08 nëntor 2021
13:21

Shtetformimi dhe arsimi
Para se të eksplorohet tema e cila do të trajtohet më poshtë, së pari duhet shqyrtuar shkurtimisht shtetndërtimi dhe zhvillimi i arsimit në Shtetet e Bashkuara. SHBA-ja mund të konsiderohet si rast unik në kontekstin e krijimit të shtetit ‘modern’ për shkak funksionimit të decentralizuar. Sigurisht që kjo pasur një ndikim të madh në mënyrën e themelimit të sistemit arsimor dhe trajektoren që do ta ndiqte në të ardhmen.
Shekulli i nëntëmbëdhjetë shërbeu si pikë kthese dhe si një periudhë ku shteti modern po formohej. Ndërsa formësimi i shtetit si proces ishte i pabarabartë ndër vende të ndryshme, arsimi u shndërrua në mekanizëm për ta lehtësuar këtë formësim, kështu duke e bërë atë përpjekje kombëtare.
Sidoqoftë, origjina e arsimit në SHBA kishte një qëllim të rëndësishëm sipas Andy Green, i cili shqyrton rastin e Amerikës si një rast të veçantë karshi zhvillimit të arsimit në Evropë. Ai shpjegon më tej se sistemi arsimor në përgjithësi u përdor si mjet për ndërtimin e shtetit-komb, ndërsa në SHBA synohej rrënjosja e vlerave republikane, mirëmbajtjes së kohezionit social dhe të rendit shoqëror.[1]
Paul Ramsey, në anën tjetër, shtjellon ndikimin e Prusisë në sistemin arsimor amerikan dhe sqaron se një nga arsyet pse Prusia ishte pika referuese për SHBA-të, ishte etoja protestante.[2] Mund të thuhet se mënyra për t’i arritur qëllimet arsimore përmes një thjerre fetare mund në fakt të jetë metoda më efektive për t’i ndërtuar dhe ruajtur nocionet dhe vlerat e përmendura më lart. Por, si përfundim, e gjithë kjo ka ndodhur në kurriz të grave, çka edhe do të jetë fokusi i këtij shkrimi.
Qasja e grave në arsim: Pse dhe për kë?
Është e pamundur të flitet për masivizimin e arsimit në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë pa marrë parasysh rolin që luajti feja në konstituimin e nocioneve të përgjithshme me të cilat funksiononte shoqëria. Feja kishte krijuar aparatin ideologjik i cili përcaktonte vlerat e moralin, të cilat u shndërruan në rregulla që ndiqeshin nga gratë e burrat. Sarah Jane Aiston, në “Gratë, Arsimi dhe Agjencia”, argumenton sesi feja ishte një faktor kyç në ndërtimin e gruas si “tjetra”. Sipas Aiston, kjo ka margjinalizuar gratë nga shumica e sferave shoqërore dhe për më tepër ka rezultuar në përjashtimin e tyre nga rrëfimi historik tërësisht.[3] Përtej kësaj, do të mundohem të shqyrtoj perspektiva të ndryshme mbi përfshirjen e grave në arsim duke analizuar diskurset mbi atë se çfarë funksioni kishte arsimi në raport më gratë.
Epoka e Përndritjes ka qenë pak a shumë përgjegjëse për ndërtimin e sistemit të besimit amerikan. Bazuar në këtë, Maxine Green shpjegon se si shumë të tillë kishin përbrendësuar këtë narrativë për të arsyetuar pse gratë duhet arsimuar, më tutje në funksion të kujt dhe të çkaje.
