Çfarë të kërkojmë në programet ekonomike zgjedhore

05 qershor 2017 12:21

Ende pa u hapur zyrtarisht fushata zgjedhore, partitë filluan me të gjitha llojet e premtimeve në përpjekje për ti bindur (lexo: mashtruar) votuesit. Ashtu si në të kaluarën, shumica e këtyre premtimeve janë boshe dhe të kalkuluara vetëm për të tërhequr masat.

Që nga paslufta në Kosovë është bërë praktikë që premtimet parazgjedhore të gjykohen vetëm nga pikëpamja se a do të mbahen apo jo. Çështja se a janë ato premtime të duhura në radhë të parë tejkalohet pothuajse krejtësisht, kur në fakt disa premtime është më mirë të mos mbahen fare!

Votuesi që dëshiron të zgjedhë drejtë, prandaj, duhet së pari të informohet mirë për alternativat që i ka në dispozicion, e pastaj të analizojë përparësitë dhe të metat e tyre.

Një gjë e tillë është sfiduese në shumë aspekte. Së pari, informimi i drejtë me qëndrimet e partive merr kohë dhe energji, të cilën votuesit intelektualë (dhe rrjedhimisht produktivë të shoqërisë) e kanë në mungesë.

Së dyti, vetëm informimi nuk mjafton, sepse siç thonë ekonomistët, “të dhënat nuk flasin për vetveten”. Ato duhet të interpretohen me një konstrukt analitik i cili i gjykon kostot dhe përfitimet, dhe për të cilin mund të mos pajtohen as ekspertët e shkencës së ekonomisë. Ekonomia është shkencë e specializuar dhe votuesi i rëndomtë e ka të vështirë të bëjë gjykime të drejta pa një trajnim të duhur, përkundër vetëbesimit tij, në të njëjtën mënyrë siç nuk mund të japë prononcime mjekësore pa tingëlluar qesharak.

Është e mundur, megjithatë, që cilësia e gjykimeve të votuesit të përmirësohet duke ndjekur disa parime analitike.

Pasojat afatgjate tek të gjithë

Ndoshta më i rëndësishmi nga ato parime është ky: në gjykimin e programeve ekonomike, votuesi duhet të shohë përtej efektit që ato e kanë në një grup të caktuar dhe të kuptojë se si preken të gjitha grupet tjera në shoqëri. Ai duhet gjithashtu të kuptojë jo vetëm efektin e menjëhershëm por edhe afatgjatë të këtyre politikave. Ky parim përbën markën e një ekonomisti të mirë.

Le t’i marrim shembull subvencionet. Në publik është e pranuar gjerësisht ideja që subvencionet janë të mira për ekonominë, përkundër faktit që profesioni ekonomik me konsensus 85% i konsideron të dëmshme. Shpjegimi është i thjeshtë: subvencionet janë vetëm rishpërndarje e pasurisë, jo krijim i pasurisë shtesë! Shteti ia merr paratë tatimpaguesit dhe ia jep fermerit, për shembull, por në total pasuria mbetet e njëjtë. Subvencionet pra kanë efekt pozitiv vetëm tek grupi përfitues (fermerët), në dëm të grupit tjetër më të madh (tatimpaguesit).

Për më tepër, efekti pozitiv është vetëm afatshkurtër. Në afat të gjatë, si rezultat i subvencioneve, fermerët bëhen më të interesuar të përdorin kohën dhe mundin për të kënaqur interesat politike dhe fituar subvencionet se sa për të krijuar agroprodhime që i shërbejnë konsumatorit. Në këtë mënyrë, tatimpaguesit dëmtohen dy herë sepse ata janë edhe konsumatorë.

Çdo premtim prandaj duhet të gjykohet nga efekti që e ka tek të gjithë dhe në planin afatgjatë.

Si do të financohen?

Ka nga ato premtime të cilat nuk përfshijnë shpenzimin e parave publike. Por premtimet si: “do ti rrisim pagat/pensionet”, “do të ndërtojmë shkolla”, “do të krijojmë ushtrinë” janë të gjitha premtime për të cilat nevojitet paraja publike. Buxheti i shtetit është i kufizuar, prandaj si do të financohen këto premtime?

