Shqipëri: Intimidimi Strategjik i Gazetarëve

Paditë e fundit që kërkojnë nga gazetarët dhe mediat mijëra euro dëmshpërblime për cenim të reputacionit sinjalizojnë arritjen e Padive Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike në Shqipëri. U takon gjykatësve që duke zbatuar jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut të ndalojnë këtë praktikë sa nuk e ka dëmtuar më shumë gazetarinë në Shqipëri.

04 korrik 2017 10:16

Gjykatësi Gjin Gjoni dhe gruaja e tij Elona Çaushi më 10 maj paditën për shpifje reporter.al, medium i rrallë i pavarur dhe hulumtues në Shqipëri.

Gjoni punon në gjykatën e Apelit në Tiranë, është anëtar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe është një ndër gjykatësit më të pasur shqiptarë, ndërsa Çaushi është biznesmene. Në emër të “vuajtjeve shpirtërore” për shkak të cenimit të nderit dhe personalitetit, çifti kërkon rreth 52,000 euro dëmshpërblim.

Padia kundër reporter.al ka të bëjë me tri shkrime të publikuara përgjatë një viti. Njëri trajtonte mbylljen e hetimit kundër gjykatësit për fshehje pasurie dhe falsifikim dokumentesh, tjetri bënte të ditur rihapjen e dosjes kundër tij dhe i fundit paraqiste 10 gjykatësit më të pasur të Shqipërisë bazuar në deklaratat e pasurisë - ku përmendej edhe Gjoni.

Paditësit pretendojnë se hetimi ishte mbyllur për mungesë faktesh, e jo arsye procedurale, kërkojnë të dinë se ku është bazuar gazetari kur ka raportuar për rihapjen e dosjes, ndonëse shkrimi ka si burim një dokument zyrtar dhe nuk pajtohen me mënyrën se si gazetarja kishte shpjeguar kurbën e pasurimit të gjykatësit në shkrimin e tretë.

Kjo padi nuk është e zakonshme dhe duhet të kuptohet si sinjal i qartë që Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (Strategic Lawsuits Against Public Participation – SLAPP) tashmë kanë filluar të praktikohen edhe në Shqipëri.

Paditë SLAPP janë padi që prima facie vërehen se nuk janë të bazuara në fakte dhe se do të jenë të pasuksesshme në gjykatë. Përmes tyre, paditësi nuk synon të fitojë rastin, por ka për qëllim që të frikësojë dhe dekurajojë gazetarët nga raportimi i mëtejmë i çështjeve me interes publik duke i detyruar ata të kalojnë nëpër procese të gjata dhe të kushtueshme gjyqësore. Këto padi konsiderohen dhe duhet të trajtohen si abuzim i legjislacionit kundër shpifjes nga njerëzit dhe korporatat e fuqishme për të heshtur gazetarët, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile (lexo këtu rreth SLAPP). Domethënë, padi të këtilla strategjike nuk ngriten vetëm nga zyrtarë politikë.

Tri shkrimet e reporter.al për të cilat është paditur nga gjykatësi Gjoni dhe gruaja e tij, trajtojnë çështje me interes të lartë publik, janë të bazuara në fakte kredibile dhe janë hulumtuar në përputhje me obligimet etike të gazetarëve. Në mbrojtje të shkrimeve janë shprehur edhe organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu etj. Çifti do ta ketë të vështirë ta fitojë këtë rast.

Vetëm gjatë 12 muajve të fundit të paktën tri padi tjera janë ushtruar kundër gazetarëve:

1. Shqiptarja.com po ashtu është paditur nga Gjoni dhe Çaushi më 10 maj me kërkesën për rreth 30,000 euro dëmshpërblim për dy shkrime të botuara. Njëri shkrim raportonte se ndonëse Gjoni i kishte shpëtuar me manovra procedurale lakut të drejtësisë, ai përsëri do të detyrohet të kalojë sitën e trefishtë të vetingut në Shqipëri. Paditësit përsëri insistojnë se hetimi ishte mbyllur për mungesë faktesh, e jo përmes manovrave procedurale. Në shkrimin tjetër ku raportohej dhe komentohej pasuria e deklaruar nga çifti, paditësit pretendojnë se kishte pasaktësi.