Grave nuk u lejohej arsimimi për hir të marrjes së dijes dhe realizimit të vetes si subjekte, gratë e arsimuara përkundrazi do të rezultonin në bashkëshorte dhe nëna më të mira në një rend të ri botëror, në mes të lulëzimit të industrializimit dhe brenda një demokracie ‘progresive’. Ideja që gratë ishin aty si kujdestare të moralit e shpirtit si dhe figura të përkujdesjes së pafundme për të tjerët vjen shumë përpara industrializimit. Sidoqoftë, kjo nuk e ndryshoi pozicionin e grave kur ato iu bashkuan tregut të punës, kjo vetëm pasoi me ndarjen seksuale të atij tregu. Kjo do të thoshte se kishte detyra të reja për gruan në sferën shtëpiake: të mbante ekonominë e familjes të pacenuar dhe të siguronte që morali i shtëpisë të kishte standard të lartë. Kjo krijoi terrenin për ta lejuar arsimimin e grave.[4]
Për më tepër, Margaret A. Nash shpjegon këtë kronologji në një mënyrë të ngjashme. Ajo argumenton se si Përndritja prodhoi ligjërime të shumta në lidhje me arsimimin e grave në SHBA. Besohej se ajo që i dallon njerëzit nga kafshët është racionaliteti dhe ky nocion duhet zbatuar njëjtë si për burrat, ashtu edhe për gratë. Sidoqoftë, racionaliteti i gruas korrespondonte vetëm me aktivitete të veçanta brenda shoqërisë, ato të përmendura më lart.[5]
Përkrahësit e këtyre besimeve ishin të sigurt se arsimi në përgjithësi – dhe ai i grave në veçanti – do të kontribuonte në zhvillimin e një shoqërie të civilizuar. Megjithatë, roli i grave në promovimin e qytetarisë përmes arsimimit nuk i ngjante rolit të burrave. Edhe pse Përndritja promovoi racionalitetin si një nga parimet kryesore, përfshirja e këtij sistemi të besimit në kulturën amerikane nënkuptonte që burrat dhe gratë kishin racionalitete të ndryshme për shkak të ligjit natyror dhe determinizmit biologjik.
Jill K. Conway, në artikullin e saj të botuar "Perspektiva mbi Historinë e Arsimimit të Grave në Shtetet e Bashkuara”, përmend Benjamin Franklin si një figurë që ka shtyrë idetë e Përndritjes përpara, por me një vend të veçantë për gratë në shoqëri:
"Arsimimi i gruas, mendonte ai, duhet të zhvillojë tek ajo ato cilësi që do të siguronin lumturinë e saj në martesë, pasi martesa dhe riprodhimi ishin fati i saj i natyrshëm. Ishte aksiomatike për të që lumturia e grave të gjendej në martesë, prandaj gratë duhej arsimuar për t’i përdorur fuqitë e tyre në rolin e bashkëshortes dhe nënës."[6]
Sidoqoftë, historia e fragmentuar e arsimit amerikan kërkon një analizë të ngushtë. Conway argumenton se si historianët e kulturës shpjegojnë se si zhvillimi i institucioneve arsimore ka luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e kulturës demokratike amerikane, por shton se këto shpjegime anashkalojnë pozicionin e grave brenda këtyre institucioneve.[7]
Vajzat që vijonin mësimet zyrtarisht ishin të pakta në numër në krahasim me djemtë. Për më tepër, kishte pjesë në SHBA ku nuk kishte vajza fare, pasi sistemi arsimor nuk kishte një zhvillim të barabartë në të gjithë vendin.[8]
Ekzistojnë disa momente historike të cilat vlejnë të përmenden gjatë analizës së disa prej përparimeve që kishin të bëjnë me përfshirjen e grave në arsim. Për t’i renditur disa prej tyre: vajzave iu mundësua qasja në shkollat e qytezave në fund të viteve 1700, megjithëse atyre u lejohej t’i shfrytëzonin ndërtesat shkollore kur djemtë nuk ishin aty.[9]
‘Vajzat e Mullirit’ janë një shembull tjetër i vajzave të reja të cilat kishin gjetur punë në Mullinjtë Lowell gjatë viteve 1830 për paga jashtëzakonisht të ulëta, për gati tre dollarë në javë. Përgjatë kohës që punonin ato merrnin një lloj arsimimi që përfshinte shkuarjen në kishë të dielave, të mësonin shkrim-lexim, por gjithmonë nën mbikëqyrjen e menaxherëve të tyre, të cilët siguroheshin se nuk ka sjellje të këqija e të pahijshme.[10]
