Mbrojtja e shëndetit publik asht aktivizëm shoqnor

11 maj 2021 15:42

Aktivizmi shoqnor në kohë pandemie, e në çdo kohë tjetër, asht obligim qytetar. Randësia e aktivizmit shoqnor, sidomos kur asht fjala për luftimin e padrejtësive të ndryshme shoqnore, në kohë të vështira sociale e ekonomike vetëm se theksohet ma shum. Sepse, pikërisht në kohë të tilla theksohen ma shum edhe padrejtësitë shoqnore që ekziztojnë në nji shoqni si dhe nevoja për ndryshimin e tyne.

Tash katërmdhetë muej jemi tue u ballafaqu me nji pandemi e cila ndër të tjerash për shum njerz ka sjellë edhe pasiguri e vështërsi ekonomike, por edhe probleme tjera sociale. Sidoqoftë, humbja e madhe e njerzve si pasojë e infektimit me Coronavirus nuk mund të anashkalohet dhe na fton me i ndryshu prioritet e veprimeve e sjelljeve tona, por edhe me e rimendu qasjen tonë ndaj aktiviteteve të zakonshme. Kushtet e caktume jetësore, veçmas kur asht fjala për nji pandemi me pasoja vdekjeprurëse për miliona njerz, i diktojnë edhe format e mundshme të aktivizmit shoqnor. Ky diktat nuk ka nevojë me ardhë si urdhën prej nalt, por duhet në radhë të parë me u konceptualizu si obligim etik që na fton me e rimendu aktivizmin shoqnor si sfidë krijuese për me gjetë mënyra alternative me luftu psh. për të drejtat e njeriut, pa rreziku jetë njeriu tue kontribue në përhapje të virusit.

Në pika të shkurta gjendja aktuale globale asht kjo: shkalla javore e infektimeve asht mbi pesë milion infektime të reja globalisht. Fatkeqësisht me çdo infektim të ri ekziston mundësia e mutacionit të virusit. Ndërkohë veç kemi disa mutacione. Ndër ato ma të njofshmet janë varianti britanik, dmth. nji mutacion i ri i cili u diktu për herë të parë në Britani të Madhe, prandaj emni. Pastaj asht varianti i Brazilit; mutacion që asht diktu për herë të parë dhe aktualisht dominon në Brazil, dhe varianti i Afrikës së Jugut, i cili asht diktu ma së pari në Afrikë të Jugut dhe aktualisht dominon atje. Ndërsa varianti britanik brenda tre deri katër muej pas diktimit të tij në Britani të Madhe asht ba varianti dominant në Evropë, SHBA dhe Kanadë, ndër të tjerash. 

Raportimet e fundit nga Brazili flasin për nji gjendje jashtzakonisht të randë në Brazil. Raportohet që shumica e njerzve që aktualisht po trajtohen në spitale me gjendje shum të randë të Covid-19 janë nën moshën 40 vjeçare. Gjithashtu, raportohet që rreth dymijë fëmijë kanë humbur jetën nga Covid-19, që prej fillimit të pandeminsë, në Brazil. Kto janë indikatorë që varianti i Brazilit asht dukshëm ma i egër dhe me gjasë po afekton grupmoshat ma të reja shum ma shum se varianti britanik, i cili aktualisht asht dominant në Kosovë. Por, sidomos vdekja e fëmijëve nga Covid-19 në Brazil, sipas disa hulumtimeve të fundit, asht e ndërlidhun edhe me kushtet e randa ekonomike të familjeve të këtyne fëmijëve. Kjo asht edhe nji indikator që pabarazia shoqnore e ekonomike po reflekton dukshëm ma negativisht në pasojat e pandemisë për famljet e prekuna. Kjo e thekson edhe ma shum nevojën që aktivitetet që synojnë ndryshime shoqnore në dobi të barazisë shoqnore, duhet të marrin parasysh pandeminë në të cilën po jetojmë aktualisht, me të gjitha pasojat e saja, si udhëzues për formën e veprimit.

