Connect with us

Hi, what are you looking for?

Blogje Tematike

Tentim-Kriminalizimi i Shpifjes: Dëmi është bërë

Nenet e tërhequra të projektligjit që mundësonin burgosjen e atyre që shpifin kundër shtetit dhe fyejnë simbolet dhe institucionet shtetërore, nuk ishin në përputhje me praktikat më të mira europiane, siç argumentonte Ministria e Drejtësisë. Dëmi është bërë, përkundër tërheqjes së tyre.

Kur ministrja kosovare e drejtësisë, Dhurata Hoxha, propozoi para dy javësh rishikimin e dekriminalizimit të shpifjes, tha se nenet e prozuara qenë OK, sepse bazoheshin në praktikën më të mirë të BE-së – të Gjermanisë dhe standardeve të krijuara nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj).

Nenet e propozuara të projektligjit mundësonin burgosjen e atyre që në të ardhmen shpifin kundër shtetit dhe fyejnë simbolet dhe institucionet shtetërore.

Por, të dyja faktet e ministrisë janë të rrejshme apo “fakte alternative”.

Gjithashtu, rikriminalizimi i shpifjes ka kohë që përmendet nga disa deputetë në forume më pak formale dhe mund të propozohet prapë. Për këtë arsye, ndonëse nenet kundërthënëse u tërhoqën, është me rëndësi të ofrohen argumente pse kriminalizimi i shpifjes nuk është dashur dhe nuk duhet të propozohet asnjëherë në të ardhmen.

Çfarë ishte propozuar?

Zyra Ligjore e Ministrisë së Drejtësisë (MD) më 20 prill 2017, përmes e-mailit kishte kërkuar komente nga disa organizata të shoqërisë civile në lidhje me propozimin për rishikimin e dekriminalizimit të shpifjes për të cilin shkruante se ende nuk kishte qëndrim të prerë.

MD-ja pyeste nëse Kodit Penal që është në fuqi duhet/mund t’i shtohen dy nene me të cilat shpifjet dhe fyerjet ndaj shtetit, simboleve shtetërore dhe organeve kushtetuese do të dënoheshin me gjobë ose dënim me burg deri në pesë vjet.

Kështu, do të dënohej kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara, do të fyente apo me keqdashje do të shprehte përbuzje ndaj Kosovës, ose ndaj rendit të saj kushtetues, do të fyente ngjyrat, flamurin, stemën ose himnin e vendit. Edhe shpifja ndaj institucioneve si Presidenti, Kuvendi, Qeveria, Gjykata Kushtetuese do të ishte e dënueshme.

Shoqëria civile kishte vetëm shtatë ditë pune për t’u përgjigjur. Propozimet u bënë publike përmes një reagimi në mediat sociale nga deputetja e Vetëvendosjes, Puhie Demaku.

Në tentativë për të menaxhuar reagimin e ashpër publik që erdhi nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Federata Europiane e Gazetarëve, disa organizata joqeveritare dhe komentatorë të ndryshëm, MD-ja lëshoi tri komunikata të ndryshme brenda katër ditësh. Njëherë sqaroi se bëhej fjalë për një draft të kodit penal, pastaj ftoi publikun të ofronte komente dhe më 30 prill njoftoi opinionin se tërhiqej nga nenet për shkak të “shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile.”

Faktet e rrejshme të MD-së

Ministria deklaronte se kishte  marrë për bazë praktikat e mira të vendeve të Bashkimit Europian në përgjithësi dhe të Gjermanisë në veçanti. Kjo nuk është e vërtetë pasi që Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda, që kanë dekriminalizuar shpifjen më 2009, konsiderohen si modelet më të mira në BE. Kodi Penal i Gjermanisë është hartuar kur shpifja ishte përgjithësisht vepër penale. Tash që ekzistojnë rekomandime të qarta nga Këshilli i Europës dhe Komisioni Europian, që shpifja duhet të dekriminalizohet, edhe vetë Gjermania ka nisur dekriminalizimin duke filluar me shpifjen ndaj krerëve të shteteve të huaja.

Njëjtë, ndonëse më hapa shumë të ngadaltë, janë duke vepruar edhe disa nga tri të katërtat e shteteve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në të cilat shpifja rregullohet me legjislacion penal. MD-ja do ta kishte shumë të vështirë, nëse jo të pamundur, të identifikonte një shtet demokratik që së voni ka propozuar legjislacion penal për mbrojtje nga shpifja.

Ministria po ashtu rrejshëm deklaroi se nenet e propozuara qenë në përputhje me Konventën dhe jurisprudencën e GjEDNj-së. Gjykata e Strasburgut në rastin e famshëm Cumpana dhe Mazare v. Romanisë (2004) e ka bërë të qartë se dënimi me burg për shpifje është në kundërshtim me nenin 10 të Konventës që garanton të drejtën e lirisë së shprehjes.