Nga ana tjetër, kemi Catherine Beecher e, cila konsiderohet si një figurë e rëndësishme historike që kishte luftuar për ta bërë arsimimin e grave realitet. Ajo kishte themeluar Seminaren (Seminary) Hartford për Gratë, ku edhe jepte mësim. Më tutje, ajo besonte se gratë duhet të arsimohen në mënyrë që t’i përmbushin detyrat e tyre brenda sferës shtëpiake, gjë që ishte në përputhje me mendimin e përgjithshëm në atë kohë.[11] Ka shembuj të ngjashëm të grave të klasës së mesme që menduan dhe punuan drejt të njëjtit qëllim.[12]
Kolegji Oberlin është një rast tjetër interesant. Ky kolegj bashkarsimor u themelua si një shkollë ku burrat trajnoheshin për të qenë ministrat e ardhshëm të Perëndimit. Përkrah këtij trajnimi, pritej prej tyre të punonin punë fizikë në mënyrë që ta përballonin financiarisht shkollimin e tyre. Në të njëjtën kohë, kolegjit i nevojitej një fuqi punëtore për t’i bërë punët e shtëpisë dhe njëkohësisht t’i vijonin mësimet, dhe në këtë mënyrë gratë iu bashkuan këtij ‘klubi’. Për më shumë, ato u menduan si instrumente të ruajtjes së ekuilibrit emocional dhe mendor të kolegëve të tyre burra.[13]
Duhet pasur parasysh se gratë që ishin shkolluar atëbotë ishin ato të klasave më të privilegjuara, përkatësisht të klasës së mesme. Të varfrit dhe afrikano-amerikanët ishin të përjashtuar pothuajse tërësisht nga sistemi arsimor.[14] Prandaj është thelbësore që kur mundohemi të konstruktojmë një narrativë historike në raport me gratë në arsim duhet të jemi vazhdimisht të vetëdijshëm për shumëtrajtshmërinë e realiteteve me të cilat gratë nga klasat dhe racat e ndryshme përballen. Mospërfillja e klasës e racës na çon në përfundime njëdimensionale, ku mund të na duket se përfshirja e grave në arsim si nxënëse e mësuese është e shtrirë në hapësirë e në kohë në mënyrë të njëjtësuar.
Kathleen Weiler argumenton në artikullin “Historia e Grave dhe Historia e Grave Mësuese” se duhet të pranojmë të vërteta epistemologjike të thyera që tejkalojnë koncepte fikse në lidhje me klasën dhe racën për të kuptuar fluiditetin e grupeve të ndryshme.[15] Hetimi historik që pretendon universalitetin pa i njohur realitetet e fragmentuara të grave jo vetëm në SHBA, paraqet rrezikun e përjashtimit të shumë grave nga ekuacioni.
[1] Green, Andy, Education and state formation. 2nd ed. New York: Palgrave Macmillan, 2013, p. 172
[2] Ramsey, Paul. J, "Toiling together for social cohesion: International influences on the development of teacher education in the United States.". Paedagogica Historica, Vol. 50, 2014, pp. 110-112
[3] Spence, Jean., Aiston, Sarah. and Meikle, Maureen. Women, education, and agency, 1600-2000. London: Routledge. 2011. pp. 3-4
[4] Fennema, Elizabeth. and Ayer, M. Jane. Women and Education. Berkley, California: Mçutchan Publishing Corporation. 1984. p. 21
[5] Nash, A. Margaret. WOMEN'S EDUCATION IN THE UNITED STATES, 1780-1840. 1st ed. New York: Palgrave Macmillan. 2005. p. 15
[6] Conway, K. Jill. Perspectives on the History of Women's Education in the United States. History of Education Quarterly, Vol. 14, no. 1, 1974: pp 2-3
[7] Ibid. p. 1
[8] Nash, A. Margaret. Women's Education in the United States, 1780-1840. 1st ed. New York: Palgrave Macmillan. 2005. p. 99
[9] Matthews, Barbara. Women, Education and History. Theory into Practice, Vol. 15, no. 1, 1976: p. 48
[10] Fennema, Elizabeth. and Ayer, M. Jane. Women and Education. Berkley, California: Mçutchan Publishing Corporation. 1984. p. 23-24
[11] Ibid. pp. 25-26
[12] Madigan, Jennifer. The Education of Girls and Women in the United States: A Historical Perspective. Advances in Gender and Education, Vol. 1, 2009: p. 12
[13] Conway, K. Jill. Perspectives on the History of Women's Education in the United States. History of Education Quarterly, Vol. 14, no.
1974: 1, p. 6
[14] Nash, A. Margaret. Women's Education in the United States, 1780-1840. 1st ed. New York: Palgrave Macmillan. 2005. p. 99
[15] Weiler, Kathleen. Women's History and the History of Women Teachers. The Journal of Education, Vol. 171, no. 3, 1989: p.11
08 nëntor 2021
13:21