Pasojat e taksës së re të tokës

20 tetor 2016 10:34

Në vitin 2017 Kosova pritet të adoptojë edhe një taksë të re. Taksa e tokës do të tatojë në nivel qendror sipërfaqen tokësore private në gjithë territorin e vendit. Deri tani, qytetarët e Kosovës e kanë paguar vetëm tatimin në pronë në nivel komunash, por nga viti i ardhshëm ata do të tatohen edhe në përputhje me vlerën “e tregut” (lexo arbitrare) që qeveria ua cakton tokave të tyre.

Taksa e tokës ka dy karakteristika, të cilat çuditërisht i bashkojnë të majtit dhe të djathtit në avokimin e saj. Për të majtit, taksa është e mirë sepse është progresive (të pasurit kanë më shumë tokë, kështu që paguajnë më shumë taksë), kurse për të djathtit taksa është e mirë sepse nuk e zvogëlon sasinë e tokës (siç do ta bënte për produkte dhe shërbime) meqë ajo është fikse.

Filozofikisht, taksa e tokës buron nga një teori e shek. XIX e formuluar nga ekonomisti amerikan Henry George, që sot njihet si gjeorgjizëm (ang: Georgism). George shkruante se, meqë e gjithë toka i takon komunitetit (shoqërisë), vlera e saj duhet të ndahet nga të gjithë, jo vetëm nga pronarët e tokës. Kështu ai propozoi një taksë të tokës si të vetmen për të zëvendësuar të gjitha tjerat.

Por motivi i qeverisë druaj se nuk është gjeorgjizmi, e aq më pak zëvendësimi i taksave tjera. Me shumë gjasë motivi është ai i zakonshmi: shtrydh sa më shumë para nga taksapaguesit që është e mundur. “Nëse lëviz, tatoje!” – thoshte me satirë Ronald Reagan.

Debatet mbi taksat në Kosovë përqendrohen thuajse gjithmonë tek gjenerimi i të hyrave për qeverinë. Taksapaguesit shihen si subjekte pa të drejta pronësore, funksioni i vetëm i të cilëve është të shërbejnë si bankomatë të qeverisë. Kjo mënyrë e të menduarit e kthen krijimin e standardit të jetesës mbi kokë: në vend që qeveria të jetë burim i mirëqenies për taksapaguesit, ata bëhen burim i mirëqenies për qeverinë.

Natyrisht që taksa e tokës do të krijojë hyrje të reja për buxhetin e shtetit. Por më e rëndësishme se kjo është barra që ajo do të vërë mbi taksapaguesit më të varfër të Evropës. Kur krahasohet në raport me të ardhurat e qytetarëve të saj – e jo në mënyrë absolute siç po e konsiderojnë disa analistë si strehë tatimore – Kosova ka një barrë jo të vogël të taksave. Disa taksa janë madje më të larta sesa ato ekuivalente në vendet e zhvilluara (p. sh. TVSh-ja është më e lartë se në Zvicër, Lihtenshtajn, Hong Kong etj.). Shtimi i një peshe tjetër mbi kurrizin e taksapaguesve do ta ketë efektin e drejtpërdrejtë të varfërimit të mëtejshëm të tyre.

Taksa e tokës thuhet që është më pak e dëmshme për mirëqenien e taksapaguesve sepse taton vetëm vlerën e tokës e jo vlerën që krijohet nga përdorimi i saj. Kjo është e vërtetë, por vetëm pjesërisht. Në praktikë, qeveria do ta ketë të pamundur që në mënyrë objektive të vlerësojë shkallën e përdorimit të tokës në ato raste, kur ajo është pjesërisht në përdorim dhe pjesërisht e papunë, si dhe pastaj të nxjerrë vlerën e tatueshme.

Për shembull në rastin e tokës bujqësore, qeveria e ka praktikisht të pamundur të ndajë vlerën e tokës origjinale nga ajo e pastruar, e përpunuar dhe e lëruar. Si rezultat, çdo gjykim qeveritar i vlerës së tatueshme do të jetë arbitrar dhe rrjedhimisht i pasaktë – në dëm të taksapaguesve.

Taksa shquhet edhe për një të vërtetë tjetër të pjesshme: ajo e nxit përdorimin e tokës së papunë. Pronarët detyrohen ta vënë tokën në përdorim ose t’ia shesin dikujt që e përdor. Por nuk është e mundur që e gjithë toka të vihet në përdorim për shkak të faktit të thjeshtë natyror, që fuqia punëtore është më e rrallë sesa toka në dispozicion.

Tentimi për të vënë në përdorim të gjithë tokën nën kërcënimin e taksës nënkupton largimin e fuqisë punëtore dhe kapitalit nga përdorimet tjera më produktive dhe rrjedhimisht prishjen e koordinimit ekonomik të resurseve. Në këtë kuptim, është e vështirë të vlerësohet ndikimi pozitiv i aktivizimit të tokës dhe të peshohet me atë negativ të trazimit ekonomik.

Mbi të gjitha, ideja për taksën e tokës përbën një shembull tjetër të mendësisë së gabuar të qeverisjes që mbretëron sot në Kosovë. Në vend që të krijohen lehtësira, krijohen barriera. Nëse qeveria është njëmend e brengosur për të ardhurat e saj, atëherë le ta menaxhojë më mirë paranë publike.

Ndoshta faji për mungesën e fondeve nuk është që taksapaguesit e varfër nuk kanë më çka të japin, por që të gjitha paratë që u janë marrë janë flakur në paga, dreka, udhëtime, mëditje dhe korrupsion.

 

 

20 tetor 2016
10:34

Bardhyl Salihu