2. Kompania e ndërtimit Edil Al-it në nëntor të vitit të kaluar ka ngritur padi për shpifje kundër regjisorit të emisionit ‘Publicus’ Artan Rama për një shkrim të botuar në Facebook të cilit i kërkohen 110,000 euro dëmshpërblim. Shkrimi raportonte se kompania kishte marrë pjesë në një tender përkundër faktit që nuk kishte paguar detyrimet tatimore ashtu siç kërkohej me ligj. Kompania pretendon se dokumenti në të cilin bazohet shkrimi nuk është i vlefshëm, sepse i mungon vula e institucionit dhe se i kishte paguar detyrimet tatimore.

3. American Hospital vitin e kaluar ka ngritur padi për cenim të imazhit kundër revistës ‘Shëndeti Plus’ për shkak të një shkrimi që paraqiste ankesat e pacientëve të dializës për ushqim dhe kushte higjieno-sanitare. Spitali, që ka fituar tender publik për ofrimin e dializës, arsyetohet se kontrata me shtetin nuk i detyron ata t’u ofrojnë ushqim pacientëve. Më 21 qershor American Hospital u tërhoq nga dëmshpërblimi prej 7,500 eurosh, por insiston që media të përgënjeshtrojë shkrimin dhe të paguajë shpenzimet gjyqësore.

Këto padi shqetësojnë për shkak të shumave të dëmshpërblimeve të kërkuara, të cilat në vende të varfra si Shqipëria do të mund të rezultonin në mbylljen e mediumeve, por realisht më së shumti për arsye të efektit frenues dhe harxhimit të kohës e resurseve tjera të gazetarëve në procese gjyqësore. Kjo është logjika e këtyre padive.

Sipas standardeve ndërkombëtare të vendosura nga Gjykata Europiane për të Drejta e Njeriut (GjEDNj), vendimet e së cilës janë të detyrueshme që të konsiderohen nga gjykatësit në Shqipëri, dëmshpërblimi për dëmtim të reputacionit duhet të jetë proporcional, sepse në të kundërtën mund të ketë efekt frenimi te gazetarët dhe mund të çojë edhe te mbyllja e tërësishme e medias.

Këtë parim GjEDNj-ja e konfirmoi përsëri muajin e kaluar në Independent Newspapers (Ireland) Limited v. Irlandës. Rasti ka të bëjë me gazetën irlandeze ‘The Evening Herald’, e cila kishte publikuar rreth 11 shkrime me të cilat – bazuar në thashetheme - sugjeronte se një konsulente kishte përfituar kontrata nga qeveria për shkak se ishte në lidhje intime me një ministër. Gazeta, ndonëse kishte pranuar se kishte shpifur dhe kishte botuar një kërkimfalje, ishte dënuar me një million euro dëmshpërblim. Gjykata vendosi se dëmshpërblimi nuk ishte proporcional dhe kishte cenuar të drejtën e lirisë së shprehjes së gazetarit.

Përpjekjet e të pushtetshmëve për të censuruar lirinë e shprehjes të shfaqura tani përmes padive SLAPP në Shqipëri mund të parandalohen sa janë ende në fillim vetëm nëse të tri pushtetet e qeverisjes dhe shoqëria civile shprehin gatishmëri dhe veprime konkrete për të mbrojtur lirinë e mediave.

Natyrisht, rol parësor kanë gjykatat. Të gjithë gjykatësit duhet të informohen për ekzistimin e padive SLAPP. Ata duhet të njohin mirë dhe ta zbatojnë jurisprudencën e GjEDNj-së, e cila përgjithësisht është miqësore ndaj gazetarëve dhe u ofron atyre mbrojtje të madhe. Dhe kur ballafaqohen me padi të këtilla, ata duhet të hedhin poshtë ato, kur shihet se me shkrime nuk është shkaktur shpifje kundër paditësve. Kështu tashmë kanë filluar të veprojnë disa gjykatës në Francë dhe në Indi. Avokatët mbrojtës po ashtu mund të kontribuojnë duke iu referuar praktikës së Strasburgut në shkresat e tyre.

Qeveria duhet t’i propozojë parlamentit legjislacion që ndalon abuzimin e legjislacionit kundër shpifjes (legjislacion anti-SLAPP) siç ka ndodhur në ShBA dhe në Kanada. Organizatat jofitimprurëse, sidomos Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, duhet të monitorojnë vendimet e gjykatave (dhe kritikojnë ato kur nuk janë në pajtim me standardet ndërkombëtare) dhe duhet të avokojnë për masa ligjore në mbrojtje të gazetarëve.

Kjo ndërmarrje strategjike e cenimit të lirisë së shprehjes dhe gazetarisë hulumtuese është e dukshme dhe e dëshmuar. U takon pushteteve të lartpërmendura të veprojnë kundër saj.

04 korrik 2017
10:16

Flutura Kusari