Keni parasysh që ata politikanë të cilët thonë se do t’i financojnë premtimet me rritje të normave tatimore apo shtimit të tatimeve në fakt do të bijnë në kundërshtim me vetveten. Rritja e normave tatimore dhe shtimi i tatimeve nuk i rritë domosdoshmërisht të ardhurat nga tatimet! Tatimpaguesit nuk janë robotë të cilët në mënyrë të përpikët i përgjigjen urdhërit për të paguar tatim aq sa u kërkon shteti.

Sa më e lartë norma tatimore, aq më shumë tatimpagues do të zgjedhin rrugë ligjore dhe joligjore për t’ju shmangur tatimit. Sa më shumë tatime, aq më të pakëta do të jenë aktivitetet ekonomike që përbëjnë bazën tatimore. Kjo në ekonomi njihet si Kurba e Laferit, e cila parasheh që pas një pike të caktuar, rritja e normave tatimore dhe shtimi i tatimeve në përgjithësi në fakt i zvogëlon të ardhurat tatimore!

Në këtë pikë, politikanëve u mbetet financimi i premtimeve duke marrë borxh ose duke i shkurtuar shpenzimet qeveritare. Marrja e borxhit veçse do ta rëndojë gjendjen aktuale, e cila përbën kërcënim në rritje për shtetin. Kurse zvogëlimi i shpenzimeve qeveritare nuk është aspak popullor në kohë fushate; të gjithë duan më shumë, jo më pak para nga shteti.

“Gënjeshtrat, gënjeshtrat e mallkuara, dhe statistikat”

Kryeministri britanik Benjamin Disraeli një herë kishte thënë: “Janë tri lloje të gënjeshtrave: gënjeshtrat, gënjeshtrat e mallkuara, dhe statistikat.” Mësimi i kësaj thënie është: mos u besoni çdo statistike që politikanët e përdorin për t’ju hedhur pluhur syve. Shumica dërrmuese e tyre do të jenë të pakalkuluara, të fryra, të pabaza, dhe pa një metodologji të qartë të përllogaritjes.

Kapacitetet e analizës statistikore të qeverisë më së miri i reflekton vizita e faqes së Entit të Statistikës së Kosovës, i cili është tërësisht i paorganizuar edhe për të dhënat më bazike. Në Kosovë vazhdimisht manipulohen indikatorët ekonomikë, veçanërisht në lidhje me papunësinë, dhe përdoren në mënyrë perfide për të arsyetuar edhe premtimet më pompoze. Premtimet si “do ta bëjmë buxhetin 5 miliardë euro” apo “do t’i krijojmë 200,000 vende të reja të punës” nuk mund të arsyetohen as duke i torturuar statistikat në mënyrën më ç’njerëzore.

Gjyko pa emocione

Politikanët janë dashakeqës por jo budallenj; ata e njohin mirë natyrën njerëzore. Falë kësaj aftësie janë në pozita drejtuese. Ata e dijnë mirë se premtimet e tyre do të jenë më bindëse nëse apelojnë tek sentimenti emocional i votuesve. Është e rëndësishme, prandaj, që votuesi të gjykojë pa emocione nëse nuk dëshiron të trajtohet si qenie refleksive pa kapacitet për mendim kritik.

Premtimet si “do ta rrisim pagën minimale” janë të gabuara; mos u mashtroni nga dhembshuria e arsyeshme që e keni për punëtorët e gjorë. Qëllimi i mirë nuk duhet t’ua mjegullojë aftësinë për të gjykuar nëse një program ekonomik e përmbushë atë qëllim apo nëse rezultatet e tij (me apo pa dashje) japin efektin e kundërt. Për shembull, qëllimi i mirë për themelimin e ushtrisë së Kosovës nuk duhet t’ju bëjë t’i injoroni vështirësitë ekonomike në realizimin e tij, dhe e njëjta vlen edhe për premtime tjera të ngjashme.

Ky shkrim në asnjë mënyrë nuk është një listë e shterrshme e parimeve analitike të cilat një votues duhet pasur parasysh gjatë vlerësimit të programeve ekonomike. Megjithatë, përbën një udhërrëfyes që mund t’i shërbejë një votuesi të ushtrojë të drejtën e tij demokratike në mënyrë të përgjegjshme. 

05 qershor 2017
12:21

Bardhyl Salihu