A e shkaktoi derregullimi financiar krizën ekonomike 2007?

17 nëntor 2016 19:37

Para 8 viteve ShBA-në dhe botën e kaploi një krizë e thellë financiare, e cila shpejt u shndërrua në një tjetër ekonomike. E mbaj mend atëbotë sesi mediat anembanë u vërsulën në konkluzione para se ekonomistët të krijonin një qëndrim, e aq më pak një konsensus, mbi shkaqet dhe pasojat e asaj krize. U bë modë të fajësohej derregullimi financiar—zvogëlimi i rregullave kufizuese të shtetit mbi tregjet—si shpjegimi më i përhapur për shkaqet e krizës. Ky derregullim u tha që është pasojë e kapitalizmit, e “metë” e tij si sistem, “ekseset” e të cilit janë “dëshmi” që tregjet e lira duhet të kontrollohen fort nga shteti.

Por fakti që ky shpjegim ishte i përhapur nuk e bëri atë automatikisht të drejtë, sikurse që nuk e bëri botën e rrafshët pranimi i gjerë i asaj ideje në mesjetë. Tani që ka kaluar një kohë e mjaftueshme, jemi në një pozitë më të mirë që në retrospektivë të gjykojmë se a e ka shkaktuar derregullimi financiar atë krizë.

Reagan-i dhe miti i derregullimit

Tregimi mbi derregullimin i ka fillet tek mandati presidencial i Ronald Reagan-it në vitet ’80. Kritikët argumentuan që Reagan-i, duke vepruar sipas “parimeve të tregut të lirë”, e hapi Kutinë e Pandorës dhe çliroi një mori rregullash të shtetit mbi tregjet. Ky gjykim, megjithatë, është sipërfaqësor dhe supozues për disa arsye.

Së pari, pjesa dërrmuese e derregullimeve të Reagan-it s’kanë pasur fare të bëjnë me sistemin financiar por me fusha të ndryshme të ekonomisë. Madje, “shembujt më të spikatur të derregullimit, si eliminimi i kontrollit dhe i racionimit mbi naftën dhe benzinën, bashkë me derregullimin e kamionëve e linjave ajrore, u nisën të gjitha nga administrata e presidentit Carter dhe përfunduan në kohën e Reagan-it mjaft sa për t’i marrë ai meritat”. Kështu shkruan ekonomisti Murray Rothbard në një artikull, ku bën vlerësimin e plotë të miteve të Reagan-it. Ndërkohë, “derregullimet e tjera që ishin premtuar, si largimi i kontrolleve mbi gazin natyror dhe eliminimi i Departamentit të Energjisë, nuk u realizuan kurrë”, përfundon Rothbard.

Por kur kritikët i referohen Reagan-it, ata e kanë fjalën për një ligj të veçantë dhe kryesorin në fushën financiare gjatë periudhës së tij. Fjala është për ligjin të cilin Kongresi e aprovoi në vitin 1980 e që quhej “Ligji për derregullimin e Institucioneve Depozituese dhe Kontrollin Monetar”. Duket sikur kritikët e kapitalizmit janë hutuar nga fakti që ligji e përmban fjalën “derregullim” në të. Mirëpo ta keni parasysh: fjala derregullim nuk nënkupton ndryshim por zvogëlim të rregullave. E çfarë bëri ky ligj sa i përket zvogëlimit të rregullave?

Së pari ligji i detyroi të gjitha bankat që të harmonizohen me rregullat e bankës qendrore—Rezervës Federale. Pra, ligji nuk i dha bankave liri, por i rregulloi ato duke i detyruar të veprojnë sipas diktateve të një institucioni shtetëror.

Së dyti, ligji u kërkoi bankave të paguajnë një shumë të quajtur “Fed Float” për t’i kryer këmbimet bankare mes tyre dhe institucioneve depozituese, pra duke e rregulluar tutje veprimtarinë bankare.

