Rritja e borxhit publik, kërcënim për shtetin

11 shkurt 2017 21:40

Borxhi publik i Republikës së Kosovës sa vjen e shtohet. Vitin e kaluar ishte 748 milionë euro, kurse sivjet plot 852 milionë euro. Edhe pse borxhi është vetëm sa 4.53% e ekonomisë, rritja vjetore për 100 milion euro dhe deficiti buxhetor 276 milionë euro përbëjnë kërcënim për stabilitetin shtetëror dhe atë makroekonomik.

Pasojë e menjëhershme e borxhit publik është rritja e shpenzimeve qeveritare në interes. Si rezultat, më pak buxhet mbetet për nevoja tjera. Për shembull, për vitin 2017 Kosova ka projektuar pagesa të interesit në vlerë 23 milionë euro, sa gjysma e buxhetit të FSK-së. Një borxh më i madh nënkupton më pak buxhet për ushtri. Për më tepër, shpenzimet në interes nuk janë të njëjta si shpenzimet kapitale sepse nga to nuk ndërtohet asgjë.

Pasojë afatgjate e borxhit publik është bartja e barrës tek gjeneratat e ardhshme të cilat duhet ta kthejnë atë. Në fakt, po të mos ishin ndërhyrjet periodike të Fondit Monetar Ndërkombëtar për të frenuar apetitet politike që me para të taksapaguesve të përkëdhelen militantët partiakë, Kosova do të arrinte buzë greminës shumë kohë më parë.

Nëse Kosova vjen në një pozitë të dëshpëruar si Greqia, tatimet do të rriten në mënyrë drastike; besimi edhe ashtu i ulët do të venitet; investimet do të kaplohen nga pasiguria; bankat do të mbyllen, kurse kursimet dhe depozitat e qytetarëve do të bëhen (përkohësisht) të pakthyeshme.

Për politikë të shëndoshë fiskale duhet të adoptohet parimi i ekonomive familjare: shpenzo brenda mundësive. Çdo familje që shpenzon jashtë mundësive përballet me vështirësi ekonomike dhe falimenton nëse eventualisht nuk ndryshon. E njëjta vlen edhe për shtetin. Kur shteti shpenzon përtej tatimeve, atij fillojnë t’i numërohen ditët.

Ky parim mund të gjejë përjashtim në disa vende si ShBA-ja, valuta e së cilës është rezervë botërore dhe borxhi i së cilës mund të monetizohet duke shtypur para të reja.

Por Kosova nuk është përjashtim. Qeveria duhet të vërë nën kontroll shpenzimet publike. Në veçanti pagat dhe mëditjet 572 milionëshe, që për vendin më të varfër në Evropë janë një marrëzi. Nëse paraja publike vazhdon të shpërdorohet me indiferencë dhe injorancë, Kosova do të futet në trajektore që shpie tek tragjedia greke.

11 shkurt 2017
21:40

Bardhyl Salihu