e ka të pamundur të rrisë sasinë e parave në qarkullim. Kontrollimi i rezervave minimale për sektorin bankar është një levë që e posedon, por efekti i së cilës në sasinë e parasë në Kosovë është i kufizuar sepse ajo përcakton vetëm minimumin e depozitave që bankat komerciale nuk guxojnë t’i japin kredi.

Përfitimi në stabilitet nga adoptimi i një valute kosovare nuk është i madh në krahasim me euron, e cila me përjashtim të periudhës së krizës financiare (2007 e pas), ka qenë kryesisht stabile. Për më tepër, për shkak se paratë e reja që i ka shtypur Banka Qendrore Evropiane në kuadër të programit të saj të “lehtësimit sasior” (ang. quantitative easing) nuk janë injektuar drejtpërdrejt në Kosovë, lëvizjet në vlerën e euros janë amortizuar. Të gjitha eurot e reja është dashur të futen nga eksporti i mallrave dhe dërgesat, do të thotë, me ritme të kontrolluara dhe pa shkaktuar shumë inflacion në vend.

Por përfitimi më i spikatur për Kosovën nga adoptimi i valutës së saj do të ishte zvogëlimi i deficitit tregtar. Edhe pse ky deficit është më shumë simptomë sesa problem në vetvete, megjithatë është në interesin ekonomik të vendit që ai të korrigjohet.

Me sistemin aktual të euros, Kosovës nuk i garantohet kthimi i parave të saj në vend. Tregtarët e Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë e vendeve të tjera që eksportojnë në Kosovë marrin euro në këmbim. Këto euro ata mund t’i shpenzojnë kudo që ato pranohen. Meqë Eurozona + Mali i Zi u ofrojnë këtyre tregtarëve një treg 342 milion njerëzish, pa llogaritur shtetet që e mbajnë euron si valutë rezervë, ata nuk e kanë të vështirë ta shpenzojnë atë pa e kthyer në Kosovë.

Por, po ta kishte Kosova valutën e saj, ta themi dardanin, po këta eksportues do të paguheshin me dardanë në vend të eurove. Meqë dardani do të ishte valutë vetëm e Kosovës, ata do duhej ta shpenzonin në Kosovë duke blerë mallra kosovare, ngjashëm siç presim t’i shpenzojmë denarët dhe lekët e mbetura herën e ardhshme që shkojmë në Maqedoni dhe Shqipëri. Edhe në rast se tregtarët refuzojnë ta shpenzojnë dardanin në Kosovë dhe e këmbejnë atë për ndonjë valutë tjetër, përsëri ajo palë që e pranon e bën sepse dëshiron ta shpenzojë në Kosovë. Kjo do të mundësonte kthimin e një pjesë të parave në vend, rritjen e eksporteve dhe zvogëlimin e deficitit tregtar.

Por gjithçka mund të shkojë për dreq

Adoptimi i një valute kosovare e ka edhe anën e errët. Në kushtet aktuale ku niveli i korrupsionit në Kosovë është shumë i lartë, mundësia e keqpërdorimit të saj është shumë e madhe. Lenini i famshëm kishte thënë që manipulimi i valutës është mënyra më e mirë për ta shkatërruar kapitalizmin. Për dallim nga keqpërdorimi i tatimeve, siç ndodh tani, keqpërdorimi i valutës është pakrahasim më i rrezikshëm. Tek tatimet dëmi bëhet në momentin që ato merren nga tatimpaguesit. Mënyra sesi shpenzohen pastaj (në xhepat e politikanëve apo diku tjetër) nuk ka më implikime për ta, vetëm për cilësinë e qeverisjes.

Por nëse një valutë keqpërdoret, shembull duke e shtypur në masë të madhe për të financuar premtimet populiste, vlera e saj mund të avullohet tepër shpejt duke i varfëruar të gjithë mbajtësit e saj—qytetarët e Kosovës. Tundimi i qeverive për të shtypur para është përherë prezent sepse i përshtatet politikanëve që japin premtime që nuk mbulohen nga buxheti.

Prirja e keqpërdorimeve monetare për të sjellë kriza të thella sociale, përfshirë lufta civile, është shumë më e madhe sesa çfarëdo keqpërdorimi tjetër. Në gjithë historinë e Shqipërisë asnjë keqpërdorim kolosal i buxhetit nuk ka shkaktuar luftë civile siç shkaktuan skemat famëkeqe piramidale. Hiperinflacioni i viteve 1918-1924 shkatërroi Republikën e madhe të Weimarit dhe lista e vendeve që kanë vuajtur nga ai përfshin ShBA-të, Britaninë e vendet e mjerueshme si Zimbabveja. Keqpërdorimi i sistemit monetar duke i mbajtur normat e interesit në nivele të ulëta, nën nivelin e tyre natyral, shkakton gjithashtu fryrje ekonomike që patjetër pëlcasin në kriza.

