Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

I burgosur nga rrebet e Enver Hoxhës

Fatos Lubonja përshkruan se si u dënua me të tjerë të panumërt, nën pretekstet më të zbehta, për t’u dergjë me vite në burgjet shqiptare.

Në këto kujtime të jashtëzakonta burgu, kurrkund nuk kuptojmë pse Fatos Lubonja u dënu me burg në Spaç, ku disa të burgosur punonin në minierat e bakrit. Për këtë ka shkru tjetërkund. Shtatë vjetët e parë atje i kishte për ‘agjitacion dhe propagandë’, pasi policia ia gjeti ditarët me kritika ndaj tiranit Hoxha në papafingon e shtëpisë së axhës. Ndërsa bënte burgun, u ridënua me 25 vjet të tjerë për përfshirje në një organizatë kundër-revolucionare. Diktatorit nuk i zgjati aq gjatë. Fatosi bëri 17 vjet, pjesërisht në Spaç, pjesërisht në kampe të tjera.

Nuk ishte e vështirë me qëllu në anën e gabuar të paranojakut Hoxha. Një burrë, Zefi, u burgos sepse bëri gabimin që vinte kapelën derbi në Tiranë në kohën kur ajo i pëlqente diktatorit; kur e pa Enveri, e interpretoi sikur burri me kapelë mendonte se ky po e humbte pushtetin. Në burg ishin një numër i madh kolosësh të politikës që kishin rënë nga fiku për shkak të ndonjë devijimi ideologjik. Të burgosurit e tjerë qenë kapë duke u përpjekë me u arratisë nga Shqipëria me not drejt ndonjë anijeje të huaj ose matanë liqenit të Ohrit, ose duke ikë nëpër kufirin grek. Spaçi ishte burg brenda një burgu shumë më të madh.

Kapitull pas kapitulli takojmë një grusht shokësh të Lubonjës. Vetë autori rrallëherë është në qendër të vëmendjes, përveçse në fillim, kur mbërrin në shkurt të vitit 1975 dhe sheh “atë vorbull njerëzore të neveritshme” të burgosurish të mbledhur në një hapësirë të rrethuar: “U gjeta duke pa një masë të çuditshme krijesash njerëzore, të një lloji që nuk e kisha pa kurrë në jetë. Kisha pa turma më të mëdha… por mënyra si lëviznin këta njerëz ishte ajo që e bënte këtë tufë të njerëzimit kaq të pazakontë… të burgosurit me ankth ecnin para-mbrapa, andej këndej, brenda asaj hapësire të kufizuar”.

Kjo ia kujtoi një dokumentar për ujqit në kafaz. Ndërsa ndodhej në qeli, edhe vetë nisi të ecte para-mbrapa.

Një ndër të burgosurit ishte një mace e bukur, në pronësi të një të burgosuri minoritar grek, që tri herë kishte tentu me u arratisë nga Shqipëria. Macja përnatë përbirohej nëpër dritaren e vëzhgimit të derës së qelisë dhe hopte me u lëshu në dysheme. Ua thekte zemrat edhe të tjerëve në qeli: “Nuk kishim ndje diçka si prekjen e saj e butë për aq shumë kohë. Nuk ishte si prekja e një gruaje, po veç prekje kafshe, e megjithatë ndjeheshim të ngrohur nga një tjetër krijesë, me intimitetin që kjo sillte. Kënaqësia ishte shumë e fortë në atë shoqëri burrash, ku kontakti me çdo trup tjetër, thënë ndryshe, me trupin e një mashkulli, ishte tabu”.

Mjerisht, macja i gjuante lepujt e rojeve dhe prandaj e qëlluan. Pronari i saj u tërbua dhe u ulëriti rojeve; përfundoi i mbërthyer me zinxhirë në qelitë e dënimit dhe e zgjidhën ditën e gjashtë.

Edhe një tjetër i burgosur e mbante një mace, por ia vranë armiqtë. Burgu, si gjithmonë, nxiste skajshmërinë e çnjerëzimit të njeriut ndaj njeriut (dhe maces), përveç kur shpaloste njerëzillëkun e njeriut ndaj njeriut – nga i cili po ashtu kishte raste mjaft. E njëjta vlente për rojet. Njërit i pëlqente me i goditë burrat dhe ndodhte ta mbulonte viktimën me një copë llamarine e ta rrihte sa mundte. Një tjetri i pëlqente “me përgju prej grilave dhe me i kapë të burgosurit duke bë diçka të ndaluar, si për shembull duke luajtë letra, duke u ngjitë në dritare, duke ushtru gjimnastikë, duke u grindë…” Mandej vinin provokatorët, të futur në qeli me nxitë komente të pamatura. Seksi dhe privimi seksual ishin obsesione të vazhdueshme. Megjithatë, për çudi, një i burgosur ia doli ta fitonte një vizitë bashkëshortore nga e shoqja, koncesion suedez i çuditshëm ky.

Kishte të tjera shkarkime: “Nevoja për ta kalu kohën, e cila rëndonte mbi të burgosurit si një mal i padukshëm i kurrgjësë, i shtynte me i gërvishtë disa rreshta në dërrasat e dyshemesë me një dorezë të mprehur luge ose gozhdë të kontrabanduar. Fushat e zeza dalloheshin nga të bardhat nga disa vija të zhdrejta gërvishtë brenda tyre… të burgosurit e rinj i bënin figurat [e shahut] duke ngjeshë thërrime, e njëri lojtar i përziente të vetat me hirin e cigares”.

Në mes të lojës në një qeli, kur lojtarët ishin larg, tjetri i burgosur i hante figurat.

Është ka një kastë mahnitëse këtu: Doni, që çdo vit ua ngjallte shpresat njerëzve duke këmbëngulur se do të vinte amnistia; i burgosuri politik, dikur aq i përkushtuar ndaj kauzës, sa me shokët e kishin rrahur për vdekje një fshatar rumun për kritikimin e Bashkimit Sovjetik; prifti katolik dhe një maniçean protestant, secili me mendimin vetjak mbi kuptimin e të vuajturit. Pse, pyet veten Lubonja, shkruan për këta burra? Ndoshta ata ilustrojnë më së miri pranimin ose refuzimin e jetës në “këtë kazan të krijuar nga djajtë për t’i shkatërru shpirtrat”. Por në fund, ai dhe ata janë formuar nga jeta në burg, dhe tash e kupton se “kjo hapësirë e pamatë në të cilën do të ecim me trup e shpirt të qetë… mund të gjendet vetëm duke bë një bilanc të prangave që i kemi lënë pas”.

Edhe proza e kursyer e përkthyesit John Hodgson është e bukur.

Artikulli origjinal në anglisht.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Opinion

Samiti Ukrainë-Europë Juglindore, i cili u mbajt më 28 shkurt në Tiranë, i vijuar një ditë më vonë nga Samiti Ballkan Perëndimor-BE, mund të...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.