Informatat e fundit tregojnë që varianti i Brazilit ndërkohë ka mrri në Kanadë dhe në shumicën e vendeve të Evropës. Fatmirësisht, asht luftu me vëmendje të shtueme ky variant tue ba ma shum testime pas çdo rasti të idenfitifikuem dhe kështu u ndalu përhapja e tij dominante në këto vende. Por nuk ka kurrfarë garancioni që kjo gjendje të mbetet kështu. Sidoqoftë, asht fat i jonë i madh që kemi vaksina. Mirëpo, zgjidhja e problemit mund të arrihet vetëm me eliminim të virusit. Ka shembuj praktikë që kjo asht e mundshme. Kemi shembujt e Kinës, Australisë dhe Zelandës së Re, ndër të tjera, ku kjo strategji u ndjek me sukses. Hala kemi mundësinë me synu eliminim të virusit, por nën nji kjo kërkon nji proces shum ma të shpejtë të vaksinimit se që po e shohim sot globalisht; nën dy ngadalësim sa ma të madh të përhapjes me masa tjera, paralelisht; dhe nën tre shpërndarje sa ma të barabartë të vaksinave globalisht. Parakusht natyrisht asht prodhimi ma i madh i vaksinave. 

Ka lajme ndërkohë që në Indi janë kriju disa variante të reja. Gjendja akuale atje asht tejet alarmante. Mbi 4000 njerz në ditë po vdesin prej virusit, sipas informatave zyrtare. Mirëpo, burime të ndryshme që po e përcjellin gjendjen atje, tregojnë që numri real i të vdekurve nga Covid-19 në Indi, për fat të keq asht disa herë më i naltë. Njajtë sikur që varianti britanik brenda tre katër muajve pas krijimit u ba dominant në Evropë, SHBA e Kanadë, ndër të tjera, asht e logjikshme me konkludu që edhe variantet tjera ma të egra ndërkohë mund të bahen dominante mbi variantet që njohim tani. Mendojeni kështu: nëse variantet aktuale të virusit vazhdojnë me pësu mutacione ma të egra, dhe me çdo infektim ne ua japim këtë mundësi, mund të gjejmë veten së shpejti në nji pandemi të re. Ky konkludim bazohet në perspektiva për disa vjet të ardhshme. Por realiteti asht që nëse vazhdojmë me këtë qasje ndaj situatës, ku eliminimi nuk asht caku i luftimit, ne mund të përfundojmë me nji situatë endemike.

Ku qëndron Kosova në krejt kit muhabet?

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) në kuadër të hulumtimit epidemiologjik të rasteve të infektimit dhe gjurmimit të kontakteve si pika kryesore të përhapjes së virusit janë identifiku shkollat, gastronomia, institucionet publike, qendrat tregtare, tubimet masive. Edhepse IKSHPK nuk i përmend veçmas, tek kjo e fundit konsideroni po aq sa protestat në sheshe edhe tubimet gjatë fushatës zgjedhore sa edhe dasmat, të pamet e grumbullimet e tjera të ngjashme. Sapo kaluem nji periudhë të shkurtë të nji mbylljeje të pjesshme. Gjatë kësaj mbylljeje, përkundër konkludimeve të IKSHPK ku si “ngjarje super-shpërndarëse” të virusit identifikohen shkollat, qeveria muer vendim me vazhdu me i mbajtë shkollat fillore dhe qendrat parashkollore të hapuna. Un personalisht njoh tre raste ku njerzit kanë vdekë si pasojë e infektimit nga mesa e nipat që e kanë pru virusin prej shkollës. Dmth. personat janë infektu prej fëmijëve të cilët kanë viju shkollën. Folëm ma nalt për variantet e reja, dhe ndërkohë e dijmë që në Kosovë po dominon varianti britanik. Ajo çka e dijmë githashtu, asht se fëmijët dhe moshat ma të reja në përgjithësi po infektohen ma lehtë dhe me pasoja ma të randa nga variantet e reja.