Strategjia e adoptimit

Nëse Kosova arrin ta vërë nën kontroll nivelin e lartë të krimit dhe korrupsionit dhe piqen kushtet për adoptimin e sigurt të një valute kosovare, asaj i nevojitet një strategji. Ekzistojnë propozime të ndryshme sesi duhet të duket një sistem i ri monetar, për gjykimin e të cilave duhet të futemi në teknikalitetet e ndërlikuara të teorisë monetare. Për këtë blog mjafton të thuhet që valuta e re kosovare duhet t’i përgjigjet me sukses sfidës së pranueshmërisë dhe stabilitetit.

Nuk duhet të supozohet që vetëm pse qeveria kosovare e shpall një valutë të re se qytetarët do t’i këmbejnë eurot e tyre të dashura për të. Valuta e re duhet të dëshmohet sepse fakti që shteti është prapa saj nuk do të thotë asgjë—ajo gjykohet nga aspekti financiar, jo institucional. Edhe nëse shteti e përcakton dardanin si tender ligjor në të cilin duhet të paguhen tatimet dhe borxhet brenda Republikës së Kosovës, ekziston mundësia që qytetarët e Kosovës të vazhdojnë ta injorojnë atë në favor të euros dhe të mbajnë sasi të mjaftueshme të dardanit vetëm sa për t’i përmbushur këto obligime. Për ta shmangur këtë skenar të turpshëm për qeverinë nevojitet që dardani të jetë i konvertueshëm në një aset tjetër që njerëzit brenda dhe jashtë Kosovës i besojnë dhe e konsiderojnë me vlerë.

Në kushtet ideale ai aset do të ishte ari, shufrat e të cilit do të ruheshin në BQK. Ajo do t’i konvertonte bankënotat dardane në ar sipas një fiksi të dardanit me sasinë e tij për ta dëshmuar mbulueshmërinë. Por për shkak se ari është i kushtueshëm dhe BQK-ja ka nën kontroll vetëm 143.2 kg (2013), një opsion tjetër më i përshtatshëm është bordi i valutave (ang. currency board). Në vend të mbulimit me ar, dardani mbulohet me një sërë valutash të forta si euro, dollari, jeni, etj., në të cilat mund të konvertohet. Këtë sistem e kanë përdorur me sukses Singapori, Hong Kongu dhe Estonia për të garantuar pranueshmërinë dhe stabilitetin e valutave të tyre.

Një element tjetër i rëndësishëm i valutës së re duhet të jetë politika bankare. Në sistemin aktual, Kosova vepron me rezerva fraksionale, që nënkupton se bankat komerciale janë të lira t’i japin kredi të gjitha depozitat mbi një fraksion të rezervës minimale (20%). Edhe pse në praktikë bankat kosovare kanë qenë të kujdesshme duke mbajtur më shumë rezerva sesa ç’u ka kërkuar BQK-ja, si dhe kushtet e këqija të kredidhënies e kanë frenuar ekspozimin e tyre, ato duhet të kenë kujdes me rrezikun (edhe pse të ulët) të tërheqjeve masive të depozitave nga publiku (ang. bank runs).

Për këtë nevojitet që të përputhen maturitetet e depozitave dhe kredive. Aktualisht, depozitat kanë maturitet që dallon nga banka në bankë sipas shumës. Përgjithësisht, ato nën 10,000 euro mund të tërhiqen me kërkesë brenda ditës (maturitet zero), kurse pastaj varësisht nga shuma duhet të pritet deri në 2 javë. Në rastet kur maturiteti i përgjithshëm i kredive i tejkalon ato të depozitave, rreziku i shembjes së sistemit bankar është gjithmonë prezent. Për t’ju shmangur këtij rreziku, bankat duhet të obligohen t’i përmbushin detyrimet kontraktuare ndaj klientëve si çdo biznes tjetër. Në praktikë kjo nënkupton që bankat duhet t’i përputhin maturitetet e depozitave me kreditë duke bërë dallim në mes depozitave rrjedhëse dhe atyre të afatizuara në mënyrë të prerë, jo të mbivendosur. Kjo do t’i bënte gjithashtu më të favorshme normat e interesit për kursimtarët, nxiste kursimet dhe mundësonte kreditimin më të mirë të ekonomisë.

Projekti i adoptimit të një valute kosovare është thikë me dy tehe, që në kushte të favorshme mund t’i japë ekonomisë vendore një themel të qëndrueshmërisë, stabilitetit, kreditimit dhe Kosovës një element të munguar të shtetësisë. Por Kosova nuk është ende gati për të.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.