Së treti, ligji e rriti shumën e depozitave të garantuara nga shteti nga $40,000 sa kishte qenë atëherë në $100,000. Kjo do të thotë që ata të cilët kanë depozita në bankë deri në atë shumë mbrohen nga taksapaguesit në rast se banka falimenton. Një garanci e tillë nga shteti i shtyn bankat të ndërmarrin më shumë rreziqe me paratë e depozituesve kur japin hua, sepse nëse bëjnë gabime ato nuk mbeten përgjegjëse për humbjet. Ky nuk është derregullim fare, por barrë mbi taksapaguesin i cili falë detyrimit shtetëror duhet t’i vuajë pasojat e gabimeve të bankave, siç ndodhi në kohën e krizës kur taksapaguesit u detyruan t’u japin bankave plot $700 milliardë.

Së katërti, ligji ia largoi fuqinë ekzekutive Bordit të Rezervës Federale për t’i përcaktuar normat e interesit në llogaritë e kursimeve. Edhe pse ky përbën një derregullim të vërtetë, de fakto Rezerva Federale gjithmonë i përcakton normat e interesit nëpërmes monopolit monetar kështu që ky ndryshim nuk ka pasur efekt dosido.

derregullime të mirëfillta kanë qenë lejimi i institucioneve depozituese të ofrojnë llogari rrjedhëse si dhe lejimi i bankave të bashkohen. Por është e paqartë si lejimi i institucioneve depozituese të veprojnë si banka dhe brenda kornizave rregullative që vlejnë për bankat mund të ketë shkaktuar krizë ekonomike. Kurse lejimi i bashkimit bankar ka qenë prapë mjaft problematik në praktikë, sepse Departamenti i Drejtësisë dhe Komisioni Federal i Tregtisë kanë vlerësuar shpesh dhe padrejtësisht që ato janë në kundërshtim me konkurrencën e lirë.

Në përgjithësi pra, Reagan-i vetëm e ka mbajtur status quo-në, duke e larguar një rregull e shtuar një tjetër. Është plotësisht e paqartë si këto ndryshime, apo më mirë të themi mosndryshime, kanë shkaktuar krizën 27 vite më vonë.

Clinton-i dhe Ligji Gramm-Leach-Bliley

Edhe kryetari i simpatizuar në trojet shqiptare, Bill Clinton, nuk i ka ikur kritikave për rolin e tij në derregullimin financiar dhe shkaktimin e krizës ekonomike, përkundër pikëpamjeve të tij centriste si demokrat.

Clinton-i akuzohet të ketë kontribuuar në krizën ekonomike me propozimin e kongresistëve republikanë—të quajtur Gramm-Leach-Bliley—të cilin e nënshkroi në ligj në vitin 1999. Qëllimi i Gramm-Leach-Bliley ishte ta bëjë të ligjshme konsolidimin e tri llojeve të aktiviteteve biznesore, respektivisht, atyre bankare (dhënien e huave dhe pranimin e depozitave), investuese (shitblerjen e instrumenteve financiare), si dhe ofrimin e shërbimeve të sigurimit.

Në vitin 1933, në dendësinë e Depresionit të Madh, këto tri aktivitete u rregulluan të bëhen ndaras nga ligji i famshëm Glass-Steagall. Gramm-Leach-Bliley e anuloi këtë nen rregullativ të Glass-Steagall, duke ia rikthyer kompanive mundësinë t’i kryejnë tri aktivitetet biznesore bashkërisht. E këtu na qenka problemi sipas përkrahësve të idesë që derregullimi financiar e ka shkaktuar krizën.

Por nëse vërtet qenka kështu, atëherë pse përjetoi ShBA plot 10 kriza ekonomike nga viti 1933 kur bankat nuk u lejuan t’i kryejnë këto aktivitete bashkërisht deri në vitin 1999 kur ky kufizim u largua? A nuk do duhej t’i eliminonte rregullimi i Glass-Stegall krizat ashtu siç synoi të bënte? E nëse Glass-Steagall nuk arriti ta përmbushte funksionin e tij, çfarë faji ka ligji Gramm-Leach-Bliley që e anuloi atë nen që nuk ishte funksional dosido?

Edhe nëse i lëmë këto kontradikta anash, prapë mbetet tejet e paqartë pse bankat do të ndërmerrnin rreziqe të pakontrolluara vetëm pse i kanë konsoliduar disa aktivitete biznesore që më parë ishin të ndara. Një analogji do të ishte të thuhej që kompanitë që prodhojnë automobila nuk duhet t’i prodhojnë të gjitha pjesët në një vend por duhet patjetër me ligj të detyrohen ta ndajnë prodhimin në mënyrë që industria të mos pësojë krizë!

