Nga humbja në rikthim: përgjigje ekonomike ndaj pandemisë

Dr. Alban Zogaj dhe Dr. Lumir Abdixhiku

17 dhjetor 2020 14:27

Punimin mund ta shkarkoni këtu.

Abstrakt: COVID-19 është pandemia më e ashpër që ka goditur botën që nga “Gripi Spanjoll” i viteve 1918-1919. Pandemia ka prishur rrjedhën normale të jetës, ka ndryshuar sjelljet njerëzore në ekonomi e treg, ka shtyrë sistemin shëndetësor në limitet e kapacitetit të tij, dhe ka futur ekonominë botërore në recesion të thellë. Në mungesë të politikave më të targetuara, qeveritë kryesisht zgjodhën kufizimin e pjesshëm apo të plotë të lëvizjes (siç ishte mbyllja e periudhës Mars-Qershor në Kosovë), të cilat masa – natyrshëm në vete bartnin një kosto ekonomike. Pasojat ekonomike të këtyre masave janë – në gjithë paparashikueshmërine e viteve më parë – dramatike. Ato, së paku në periudhën afatshkurtë u shoqëruan me pasiguri investimesh, me rënie të konsumit, me rritje të papunësisë e me mbyllje të përkohshme e të përhershme të bizneseve. Shumë industri botërore u goditën rëndë nga kufizimi i lëvizjes nëpër botë. Të tjera ndryshuan sjellje. E për të zbutur recesionin ekonomik, qeveritë në vendet e industrializuara implementuan stimuj të shumtë fiskal, të financuar kryesisht nga rezervat apo borxhi publik. Vetëm deri në maj 2020, shumë prej këtyre vendeve kanë shpenzuar deri në 10% të Bruto Produktit Vendorë (BPV-së) së tyre në masa të tilla fiskale. Kosova – si shumë shtete tjera në zhvillim – nuk ka kapacitete financiare të alokojë drejtpërsëdrejti rreth 10% të Bruto Produktit Vendorë në stimuj të tillë ekonomik. Por Kosova, si shumë shtete të tjera në rajon e Evropë duhet të ketë kapacitete të mjaftueshme për të a) krijuar politika ekonomike e fiskale që fillimisht zbusin goditjen ekonomike të pandemisë; dhe b) politika që nxisin rimëkëmbjen pas pandemisë. Për të kuptuar natyrën e politikave të domosdoshme të Kosovës, fillimisht duhet kuptuar pasojat që pandemia ka krijuar në periudhën e deritanishme si dhe pritjet për dëmet që e njëjta mund të krijojë deri në normalizimin e plotë. Qëllimi i këtij punimi është të përmbledhë fillimisht pasojat kryesore makroekonomike që janë krijuar në vend, dhe të sugjerojë më pas – në vija të trasha – politikat eventuale që vendi ynë mund dhe duhet t’i ndjekë. 

Botues: Sbunker

Seria: OSF Alumni papers

Autorë: Dr. Alban Zogaj dhe Dr. Lumir Abdixihiku

Mbështetur nga: Open Society Foundations dhe Kosovo Civil Society Foundation (KCSF)

 

 

17 dhjetor 2020
14:27

Redaksia