Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Kadillak dhe manaferra: një poezi e ndryshme

Duke shikuar trajektoren e karrierës së saj duket qartë se regjisorja e mirënjohur Suela Bako bën hapa të mëdhenj me çdo projekt. Perceptimi i saj regjisorial ka arritur një pjekuri krejtësisht të balancuar dhe kjo duket në filmin e saj të fundit Kadillak dhe Manaferra, me të cilin ajo po kthehet përsëri në një fushë që i flet zemrës së saj: te tregimi i dramës personale, te historia e individit të kufizuar [qoftë nga konteksti familjar (Darka, 2014), apo nga zgjedhje personale (Mëngë Këmishe, 2015), nga pamundësia të përballet me një sistem thellësisht problematik dhe të paaftë (Unë quhem Sonila, 2020), ose nga rrethana shoqërore (Kadillak dhe Manaferra, 2021)].

Në rastin e filmit Darka, kamera në përgjim të dramës përcjell ndjenjat e padurimit dhe të druajtjes të personazhit kryesor, Diana; kurse te Mëngë këmishe kamera statike vizaton disa imazhe befasuese për të na futur në ambientin e personazheve, para se t’i kapë ata në një kuadër ku duken sikur do të humben aty përherë, duke pasur vetëm njëri-tjetrin. Kur e pashë filmin për herë të parë, i thashë zonjës Bako se më pëlqeu shumë se si teknika e kamerës komenton mbi gjendjen shpirtërore të të dy personazheve, gjithashtu dhe efekti që ajo krijon mbi shikuesin – një efekt shumë i fuqishëm! Dhe të njëjtin efekt ajo krijon në filmin Unë quhem Sonila, përmes kamerës nervoze e cila transmeton ndjenjën e pamundësisë të individit të reagojë kundër paaftësisë sistemore.

Gjithmonë ajo tregon një tendencë për t’u fokusuar në personazhe femërore. Por, në rastin e Kadillak dhe manaferra, ajo përballet me një skenar krejt mashkullor, ndaj dhe më sfidues, siç është shprehur dhe vetë. Për mendimin tim, Kadillak është kryevepra e saj. Këtu ajo po shpalos intensitetin e një drame personale duke përdorur thjesht ndriçimin dhe ngjyrat, dy mjete kryesore që pasqyrojnë psikologjinë e personazheve. Në të gjithë filmin mbizotëron kontrasti midis gjërave të kundërta dhe ky kontrast kulminon me vizualizimin e antitezës midis nevojës njerëzore për liri dhe shtypjen e kësaj nevoje nga fuqi më të mëdha se individi, siç është një sistem totalitar.

Kadillaku si simbol i një industrie gjigante të një vendi i cili u bazua mbi idenë e lirisë të individit për tu zhvilluar në një superpower dhe manaferrat si simbol i një vendi të vogël, një kujtesë për thjeshtësinë e vendit lokal. Dhe është pikërisht kjo thjeshtësi të cilën regjisorja e thekson përmes kontrastit të ndriçimit që ajo përdor: ngjyra të ftohta për të theksuar jetën e pashpresë në ambientet e punës manuale, ndërsa ngjyra të ngrohta në momente ku theksohen njeriu dhe jeta e thjeshtë – një prind duke mbledhur manaferra për të birin; një vizatim i një makine të kuqe për të ndihmuar djalin në detyrat e shkollës; një udhëtim i vogël nëpër peizazhin lokal me një Kadillak të kuqe.

Të gjitha elementet e filmit gërshetohen në harmoni si vargjet e një poezie – një poezi pamore vërtet elegante – dhe së bashku me interpretimin natyral të të dy personazheve kryesorë (Marini dhe Secretari i Partisë) ofrojnë një përvojë të këndshme vizuale, edhe pse subjekti është krejt serioz dhe i trishtë në thelb. Mbase ky është dhe kontrasti më i fuqishëm që regjisorja ka ndërtuar, duke i dhënë kështu frymë skenarit të Bujar Alimanit, i cili e ka bazuar këtë histori në ngjarje të vërteta. Sa për interpretimin e Daren Karrameto, mund të themi se ka ende hapësirë për përmirësim dhe mosha e tij i lejon kohë për të ndjekur dhe arritur statusin e një aktori të madh.

Lulzim Zeqja na bind që nga momentet e para se është një njeri i thjeshtë, madje dhe pak naiv, i patëkeq; ndërsa Myzafer Zifla qëndron gjithsesi i përshtatshëm në rolin e tij si njeriu i sistemit, Sekretari i Partisë, serioz, cinik, dhe i pamëshirshëm siç u tregua në fund. Dhe çka bën përshtypje është këmbëngulja e Marinit të refuzojë kërkesën e Sekretarit edhe pse ky i fundit po e kërcënon haptazi, duke rrezikuar kështu ta lërë të birin jetim.

Natyrisht, ne presim të shohim Marinin të sillet i kujdesshëm për të siguruar se djali i vet nuk do të ngelet pa prindër, por ai përkundrazi i injoron të gjitha kërcënimet; dhe ndoshta qëndrimi i tij tingëllon si një pikë e dobët në skenar, por mbase është thjesht një vendim i ndërgjegjshëm i Alimanit për të krijuar në këtë mënyrë një efekt dramatik dhe për ta treguar pashmangshmërinë e dramës personale në një regjim totalitar. Askush nuk i shpëton padrejtësisë me të cilën një sistem i tillë trajton popullin të nënshtruar.

Dhe ndoshta rezistenca e Marinit është një gjest personal shembullor kundër bishës së diktaturës. Dhe ndoshta ky është mesazhi i filmit për publikun: rezistoni çdo lloj manipulimi dhe shtypjeje, dhe mos harroni t’i shijoni gjërat e vogla dhe të thjeshta në jetë. Në fund të fundit, asnjë regjim nuk mund t’jua vjedhë momentet dhe kujtimet e tuaja më të çmuara, sado të vogla apo të shkurtra, qoftë një Kadillak apo disa manaferra!

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.