Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Poezia është qëllimi ynë antropologjik (II)

Krijuesi i cili një jetë njeriu rropatet të ngjitet në përmbi Gllamë!

Aty është topika që e mban në këmbë strukturën poetike të Musliut. Pastërtia dhe e bukura e këtyre vargjeve shpalosin para lexuesit tërë tragjiken dhe klithmën e njerëzve gjatë qeniesimit të tyre nëpër mileniume, saqë të duket se ti sapo dëgjon klithmat e shqiptarit të munduar e të poshtëruar – të zënë peng në darët e kohë-hapësirës – vetëm pse ka mësyrë atë Majë artistike dhe antropologjike!?

Vëllimi poetik “Orfeiana” i këndon jetës së shkruar keqas, për qenien kolektive të autorit, për ne, për mua dhe ty, për secilën qenie të shkelur e të munduar përgjatë Golgothës së udhëtimit drejt Majës – drejt secilës Majë dhe kudo në rruzullim – sepse klithma e poetit, po aq sa verbi i tij, është klithmë universalë, si një “Shoah” e hebrenjve, apo ni vajmedet i shqiptarëve! Maja e Zezë e shquan jo vetëm të bardhën, por të purpurtën që është rroba më e bukur e poezisë së Musliut, ku ai e dëshiron prehjen pas vdekjes, sikur që, pati thënë ikona e filmit meksikano-amerikani Anthony Quinn, fitues i dy Oscarëve, piktor dhe shkrimtar, para se të vdiste më 2001, se dëshironte që trupi i tij të ngjitej në Pico de Orizaba – Citlaltépetl ose në “Majën e bardhë”, që aty të tretej ngadalë i rreshkur në diellin e atdheut, i rrahur nga erërat dhe shirat, i ngrënë nga shpendët.

* * *

Nga Maja që shikohen të gjitha gjërat mes vete

Zbriti një i verbër dhe qau për një lule tha

Orvatuni o të munduar të arrini atë lartësi

(Musliu, Beqir, “Orfeiana”, “Faik Konica”, 2004; (“Maja e Zezë”, fq. 256)

Poezia si lëvizje pa luajtur vendit, pavdekësi e njeriut

Mësymja e Majës prej ku arti sheh botën e gjërave – ndërsa njeriu është qenie e verbër që tashmë e di se për çfarë duhet përpjekur për të gjallë – thjeshtë për ta arritur atë lartësi arti: Majën e poezisë, për ta shprehur botën njerëzore (antroposin) si majë e qeniesimit në-botë e jo vetëm të bukurën (estetikën e Majës.)

Klithma e Musliut përmbi fatkobin historik të qenies së tij individuale dhe artistike (njeriun Musliu e koncepton si artist) të shfaqet si një ciklon emotiv, që ik së bashku me poetin nga ky realitet i shpifur tokësor. Mund t’i kisha thënë poetit tek pinim kafe te “Elida”: “Beqë, këtë nuk e ke shkruar ti, por dora e Zotit!”) Musliu në heshtjen e së shkuarës e gjen një këngë, për më tepër një mallkim, i cili nuk i shqitet racës njerëzore si Fatumi Nietzschean i rikthimit të përhershëm të së njëjtës, e që dhemb kumbueshëm siç bie këmbana në një kishë, në një vend pa besimtarë…

E që lind heshtjen, të bukur e të paqortueshme të njeriut të munduar…Heshtja nuk thuhet me fjalë, sepse s’ka fjalë!!! Gjeneza e poetikës së Musliut manifestohet në planin gramatikor dhe semantik. Për postmodernën është karakteristike loja me këndvështrimet, përdorimi i distancës ironike, e ndonjëherë relativizimi dhe zhvlefëtsimi i së kaluemes nga autori.

Duhet thanë në fund se ky poet e rikthen të shkuarën jo për ta qortuar e për të nxjerrë mësim nga ajo, porse për ta parë e medituar rreth mallkimit, që akullt na rri përballë, i ballsamosun, e na flet, që të mos lejojë kurrë më tjetrin që ta cenojë të sotmen, që qysh tani është e shkuara!!! E shkuara na duhet jo për të na mësuar hakmarrjen – që kalon nëpër damarët e gjakut – por për një hakmarrje estetike!

Nëse për bashkëkohanikun e tij dhe kritikun Ibrahim Rugova (më vonë lider i shqiptarëve kosovarë në luftën e tyre për liri) refuzimi duhej të ishte estetik, për Beqir Musliun ky ideal poetik ishte hakmarrja estetike. Dua të them se Musliu atyre që deshën t’ia vjedhin purpurin majës së Gllamës ua ka nxjerr hakun përmes estetikës së tij, duke ua dhuruar ‘statujën’ e të gjitha mallkimeve njerëzore, që janë edhe të tyre – pra universal – përgjatë historisë, kohën e mishërueme (trupëzueme) në artin poetik!

