Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Zgjoi: historia e një heroine

Që të quhesh një kineast i mirë të duhen dy elemente kryesore: vizioni dhe pasioni. Pasion për çështjet që eksploron në punën tënde dhe vizion për mënyrën se si i komunikon ato me publikun.

Me filmin e saj të parë me metrazh të gjatë, Zgjoi, Blerta Basholli ka treguar me hijeshi se i ka të dyja këto atribute – dhe mendoj se që tani ajo mund të konsiderohet si një pjesë e asaj që Ray Lobo ka quajtur ‘fillimet e një epoke të artë kinematografike’ për Kosovën në shkrimin i tij për filmin. Basholli po tregohet radikale në mënyrën e saj të qartë dhe të qetë. Zgjoi shtjellon traumën shoqërore të Kosovës duke vënë nën mikroskop historinë e një gruaje që mbart dhimbjen e saj me dinjitet dhe mënyrë të qëndrueshme, që përballet me barriera kulturore, kufizime dhe pengesa që nuk janë të pazakonta për shumicën e grave, dhe që përfundimisht i kapërcen ato me kompetencë.

Në luftën e saj për mbijetesë dhe pavarësi, ajo përkrahet prej një grupi grash dhe së bashku na tregojnë se çfarë mund të arrijnë gratë kur veprojnë me solidaritet. Midis tyre është dhe Adriana Matoshi, në rolin e Lumes (përsëri!). Mbase emri i saj në ekran është i zakonshëm, por aftësia e saj interpretative si në role kryesore, ashtu edhe në role dytësore, duket njëlloj e rafinuar, pra talenti i saj vetëm i zakonshëm nuk mund të quhet.

Janë të rrallë filmat ku çdo kuadër dhe çdo moment, çdo gjest dhe çdo skenë mbart aq shumë emocione dhe kuptim. Dhe akoma më të rrallë janë filmat që mund të adresojnë dhe trajtojnë tema të ndryshme njëkohësisht në një nivel të kënaqshëm: komploti këtu zgjerohet për të nënshtruar traumën personale si pjesë e traumës shoqërore, të qenët grua në një shoqëri patriarkale, ndërthurjen e kategorive shoqërore së klasës dhe gjinisë, familjen me një prind, një vajzë adoleshente që po shndërrohet në grua me ciklin e saj menstrual të parë dhe ndikimin e mungesës së figurës atërore mbi personazhin e fëmijëve adoleshentë.

Elementi më i admirueshëm i filmit është fakti se na tregon dy imazhe të gruas që koekzistojnë – njëri është një imazh që rrjedh nga perceptimet shoqërore që janë konsoliduar në kohë (gruaja si seksi i dobët) dhe tjetri është një imazh që vë në pikëpyetje ato perceptime. Nga njëra anë, gruaja si adoleshente që pi duhan fshehurazi nga të mëdhenjtë (dhe Yllka mesa duket nuk e pi duhanin në të vërtetë sepse cigarja duket gjë e huaj në dorën e saj), që ul kokën kur i flet i madhi dhe kur i përgjigjet atij, që heq dorë nga vendimet dhe veprimet e saja dhe u nënshtrohet urdhrave të të mëdhenjve.

Nga ana tjetër, gruaja si një personalitet i plotë me dëshira dhe ambicie, shqetësime, shpresa, dhimbje dhe sfida të përditshme; si një njeri që u kundërvihet paragjykimeve dhe dëshmon natyrën e tyre arbitrare, si një person me forcë të brendshme aq të fuqishme sa lufton paragjykimet, amoralitetin dhe padrejtësinë me gjeste simbolike: duke e shtyrë në tokë atë që e sulmon seksualisht, dhe duke thyer me një gur xhamat e kafenesë, si simbol i patriarkatit. Duke e treguar këtë kontrast, regjisorja e përbuz dhe e përçmon në njëfarë mënyre fabrikimin e imazhit të parë.

Gjithashtu, edhe aktrimi delikat i Yllka Gashit na ngacmon për t’i rikonsideruar rolet, stereotipat dhe normat gjinore pikërisht sepse mishëron diçka që ndodh gjithkund pas dyerve të mbyllura, megjithatë ngelet një realitet i pathënë. Basholli dhe Gashi e kanë thënë shumë hapur dhe qartë. Fahrija është një heroinë e padukshme, derisa një tregimtare e zonja si regjisorja Basholli t’i japë zë për të folur dhe fytyrë për të na treguar. Si një arkitekte, ajo përcakton mënyrën dhe kohën se si do të prezantohen dhe do të ndërlidhen këto dy imazhe në mënyrën më efektive dhe të mprehtë, duke vënë në pah trupin e gruas ‘të goditur’ (të pickuar nga bletët), të lodhur nga puna e përhershme, të trajtuar me dhunë dhe mosrespektim.

Për mua qe një moment kyç skena ku Fahrija jep provimin për patentën në një klasë ku është e vetmja grua. Dhe në atë moment mendova se ky është një imazh mjaft i njohur kur bëhet fjalë për gra që kanë hapur rrugëtimin drejt emancipimit në një mënyrë apo në një tjetër. Pra, nuk mund të mos kujtoja skena të ngjashme: ishte Keira Knightley te filmi The Imitation Game (2014) në rolin e Joan Clarke, ishte edhe Janelle Monae te filmi Hidden Figures (2016) në rolin e Mary Jacksonit, të ulura në një klasë midis burrave që ndodhen aty, qoftë për të dhënë një provim të vështirë, qoftë për të studiuar një lëndë ku mazhoranca janë burra përkatësisht. Në mënyrë të ngjashme edhe Yllka Gashi këtu është një agjente të ndryshimit në perceptimin e roleve gjinore ashtu siç ishin paracaktuar deri tani. Janë pra momente të vogla si ky që i japin filmit një esencë shpërthyese, të vrullshme, si një zgjim – the Awakening!

Zgjoi është një tregim që mundëson të kuptuarit më të avancuar të dimensionit në të cilin gruaja dhe puna e saj janë nënvlerësuar në kontekstin e luftës dhe periudhës e pasluftës. Gjithashtu, filmi shënon dhe nevojën urgjente në këto situata për individët të organizohen pas një objektive për të ndikuar ndryshime thelbësore në status quo-në. Dhe nëse gra të tjera si Emine Vitija Brahimi dhe Ibadete Canolli-Kaçiu kanë kontribuar në frontet e luftës, Zgjoi manifeston se gra të tjera si Fahrije Hoti kanë kontribuar në frontet e brendshme të shoqërisë kosovare, në rrjetat e familjes, të biznesit, të komunitetit në përgjithësi.

Duke shpalosur historinë e Fahrijes në një mënyrë të përpiktë, filmi dokumenton edhe përjashtimin e gruas nga diskursi lidhur me kohën e luftës dhe pasluftës, por më tepër ndërton një lloj shtatoreje për ta shpëtuar në një farë mënyre imazhin e gruas nga portretizimet e zakonshme si viktimë në kohë lufte – këtu ajo është një heroinë dhe tani ne të gjithë e kemi parë dhe nuk mund ta kthenim kokën anash. E pakta që mund të bëjmë është t’i japim një Oscar!

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.