Durim Abdullahu

Durim Abdullahu është historian dhe gazetar, asistent në Universitetin e Prishtinës, në Departamentin e Antropologjisë dhe Departamentin e Historisë. Doktorant në historinë mesjetare të Ballkanit Perëndimor, tekstet e tij akademike kanë për temë raportin mes mitit dhe historisë, aplikimin e hermeneutikës dhe semiotikës ndaj teksteve mesjetare, udhëpërshkrimet si burime historike dhe etnografike si dhe trashëgiminë e luftës në Kosovë. Më 2015, ai ka qëndruar për hulumtime në Braunschweig të Gjermanisë, si hulumtues në Institutin Georg Eckert, ku ka bashkë shkruar librin “Myth and Mythical Spaces: Conditions and Challenges for History Textbooks in Albania and South-Eastern Europe”. Më 2018, ka themeluar një fond prej rreth 100 librash të udhëtarëve dhe misionarëve të huaj, që kanë shkruar për shqiptarët (1800-1945), kataloguar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Durim Abdullahu ka bërë hulumtime për historinë e Universitetit të Prishtinës, prej nga ai është bashkëautor i dy monografive: për 50 – vjetorin e Universitetit të Prishtinës dhe për 60 – vjetorin e Fakultetit Filozofik. Ligjërues i historisë së artit, Durim Abdullahu është autor dhe kurator i dy ekspozitave dokumentuese: “Udhëpërshkrime shqiptare” (2018) dhe “Mote universitare” (2020), ndërsa ka shkruar për ekspozita të artit bashkëkohor, i ftuar nga Galeria Kombëtare në Tiranë dhe Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës. Si ish-gazetar në KTV (Kohavision), ai ka drejtuar emisionet COSMO dhe CODEX, duke realizuar shumë reportazhe e dokumentarë televizivë si dhe intervista, kryesisht për kulturë.