Poezia “Maja e Zezë” (vendos lidhjen si ashti me mishin mes veprës së Musliut “Bukuria e zezë” dhe “Orfeiana” dhe është vendosë në kohë të kondensume, (veprimi kryhet prej të menduemit deri te te bamunit art, pra vdekja mungon) dhe në një hapësirë metafizike të paanë, ajo ‘skulpturohet’ në atë mënyrë sa që kufiri i marrëdhanies me poetin zhduket; Autori, si pamës dhe në-bamje [në-të-bamë] e kundron artin e tu-bamësisë të poetit (orvatja me e mbrri Majën) e jo vet aktin e mbërritjes, si përvojë dhe kujtesë – kështu lind poezia dhe autori e bën atë shkëputjen brilante nga jeta në vepër arti dhe tashmë i ngjan secilit shenjtor – si personazh konceptual –  tue u ba “poet në të bamë e sipër, pra ngjarje pafundësisht e shkume” e cila si percept e bën jetën e vet si një visore para njeriut, në mungesë të njeriut – në ndër-kohë (Deleuze&Guattari), që rri në kambë, vetvetiu mes dy çasteve: orvatjes me arrite Majën dhe qetimit, ose lëvizjes së ndalun.

Për me iu përgjegjë pyetjes se si mund të bash një çast të botës jetëgjatë ose ta bash atë çast të ekzistojë në vetvete, Deleuzeja&Guattari citojnë Virginia Woolfin, e cila jep një përgjigje që vlen për muzikën dhe pikturën, po aq sa për shkrimin: “Të ngihet çdo atom”, “Të eliminohet çdo llum, vdekje dhe kotësi.” Deleuze&Guattari.)

Deleuzeja & Guattari për monumentalen e marrin shembullin e Claude Simonit që përshkruen dashuninë e naltë pasive të grues-tokë, ai skulpturon një afekt deltine prej ku mundet me u shprehë: “asht nana  jeme”. Badiou kësaj qasjeje i ban dy vërejtje. E para, sipas tij, filozofia i referohet skulpturës Deleuze&Guattari) si art sipëror dhe e dyta, asht mësymja e filozofisë nga arti, sepse arti asht “bllok perceptesh dhe afektesh”, ose “bllok ndijimesh”, prej ku buron edhe funksioni paradigmatik që i njihet skulpturës.

Këta dy autorë këtë cilësi ia atribuojnë skulpturës. Te poezia “Vdekja e Poetit” (me a të madhe, sepse konsideroj se Poeti në këtë rast është bashkëkohaniku e bashkëqytetari i Musliut, Rexhep Elmazi (1938 – 1978)) poeti flet – me mospraninë! Ai është qenie-në-botë, [meqenësi] kurse poezia e krijuar me fuqi njerëzore është monument, pra jonjerëzore.

Por monumenti flet…

Në këtë kërkim pa fund, Tomas Man-i ka sjellë ndihmesën e vet shumë të rëndësishme: “Ne mendojmë se veprojmë, ne mendojmë se mendojmë, por është një tjetër, ose të tjerë, që mendojnë dhe veprojnë brenda nesh: zakonet e paharrueshme, arketipat që duke u bërë mite kalojnë nga një brezni në tjetrën, zotërojnë një forcë të madhe ngashënjyese dhe na teledrejtojnë (kështu thoshte Mani) që prej “pusit të së shkuarës” – shkruan Milan Kundera.

Era që fryn dhe bari që rritet pas shiut, gjithashtu flasin – por gjuha asht e vorfun  për me shenjëzue atë që thonë. Lulekuqet (Emërtesa biblike e poetit për florën), gjethet, drujtë, gurët dhe ajri si “qenie të arratisjes” deleuzeiane – dhe posaçërisht ajri, flasin.Deleuzeja&Guattari  tue e marrë si shembull Marcel Proust-in, i cili, me çdo gja të fundme, formon një qenie ndijimi që nuk pushon me qenë, por tue u arratisë nëpër planin e kompozimit të Qenies.

Autorët në shekullin XIII shkrujnë se muzika ndoshta mishëron më tepër fuqi sesa artet e tjera. “Por, kompozitat e ndijimeve, blloqet tingullore, janë po aq parete ose forma kundrimi që për secilin rast duhet të puthiten për të siguruar njëfarë mbylljeje. Rastet ma të thjeshta janë ai i aries melodike që asht një refren monofonik, motivi që asht tashmë polifonik, element i një melodie që ndërhyn në zhvillimin e një melodie tjetër  tue realizu kontrapunktin, tema si objekt modifikimi harmonik përmes linjave melodike.” (Deleuze&Guattari.)

A nuk janë qenie ndijimi tue u arratisë, pra arie, ajri që këndon i autorit të këtij shkrimi dhe ora që ec pa pra, pa ndërrue vend e Mjedës?”Qëllimi i poezisë është përvojë, në thelb e pathënshme: e bukura vepron me diçka që është e pathënshme, e papërshkrushme, e parrëfyshme… Por, nëse duam të bëjmë të njëjtin veprim me ndihmën e gjërave të thënshme, përmes gjuhës apo nëse ndijmë se përdorimi i gjuhës prodhon të njëjtën gja, do të thotë se tashti gjuha përdoret për atë që të krijojë të nemiturën, që gjuha shpreh nemitjen.” (Zigmund Freud.)

Poezia është pra ringjallje, (reinkarnacion), besim dhe fe e be – se jemi – se kemi, pra është kamje, adresë pra shtëpi. Poezia, ç’ është pra kjo, pos besim, kujtesë, bërje, lëvizje pa luajtur vendit, pavdekësi e njeriut, pra qëllim ynë antropologjik.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.