Shtrëngimi i pabazë i lirisë së shprehjes së mllefit

Nj? rast i ushtrimit t? s? drejt?s s? liris? s? shprehjes me mllef n? De?an, ?sht? komplikuar dhe ?sht? shnd?rruar pa nevoj? n? proces gjyq?sor.

10 tetor 2017 10:58

Asim Cenaj, shqiptar nga komuna e Deçanit, kishte qenë 14 vjeç kur babai i ishte zhdukur në rrethana të luftës së fundit ndëretnike në Kosovë.

Para afër një viti, në një takim me kosovarë serbë dhe malazezë të zhvendosur në Serbi pas largimit të forcave të Republikës së Serbisë nga Kosova, Cenaj kishte kritikuar institucionet përse nuk kishin folur paraprakisht me komunitetin shqiptar për takimin dhe kishte paralajmëruar se do të ftonte banorët “për t’u ballafaquar” me autoritetet e pranishme.

Si pasojë, ai ka gati një vit që zvarritet gjykatave për nxitje të urrejtjes.

Në këtë bllog argumentohet se ky rast që hyn direkt në fushën e ushtrimit të së drejtës së lirisë së shprehjes në mënyrë të mllefosur, është komplikuar dhe është shndërruar pa nevojë në proces gjyqësor për dyshime që sanksionohen me kodin penal.

Takimi në sallën e Asamblesë Komunale të Deçanit më 1 dhjetor 2016 ishte iniciativë e disa organizatave për refugjatë. Cenaj kishte kuptuar për takimin në komunë, ku punon si përgjegjës për çështje të personave të pagjetur.

Në cilësinë e pjesëmarrësit, Cenaj ishte shprehur në takim: “Të keni turp që keni ardhur, sepse nuk jeni të mirëseardhur. Ne e dimë shumë mirë kush jeni ju. Ju më vratë sot për të tretën herë dhe ardhja juaj është provokim për ne. Fillimisht është dashur që policia, kryetari i komunës dhe KFOR-i të pyesin fshatarët. Ne i njohim fort mirë kush janë, ne e kemi formuar edhe dosjen. Sikur të kishit pasur pak nder dhe moral nuk do të kishit ardhur për të na provokuar kështu. Tani për 30 minuta do t’i lajmëroj të gjithë familjarët e të pagjeturve dhe të vrarëve që janë me qindra, tani kryetari dhe KFOR-i le të ballafaqohen me ta”.

Materialet e prokurorisë nuk sqarojnë se për çfarë “ballafaqimi” kishte aluduar ai, kur e kishte lënë takimin pas fjalës së tij, dhe nuk mund të hidhet poshtë mundësia se ai nënkuptonte praninë e civilëve tjerë shqiptarë në takimin publik.

Cenaj ishte arrestuar dhe ishte ndaluar për 48 orë në polici. Më 7 mars 2017, prokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë (dega në Deçan), Lumturije Vuçetaj, pas kallëzimit penal të ushtruar nga policia bazuar në nenin 147 (1) të Kodit Penal që kriminalizon gjuhën e urrejtjes, i kishte ngritur aktakuzë zyrtare.  Ai është liruar nga ndalimi policor pas protestës së organizuar në Deçan nga bashkëpunonjësit e tij.

Sipas prokurores, Cenaj duhej të dënohej sepse kishte shfaqur mosdurim etnik, urrejtje dhe kishte nxitur krijimin e situatave konfliktuoze që do të mund të kishin pasoja të rënda. Prokurorja, megjithatë, e pranon që “ditën kritike” nuk ishte shkaktuar ndonjë pasojë konkrete. Aktakuza gjithashtu nuk ka asnjë deklaratë të ndonjë të zhvendosuri prezent në sallë me pohimin se është ndjerë i/e rrezikuar.

Para prokurorisë, Cenaj ka dëshmuar se kishte dashur të shprehte mllefin ndaj “atyre që kanë kryer krime lufte”. Ai gjithashtu ka thënë se ka nëntë vjet që punon në komunë dhe se nuk ka pasur ndonjë problem me kolegët serbë.