Me vendim të qeverisë për ma pak se dy javë gjatë prillit u mbyllën, ndër të tjerash, kafiqat dhe qendrat tregtare, ndërsa në të gjitha shitoret tjera, barnatore, furra buke etj. masat mbrojtëse, tue fillu prej mbajtjes së maskave thuej se nuk u respektuen hiç. Mbikëqyrja e respektimit të masave ishte dhe asht si duket minimale, tue qenë se shitoret vazhdojnë me i shpërfillë masat mbrojtëse. Mbajtja e distancës nuk respektohet, po aq sa nuk respektohet as udhëzimi qeveritar sipas të cilave shitoret obligohen që të mos lejojnë ma shum njerz brenda se sa nji person për 8 metra katror. Nëse provon me ua tërheq vërejtjen njerzve që refuzojnë me mbajtë maska, që refuzojnë me mbajtë distancë etj. reagimet janë zakonisht shum banale dhe çdo i dyti të thotë “e kam kalue un virusin”; ose “po qe, ti paske vnu maskë”.  Nga reagime të tilla ashtë lehtë e kuptueshme që ekziston nji mangësi e madhe e informimit ma së pari mbi çashtje bazike se çka asht pandemia, dhe çka asht Coronavirusi dhe qysh funksionon krejt kjo. P.sh. njerzit nuk e kuptojnë që nëse prej dy njerzve që qëndrojnë përballë njani tjetrit veç njani mbanë maskë, asht pikërisht aj pa maskë që asht tu e marrë mbrojtën ma të madhe. Sepse mbrojtja me maska funksionon kështu: maska jem të mbron ma shum ty, e jotja më mbron ma shum mu. Gabimi tjetër asht që njerzit vijnë në konkludime që e kanë kalu virusin pa u testu në fakt hiç. Në bazë të “po ma merr mendja”. Ec e mbroju kolektivisht me qysh t’ja merr mendja secilit. Dhe, së fundi por jo ma pak e randësishme, në disursin publik mbi pandeminë, kushtimisht edhe në lidhje me vendimin e mbylljes, mbizotnuen zana të paarsyeshëm që mbylljen e gastronomisë e quejtën mbytje ekonomike të Kosovës dhe në përgjithësi ju qasen kësaj teme me shpërfillje përbuzëse ndaj jetës së njerzve dhe dhimbjes së madhe të familjeve që kanë humb të afërm nga Covid-19.

Ndërkohë qeveria ka marrë nji vendim të ri për “lehtësim të masave”. Thue se masat para tyne ishin “të randa”. Me këtë vendim të fundit qeveria dëshmon që para çdo strategjie tjetër të parën zgjedh popullizmin. Me fjalë tjera, zgjedh strategjinë e “zgjidhjeve” ma të lehta. Mos me ba kurrgjo, e mos me e ba turmën e zhurmshme nevoz, asht gjithmonë ma së lehti. Vendimi i fundit qeveritar, me krejt pikat e veta, asht tregues i mirë që qeveria nuk ka plan strategjik për menaxhimin e pandemisë. Vendimet mirren si reagime momentale. Ajo çka paraqitet si strategji asht nji gërshetim i disa pikave të përgithshme të marruna “copy-paste” prej naj shteti tjetër, dhe disa ideve të reja të formulume enkas për republikën e gastronomëve të Kosovës. Nuk ka analizë, as mendim ma të thellë. Por, gastronomët nuk i pëmbahen as minimalisht as “masave lehtësuese” dhe për me u ba dëshmitarë i ksaj mjafton nji shëtitje e shkurtë, qe psh. në rrugën B, ku vargu i kafiqave gufon, ndërkohë që edhe pas uzurpimit të lejuem të trotuarëve, kanë fillu me i nxjerr karrigat edhe në trotuarin e mbetun. Për me kontribuu në përhajpen e virusit s’ki nevojë tash as me hy në kafiqat e stërmbushun, grumbullimi krijohet qysh në trotuare para tyne. Për zhurmën që e krijojnë këto lokale as mos të foli. Temë tjetër ajo. Qysh je tue ecë në trotuar kamarieri ta prenë rrugën. Ka kalu ajo kohë kur macat ta prejshin rrugën.