Në fakt, si rezultat i ndarjes ekonomike të punës, edhe nëse të gjitha aktivitetet biznesore të çfarëdo lloji (financiare apo tjera) bëhen veçmas, këmbimi mes kompanive dhe konsumatorëve prapë ndodh. Bankat komerciale ofrojnë kredi për bankat investuese, të cilat shesin bono për kompanitë e sigurimit, të cilat blejnë bono si investim për fondet e trusteve pensionale, e kështu me radhë. Këmbimi i parasë dhe i instrumenteve financiare rrjedh njësoj, sado të izoluara të jenë aktivitetet.

Kriza u karakterizua me rrezik të pakontrolluar si rezultat i sinjaleve të gabuara, por është plotësisht e paqartë sesi ndarja e aktiviteteve biznesore do t’i korrigjonte këto sinjale. Madje, fleksibiliteti që Gramm-Leach-Bliley i dha kompanive, i zbuti efektet negative të krizës sepse falë tij ato shpejt u ristrukturuan për t’u mbrojtur nga humbjet e mëdha.

E vendet e rregulluara?

Nëse derregullimi qenka problemi e rregullimi zgjidhja, le të shohim nëse vendet e tjera me rregullim të madh financiar i kanë shpëtuar krizës. Madje, le t’i ulim kriteret, le të themi që edhe nëse kanë pësuar krizë, a ka qenë rregullimi financiar megjithatë ndihmesë për zvogëlimin e pasojave negative?

Shembulli i parë që na vjen ndërmend është Evropa. Në Evropë asnjëherë nuk ka qenë kryetar Reagan-i, kurse një ligj i tillë si Gramm-Leach-Bliley kurrë nuk u aprovua. Si djep i social-demokracisë me shtetin e saj social, në Evropë kishte rregullime edhe për formën sesi duhet të duken bananet.

E si ia doli Evropa me krizën, që natyrisht ndodhi? Jo vetëm që Bashkimi Evropian dështoi ta parandalojë e t’i zvogëlojë pasojat e saj, kriza madje doli jashtë proporcioneve dhe u shndërrua në një krizë tjetër të borxheve sovrane. Sot burokratët evropianë ende nxitojnë nëpër samite ekonomike për t’u përballur me pasojat e recesionit të cilin menduan se e kishin sanuar mirë me fashën e rregullacioneve.

Përfundim

Në ShBA pra nuk ka pasur derregullim fare por rregullim të sektorit financiar. Atëbotë në ShBA ekzistuan 115 agjenci rregullative (!) kurse prej viteve ’80 për çdo derregullim ishin shtuar katër rregulla tjera. Në periudhën 2001 deri në 2008 u futën në fuqi plot 9 rregulla, ku përfshihen edhe kërkesat kapitale të Bazelit, të cilat i dhanë nxitje të fuqishme bankave t’i shesin kontratat hipotekare (të shtëpive) e t’i riblejnë si instrumente financiare të mbuluara nga to. Prej viteve ’80 shpenzimi federal (i përshtatur për inflacion) në fushën e rregullimit financiar është rritur trefish, kurse sektori bankar përbën një kartel gjigand të kontrolluar drejtpërdrejt nga Rezerva Federale (banka qendrore).

Të gjitha këto masa ishin të pafuqishme për ta parandaluar krizën. Ky treg mund t’i duket “i derregulluar” vetëm një socialisti që beson në shtetëzimin e tregut financiar: rast me të cilin një treg i tillë do të shuhej komplet dhe kriza nuk do të ishte e evituar por gjendje permanente e ekonomisë.

Një analizë retrospektive, pra, tregon se ideja që derregullimi financiar e ka shkaktuar krizën jo vetëm që është faktualisht e gabuar, sepse një derregullim i tillë nuk ka ndodhur kurrë, por madje nuk përkon me atë që ka ndodhur para dhe gjatë krizës. E pakta që avokuesit e kësaj ideje duhet të bëjnë është ta rimendojnë fuqinë mitike të rregullimit shtetëror dhe të metat e supozuara të kapitalizmit.



 

17 nëntor 2016
19:37

Bardhyl Salihu