Të majtët për mirëqenien: Mes pabarazisë apo varfërisë, shpërndarjes apo prodhimit?

27 dhjetor 2016 18:22

Majtizmi si një ideologji e cila gjatë gjithë historinë së saj ka pretenduar monopolin e dhembshurisë ndaj të varfërve, ka arritur t’u ofrojë atyre vetëm më shumë të varfër.

Anembanë globit, nga Korea e Veriut e deri tek Venezuela sot, pa marrë parasysh dallimet gjuhësore, kulturore apo demografike, rezultatet ekonomike të majtizmit kanë qenë të njëjta: varfëri, skamje, vuajtje. Në Kore të Veriut, rishtazi dolën disa foto të fëmijëve që detyroheshin të punojnë në hekurudha pa asnjë kompensim. Në Venezuelë, as rezervat e mëdha të naftës nuk po arrijnë ta shuajnë gjendjen alarmante të varfërisë, radhëve të gjata për pak ushqim, hiperinflacionit dhe eksodit masiv të qytetarëve.

Politikanët oportunistë në këto vende i shfrytëzuan masat popullore me premtimin djallëzor që majtizmi sjell barazinë materiale. Këta socialistë të shampanjës, siç do të quheshin më vonë, pasi i bënë këto premtime u vendosën në vila, filluan të lëvizin me vetura të shtrenjta e të bartin ora Rolex.

Por hipokrizia e majtizmit është e keqja më e vogël. Më tragjik është ngatërrimi i qëllimshëm i pabarazisë dhe varfërisë. Viti 2016 ishte përplot thirrje për luftimin e pabarazisë që shpërfaqën tmerrësisht injorancën ekonomike. Libri i Thomas Piketty-t për pabarazinë nga kapitali shërbeu si emblemë e kësaj nisme derisa u gjet që përmban gabime bazike statistikore, përveç tezës kundërthënëse, rast me të cilin edhe Piketty filloi të flasë më pak për të.

Për të majtit, niveli i varfërisë nuk është i rëndësishëm përderisa njerëzit janë materialisht të barabartë. Ata më parë do të jetonin në një shoqëri të barabartë me të ardhura të ulëta (në varfëri, pra), sesa në një shoqëri të pabarabartë me të ardhura të larta. Ata e trajtojnë barazinë në skamje si virtyt kurse pabarazinë si ves edhe aty ku ka më pak varfëri.

Konsiderojeni shembullin e mëposhtëm ilustrativ të dy shoqërive të përbëra nga 3 persona.

Shembull ilustrativ:                               

Shoqëria A Shoqëria B
Personi 1 ka të ardhura $15,000   $1,000,000
Personi 2 ka të ardhura $10,000    $500,000
Personi 3 ka të ardhura $5,000  $10,000
Të ardhurat mesatare $8,334    $503,334
Pabarazia $10,000   $900,000


Shoqëria A është ëndrra egalitariane e majtistit. Në të pabarazia mes personit më të pasur dhe atij më të varfër është vetëm $10,000, krahasuar me pabarazinë e egër në Shoqërinë B e cila është $900,000. Përkundër faktit që mesatarja e të ardhurave në Shoqërinë A ($8,334) është dukshëm më e ulët se në Shoqërinë B ($503,334), dhe përkundër faktit që të ardhurat e personit më të varfër në Shoqërinë A ($5,000) janë gjysma e atyre të personit më të varfër në Shoqërinë B ($10,000), majtistët më shumë do ta preferonin të parën. Pra, më parë do të jetonin në një shoqëri dukshëm më të varfër vetëm pse është më e barabartë se tjetra.

Ky shembull i thjeshtë e ilustron absurditetin e përqendrimit në pabarazi në vend të varfërisë. Qëllimi i shoqërive duhet të jetë të nxjerrin sa më shumë njerëz nga varfëria, jo të ndjellin zili për dallimet materiale.

Njerëzit asnjëherë nuk do të jenë dhe nuk mund të bëhen të njëjtë. Por ata mund të bëhen më të pasur (apo më pak të varfër) falë zhvillimit ekonomik. E ky zhvillim ekonomik është dokumentuar përgjatë historisë të ketë ardhur nga liria ekonomike për të prodhuar, tregtuar dhe konkurruar. “Një shoqëri që e vendos barazinë përpara lirisë nuk do të ketë asnjërën. Një shoqëri që e vendos lirinë përpara barazisë do të ketë shumë nga të dyja”, shkruante ekonomisti i famshëm Milton Friedman.

Mendësi tjetër e gabuar majtiste është obsesioni me shpërndarjen e pasurisë e jo me krijimin e saj. Sepse majtistët pothuajse asnjëherë nuk merren me ardhjen në ekzistencë të pasurisë. Tregimi i tyre fillon në fund, kur pasuria veç është krijuar, dhe duke i injoruar shkaqet e kësaj krijimtarie moralizojnë për shpërndarjen e dhunshme të saj.

Por përpara se diçka të shpërndahet ajo së pari duhet të krijohet. Hiçi nuk mund të ndahet. Prandaj tregimi për kushtet që nevojiten për krijimin e pasurisë duhet gjithmonë t’i paraprijë shpërndarjes së saj.

Pasuria krijohet kur inkurajohen kursimet nga të cilat buron kapitali. Ai e vë në jetë fuqinë punëtore, rrit prodhimtarinë dhe rrjedhimisht pagat, si dhe mundëson prodhimin e produkteve dhe ofrimin e shërbimeve. Për këtë duhet prona private e cila kultivohet vetëm kur mbrohet, dhe kur pronarët kanë lirinë për të vepruar komercialisht me të në konkurrencë të lirë, pa kërcënimin e qeverisë apo grupeve tjera të interesit.

Shpërndarja e pasurisë në mënyrë arbitrare nga qeveria nënkupton marrjen e saj nga ata që e kanë krijuar dhe dhënien tek ata që nuk kanë krijuar asgjë. Kjo i krijon dy nxitje perverse: 1) ul motivin apo vullnetin e krijuesve për të krijuar më shumë pasuri (sepse ajo nuk u mbetet); 2) si dhe ul edhe motivin apo vullnetin e atyre që nuk kanë krijuar pasurinë (sepse po u vjen falas).

Efekti i përgjithshëm i shpërndarjes së pasurisë, pra, është të dëmtojë vullnetin për mirëmbajtjen dhe zgjerimin e saj dhe përbën një efekt negativ neto në stokun e kapitalit. Sa më shumë që shpërndahet pasuria në mënyrë të dhunshme dhe arbitrare nga qeveria, aq më pak do të mbetet pasuri për të shpërndarë.

Edhe këtu si në rastin e pabarazisë, përqendrimi duhet të jetë në krijimin e pasurisë e jo në shpërndarjen e saj. Ndihma më e mirë që mund të bëhet për të varfërit është të përfshihen në procesin e krijimit të pasurisë, qoftë si ndërmarrës falë një ambienti të mirë biznesor, qoftë si punëtorë falë kapitalit që rrit prodhimtarinë dhe pagat e tyre.

 

27 dhjetor 2016
18:22

Bardhyl Salihu