Gjendja asht kjo që asht. E vetmja mënyrë me u mbrojtë të gjithë asht nëse secili mbron tjetrin. Prej aq sa po shoh, sidomos me distancë si shoqni kemi problem të madh. Për aq sa vlen respektimi i nji distance prej dy metra kur pret në radhë, çfarëdo radhe, ish dashtë me qenë kulturë bazike dhe e vetkuptueshme në çfarëdo situate, por tek ne kjo kulturë nuk ekziston as në kohë pandemie. Ama, kultura andej ose këndej, për moszbatimin e masave mbrojtëse përgjegjës kryesor i shoh institucionet shtetnore. Me muej të tana kemi jetu sikur mos me pasë kurrfarë pandemie. Gjatë fushatës zgjedhore partitë kanë mbajtë tubime pa përjashtim e pa marre. Por edhe rreth dy muej mas zgjedhjeve politikanët as që e kanë përmend pandeminë. Ma zi se kaq, sjellja e tyne, grumbullimet e ndryshme politike, dhe krejt kjo e dokumentume në facebook, jo veç që ka qenë mjerisht e papërgjegjshme përballë situatës, por sot si duket për shum njerz shërben edhe si nji busull morale që dikton mosrespektimin e masave në shoqni, sipas stilit, “kur ata jo, pse un?”. Kafiqat kanë vlu gjithë dimnin (nashta tue i marrë për model politikanët). Nashta e njajta mendësi ka kontribuu edhe që protesta për 8 mars që u mbajtë sivjet mos me u rikonceptualizu e organizu në forma tjera, por si tubim klasik në shesh. Kur dalin kryeministri e kryetarja (atëkohë hala në pritje të karriges) pse mos me dalë na? Populli e ka humb besmin dhe respektin për mendimet dhe udhëzimet qeveritare moti. Modelet e kqija, edhe kur kopjohen, veç çka ndihmojnë me e rritë kit mosbesim edhepse në shikim të parë duket si “harmoni” mes dy të dashunuemve. Me popullizëm nuk ndërtohet besimi i popullit në shtet. Harmonia asht e përkohshme, e dashnia asht mashtrim.    

Problemi kryesor në Kosovë në lidhje me pandeminë kushtimisht ishte dhe asht mungesa e vaksinave. Deri sot Kosova nuk ka arritë me nënshkru asnji marrëveshje bilaterale me nji ose ma shum prodhues të vaksinave. Në fund të marsit, në Kosovë arritën 24 mijë vaksina si donacion nga COVAX. Brenda dy muajve të ardhshme pritet të arrijnë kontigjente shtesë të vaksinave. Sidoqoftë, nga kontigjenti që kishim deri tani, vaksinimi jashtëzakonisht i ngadaltë me rreth 1000 vaksina në ditë mesatarisht, paraqitet si arsye e madhe për shqetësim.  Për njizet ditë institucionet nuk kanë mrri me i administru 24 mijë vaksina. Për fat të keq, strategjia e administrimit ishte e predispozume me kriju vonesa të tilla: institucionet parapanë vaksinimin e stafit mjeksor si grup të parë, e tek pastaj radhitën grupmoshën mbi 80 vjeç. Ky privilegj, për fat të keq, u keqpërdor nga stafi mjekësor. Ata ja lejuen vetes të drejtën me e zgjedh llojin e vaksinës. Jo, s’pe due kte, pe due ate.  Në rregull, sikur krejt kjo të mos bahej në kushte ku zgjedhja asht lluks që nuk e kena. Qeveria ja lejoi vetes të drejtën me e tolerue kit sjellje që me mbetë e mirë me ta. Në kushte ku kit lluks popullist e paguen qytetari i thjeshtë me shëndet e jetë. Çka po mbetet asht nji vend ku e drejta e qytetarit të thjeshtë për përfaqësim e qeverisje të dinjitetshme konsiderohet lluks. Shkurt: krejt këto janë shum ‘llukse’ për nji vend kaq të varfun e kaq të vogël. Ajo çka asht dashtë me ndodhë prej fillimit asht që së paku me e nisë procesin e vaksinimit të dy grupeve të para, paralelisht dhe me evitu vonesa të panevojshme, të cilat kanë mujtë me qenë të parashikueshme. Në anën tjetër, edhe mungesa e informimit të duhun, portale regjistrimi që dështojnë dhe komunikimi i pamjaftueshëm e mbi të gjitha jo-profesional rreth pandemisë dhe vaksinave, nga qeveria, kontribuen në ngadalsimin e procesit dhe krejt këto janë arsye shtesë për shqetësim dhe mosbesim ndaj aftësisë së qeverisë me menaxhu situatën.