Në këtë rast që kishte të bënte me dy gazetarë që ishin dënuar me burg (por ishin falur më vonë për një shkrim që kishin botuar), gjykata ka thënë se dënimi me burg për shpifje klasike në kontekst të debatit për një çështje me interes publik, nuk mund të arsyetohej. Dënimi me burg arsyetohet vetëm në rastet e nxitjes së urrejtjes dhe dhunës, sipas GjEDNj-së. Edhe pse gjykata e Strasburgut ende nuk ka thënë se ekzistimi i shpifjes penale per se në mënyrë automatike është në kundërshtim me nenin 10 të Konventës, për shkak të këtij precedenti të krijuar në Cumpana dhe Mazare v. Romanisë, shtetet si Gjermania kanë vënë në “gjumë” legjislacionin që parasheh dënimin me burg për shpifje dhe nenet ekzistuese nuk përdoren në praktikë.

Kaq për praktikat e BE-së dhe të Gjermanisë. Pra, nuk ishte e vërtetë që nenet e propozuara ishin në përputhje me to.

Përvoja e brendshme

Në Kosovë, shpifja ndaj të gjithë personave fillimisht ishte rregulluar në vitin 2003 me nenin 187 dhe 188 të Kodit të Përkohshëm Penal që dënonte shpifjen dhe fyerjen me gjobë ose me burg deri në tre muaj. Pas presionit ndërkombëtar, shpifja ishte dekriminalizuar më 2007 kur ishte miratuar Ligji Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes i cili kishte hyrë në fuqi një vit më pas.

Ndonëse tani ka nevojë të përditësohet, Ligji Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes në atë kohë ishte aq i avancuar sa parashihte që “autoritetet publike ndalohen nga paraqitja e kërkesës për kompensim për dëmin e shkaktuar nga shpifja ose fyerja. Zyrtarët publikë mund të paraqesin kërkesë për kompensim e dëmit nga shpifja apo fyerja privatisht dhe ekskluzivisht në kapacitetin e tyre personal”.

Kjo bazë ligjore është dashur t’i mjaftojë MD-së që të mos propozonte kriminalizimin e shpifjes.

Gjatë vitit 2008 deri më 2012 kishte pasiguri juridike sepse në fuqi ishin njëkohësisht ligji civil dhe nenet penale. Në gjykata arrinin padi kryesisht bazuar në legjislacionin penal. Për këtë arsye, më 2012, Supremja e Kosovës ishte detyruar të nxirrte një Qëndrim Parimor me të cilin përfundimisht vendoste që shpifja rregullohej vetëm më ligj civil. MD-ja ka injoruar edhe qëndrimin e Supremes.

Nëse propozimet e MD-së do të kalonin, do të kthenin Kosovën 10 vjet prapa kur shpifja dënohej me burg dhe do të mund të kishin efekt frenimi te gazetarët dhe të gjithë ata që kritikojnë politikën, shoqërinë dhe institucionet e tyre. Eventualisht, ato me siguri do të shpalleshin kundërkushtetuese nëse do të dërgoheshin në Gjykatën Kushtetuese.

Kufizimi i lirisë së shprehjes për të mbrojtur reputacionin duhet të rregullohet vetëm me legjislacion civil. Ndryshimi i kodit penal është propozuar nga presidenti Hashim Thaçi. Mësimi që ministrja Hoxha, presidenti Thaçi, qeveritarët, ligjvënësit dhe të gjithë zyrtarët ligjorë të përfshirë në ligjbërje duhet të nxjerrin nga ky rast është se ka kaluar koha kur copy-paste i ligjeve nga vendet demokratike përbënte arsye të mjaftueshme për të imponuar rregulla e ligje në shoqërinë kosovare.

Liria e shprehjes është një ndër të drejtat themelore të njeriut që mundëson vetë-zhvillimin dhe mbajtjen e autoriteteve nën përgjegjësi publike. Legjislacioni përkatës duhet të mendohet mirë dhe nuk guxon të propozohet pa u diskutuar paraprakisht me organizatat e shoqërisë civile dhe me gazetarë. Në të kundërtën, do të ketë iniciativa të dështuara si kjo falë së cilës Kosova u sigurua që do të përmendet negativisht në raportet e organizatave ndërkombëtare që bëjnë vlerësimin e lirisë së mediave.

Edhe më shumë sesa përmendja nga organizatat e huaja monitoruese, është problematike mospërcjellja e zhvillimeve ligjore nga njerëzit e paguar për këtë punë nga paraja publike, moskuptimi i qëllimit të parimit të lirisë së shprehjes dhe dredhia politike prapa kësaj iniciative. Qeveria ka zero nevojë për ta kufizuar lirinë e shprehjes në këtë formë, kurse hapësirë të bollshme që të punojë që liria e shprehjes të përdoret.

Por, qeveria mund të përfshihet në debat për lirinë e shprehjes. T’i tregojë opinionit se në cilat ngjarje ose manifestime kishte fyerje dhe shpifje, sipas mendimit të saj. Të mos harrojmë se ne jemi një vend që fyhemi prej qeverisë për çdo ditë (me nismat dhe rezultatet e saj). Vetë ky propozim ishte fyerje.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.