Gjykatësi i Gjykatës Themelore të Pejës (dega në Deçan), Sulltan Dobraj, më 6 qershor 2017  hodhi poshtë aktakuzën. Në aktvendimin e tij thuhet se veprimet e të pandehurit nuk kanë elemente të veprës penale në fjalë. Për të ekzistuar ajo vepër, sipas aktvendimit, duhet që veprimet e të pandehurit të jenë drejtuara në nënçmimin ose përqeshjen e vlerave të një kombi ose pakicave kombëtare, ose që dikush të ndërmarrë veprime me të cilat do të shprehte ndjenja armiqësore.

Rasti nuk ka përfunduar ende, pas ankesës së prokurorisë në Gjykatë të Apelit.

Aktakuza dhe aktvendimi (ndonëse në favor të Cenajt) nuk ofrojnë prova apo argumente ligjore bindëse pse fjalët e thëna (nuk) shkaktojnë gjuhë të urrejtjes. Të dy institucionet - prokuroria dhe gjykata e kanë copy - paste nenin përkatës pa e interpretuar dhe pa e analizuar atë në kontekst të rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja.

Asnjëri institucion nuk ka ngritur aspektet kryesore që karakterizojnë këtë rast, të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të drejtën e lirisë së tubimit.

Cenaj duke folur në takim ka ushtruar lirinë e shprehjes për të kritikuar institucionet. Kjo e drejtë është e garantuar ligjërisht në Kosovë dhe mund të kufizohet nëse, inter alia, përdoret për të nxitur urrejtje.

Për t’u cilësuar si nxitje e urrejtjes, fjalimi i tij është dashur të analizohet sipas standardeve të krijuara nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj). Sipas kësaj gjykate, në rastet kur pretendohet që është ushtruar gjuhë e urrejtjes, autoritetet duhet të marrin parasysh disa faktorë, përkatësisht a janë bërë deklaratat në momente të tensioneve politike ose shoqërore, a mund të konsiderohen deklaratat si thirrje e drejtpërdrejtë për dhunë dhe a kanë çuar deklaratat në pasoja të dëmshme. Këto elemente, GjEDNj i ka përmbledhur në rastin Perinçek k. Zvicrës (2015) bazuar në nenin 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Sikur policia dhe prokuroria të analizonin rastin nga perspektiva e këtyre standardeve, vështirë se do të mund ta arrestonin dhe ta akuzonin Cenajn.

E drejta tjetër që po ashtu është injoruar potencialisht në këtë rast është liria e tubimit paqësor, e cila është është e garantuar në Kosovë me kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare. GjEDNj i kushton aq shumë rëndësi kësaj të drejte, sa në rastin Körtvélyessy v. Hungary (2017) ajo ka thënë se protestat në vende publike mund të shkaktojnë edhe çrregullime dhe prapë, kur ato nuk janë të dhunshme, autorietet duhet t’i tolerojnë.

Ndonëse aktakuza dhe aktvendimi janë vendosur në kohë rekorde të shkurtër për praktikën kosovare, përveç që prokuroria dhe gjykata kanë injoruar praktikën ndërkombëtare, gjykata ka dështuar ta interpretojë seriozisht rastin. Edhe pse bëhet fjalë për një kontekst emocional që vjen si pasojë e ndërlikimeve të luftës, Cenaj nuk kishte bërë asgjë tjetër përveç që kishte shkaktuar një situatë të pakëndshme në sallë.

Rasti i Cenajt dëshmon se autoritetet e përfshira në këtë rast kanë mangësi të njohurive elementare të së drejtës së lirisë së shprehjes dhe të drejtës së tubimit dhe se nuk përfillin obligimin kushtetues që të zbatojnë standardet ndërkombëtare në Kosovë. Përtej kësaj, ato kanë harxhuar kot paratë e tatimpaguesve. 

10 tetor 2017
10:58

Flutura Kusari