Gjatë muejit prill, sipas te dhanave zyrtare të IKSHPK mesatarisht 10 njerz kanë vdekë në ditë nga Covid-19 në Kosovë.  Në total rastet e vdekjes në Kosovë nga Covid-19 tejkalojnë 2000-shin, sipas informimit zyrtar. Këtu natyrisht nuk janë të konsideruem ata që kanë vdekë nga virusi, por nuk janë të regjistruem. Por, nuk konsiderohen as ata që kanë vdekë si pasojë e gjendjes pandemike. Njerz që për arsye të shërbimeve ashtu kështu të varfuna shëndetsore në Kosovë, por edhe ma shum të kufizume për shkak të pandemisë, nuk kanë muejt me marrë shërbimin mjekësor që ju asht dashtë. Jo-zyrtarisht, nga kalkulime të bazume në statstika vjetore të vdekjeve të përgjithshme dhe asaj çka njihet si “vdekjet shtesë” (angl.: excess deaths) vdekjet nga Covid-19 në Kosovë tejkalojnë 4700 raste. Në bazë të statistikave mujore të të vdekurve të përgjithshëm në Kosovë mundemi me konkludu që sipas gjitha gjasave fundi i marsit dhe fillimi i prillit shënuen ditët ma të vështira sa i përket mortatlitetit dhe sëmundjes nga Covid-19 prej se ka fillu pandemia.

Kështu që qysh me protestu për padrejtësi në kohë pandemie? Cili asht roli i aktivizmit shoqnor në kohë pandemie? Për fat të keq, në kohën pandemike në të cilën po jetojmë metodat klasike të protestave ku njerzit dalin në grupe fizikisht nëpër sheshe paraqesin rrezik për shëndetin publik, dhe kushtimisht deri në ndryshim të gjendjes rreth pandemisë duhet me u përjashtu si të mundshme. Sa mujta me e kuptu un nga vendimi i fundit qeveritar, me protestu tash lejohet. Pra, grumbullimi i ma shum se 30 njerzve në rast të nji mledhimi “me interes publik” lejohet. Por un mendoj që asht përgjegjësi intelektuale e çdo njeriu, e sidomos atyne që quhen aktivistë të shoqnisë civile, me qëndrue mbi qeveritë e vendeve të tyne me arsye e logjikë.

Kauza e vetme që sot ka kuptim me na bashkue në aktivizëm shoqnor asht ajo me mbrojtë jetën e njerzve, në radhë të parë tue ju përmbajtë masave mbrojtëse për me e zvoglu përhapjen e Coronavirusit. Jo domosdoshmënisht ashtu qysh t’i paraqet shteti sipas qefit të vet, por ashtu qysh t’i arsyeton shkenca. Ky asht interesi publik që sot duhemi me e mbrojtë me urgjencë të madhe. Tue qenë se jetojmë në nji kohë ku teknologjia e komunikimit asht shum e avancume, metodat alternative të organizimit të protestave kolektive në kuadër të aktivizmit shoqnor nuk duhet të ishin shum të vështira me u mendue. E randësishme asht të konceptualizohen brenda kontekstit aktual shoqnor ku pandemia asht kryefjala. Aktivitetet të organizohen në atë mënyrë që kur asht e mundshme të evitohen takime fizike, e në raste të rralla kur kjo kurrqysh nuk asht e mundshme të mirren paraprakisht krejt masat e duhuna për me siguru mbrojtje sa ma të madhe prej infektimit, me rregulla strikte të distancës, mbajtjes së maskave etj.. Nëse e konsiderojmë veten aktivistë shoqnorë, mbrojtjen e shëndetit publik duhemi me e internalizu si botëkuptim dhe sot ma shum se kurrë me u ndje përgjegjës për te. Mos me ‘marshu’ në sheshe e në grupe të mëdhaja në kohë pandemie asht aktivizëm shoqnor. Asht minimalja çka mundemi e duhemi me e ba. Ky botëkuptim sot nuk asht çashjte zgjedhjeje, por nevojë urgjente.

11 maj 2021
15:42

Ardiana Shala Prishtina