Demokracia nuk ndalet në pandemi

11 maj 2021 15:40

Populli kosovar, më saktësisht populli i cenuar kosovar, pra gratë, komunitetet pakicë si ata rom, ashkali dhe egjiptian për t’i përmendur disa, komuniteti LGBTQ+ dhe personat me nevoja të veçanta janë mësuar të jetojnë në simbiozë me padrejtësinë karshi të drejtave të tyre themelore si qenie njerëzore. Gjithsesi, ujërat karshi llogaridhënies institucionale dhe vendosjes së drejtësisë në vend janë trazuar shpesh përmes qytetarisë aktive që ka ndjekur forma të ndryshme ndër vite të tëra. Një zë avokateje që ka mbrojtur raste e kërkuar përgjegjësi ligjore e gjyqësore, një organizatë jo-qeveritare që ka shtrirë tërë mundin dhe strategjinë organizative në drejtim të politikë-bërjes e proceseve vendim-marrëse, një tjetër që ka zhvilluar aktivitet kapacitet-ngritës, një platformë mediale që ka hulumtuar, zhvilluar hetuesi e informuar qytetarët/et. Me radhë individë, grupe, e organe kanë marrë role të ndryshme për të lehtësuar kështu proceset e kërkuar përgjegjësinë. Njëzëri e mbi të gjitha, grupe, kolektive e lëvizje qytetarësh e qytetaresh, përveç punës ditore, kanë vendosur të zhvillojnë dhe praktikojnë me të drejtë të plotë ligjore aktivizëm të nivelit protestues si liri qytetare dhe kanë bërë qeveri e institucione të stepen, tërhiqen dhe luajnë rolin që u takon.

Megjithatë nevoja për të mbrojtur dhe kërkuar respektimin e të drejtave fundamentalete të njeriut do të vazhdojë po ashtu të jetojë në simbiozë me komunitetin që e njeh dhe përjeton shkeljen. Përveç emocionit dhe mendjes kritike, të drejtat fundamentale të njeriut në Kosovë edhe statistikisht kërkojnë vëmendjen dhe kërkesën për zbatim. Më saktësisht, Kosova që ka ndërtuar një kornizë ligjore që garanton dhe mbron të drejtat fundamentale në linjë me standardet evropiane – sipas raportit 2020 të Bashkimit Evropian duhet të bëjë më shumë karshi promovimit të të drejtave fundamentale dhe të sigurojë zbatim të plotë të ligjeve për të drejtat e njeriut dhe politikave.

Veç tjerash, sipas këtij raporti, koordinimi qeveritar për të drejtat e njeriut dhe mekanizmat për mbrojtjen e minoriteteve, në nivel lokal dhe nacional duhet të përmirësohen, si dhe çështjet e të drejtave fundamentale duhet të paraqiten më lartë në agjendën politike. Rrjedhimisht, mekanizmat shtetëror që kanë dështuar të sigurojnë dhe mbrojnë të drejtat fundamentale të njeriut në Kosovë janë ballafaquar fuqishëm me rezultatin e të bëmave të tyre përgjatë përplasjes me pandeminë globale COVID-19 e cila veçse nxori qartazi në dritë çdo pabarazi, padrejtësi dhe pasiguri me të cilat populli i cenuar ka jetuar në simbiozë. COVID-19, goditi që të gjithë, por më shumë goditi gratë, komunitetet minoritare e të margjinalizuara, rastet sociale e personat me nevoja të veçanta për t’i përmendur disa. Përkujtojmë disa rrethana që theksuan sa të thella janë rrënjët e diskriminimit.

Përgjatë masave parandaluese të ndërmarra, jemi përballur me informata si: 32 mijë nxënës kryesisht të grupeve të margjinalizuara si, komuniteteve rom, ashkali, egjiptian dhe të nxënësve që jetojnë në kushte varfërie dhe atyre me nevoja te veçanta - nuk kanë mundur të ndjekin mësimin në distancë me rastin e mbylljes së institucioneve shkollore. Në anën tjetër, përgjatë periudhës së karantinimit është rritur për 30% raportimi nga gratë i rasteve të dhunës në familje dhe madje rishtazi jemi ballafaquar dhe me rastin e vrasjes së gruas nga partneri, veç pse është grua – pra, femicid.

Kosova është një shtet demokratik, Kushtetuta e së cilës garanton një “përkushtim për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit”. Paragrafi 1, neni 16 i Kushtetutës përcakton atë si “aktin më të lartë juridik të Republikës së Kosovës. Ligjet dhe aktet e tjera juridike duhet të jenë në pajtim me këtë Kushtetutë”. Gjersa, paragrafi 3, neni 16 përcakton që “Republika e Kosovës respekton të drejtën ndërkombëtare”.Mirëpo, COVID-19 – ka testuar demokracinë dhe liritë qytetare. Vendimet qeveritare si izolimi, kufizimi i lëvizjeve, ndalimi i mbledhjes së shumë personave dhe çdo organizimi tjetër e në anën tjetër dhe thellimi i krizës politike, votimi i mos-besimit të datës 25 mars, kampanjat elektorale e zgjedhjet  kanë ndikuar të drejtat e qytetarëve, lirinë e ekonominë dhe kanë krijuar pasiguri. Prandaj, edhe e drejta për të ushtruar liritë qytetare dhe protestuar ndaj qoftë veprimeve, vendimeve e për kauza barazie e drejtësie, nuk mund të atakohet e as limitohet. 

Protesta është po aq e rëndësishme sa vota, e mbrohet nga ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të cilën Republika e Kosovës e respekton. Në zanafillë, përtej arritjeve që mund të fitohen përmes saj për përgjegjësi, llogaridhënie e vendosje të prioriteteve më lartë në agjendë, dhe përveç se hap diskutimin dhe ngritë vetëdijen – përmes, protestës ç‘është më e rëndësishme, individë e grupe për të drejtën e të cilëve protestohet nuk ndihen të vetmuar.

Përkundër njohjes së rrezikut të kanosur nga COVID-19, njerëzit globalisht kanë marrë rrugët në forma tradicionale të protestimit, dhe kanë gjetur dhe forma të tjera kreative e simbolike.Përkundër COVID-19, protesta ndodhën pothuajse në çdo vend të Evropës për çështje të ndryshme, qoftë migrim, ngrohje globale, pakënaqësi politike dhe kundër ndalimit të abortit si në Poloni e kundër tërheqjes nga Konventa e Stambollit në Turqi. Ndodhën dhe protestat “Black Lives Matter” në kontinentin amerikan e më gjerë e deri tek marshi protestues paqësor “Marshojmë- S’festojmë” në Kosovë nën kauzën “kundër një patriarkati që vret”.

Më 8 qershor të vitit 2020, në kohën e protestave globale “Black Lives Matter”, në një konferencë mediale ditore – drejtori gjeneral i Organizatës Ndërkombëtare të Shëndetit (WHO), Tedros Adhanom Ghebreyesus  deklaroin që “WHO plotësisht e mbështetë barazinë dhe lëvizjen globale kundër racizmit. Ne refuzojmë diskriminimin e çdo forme” kishte thënë ai. Protestat e formës tradicionale përkundër COVID-19, duhet të ndodhin e të jenë të mundshme – madje, institucionet qeveritare duhet të mundësojnë organizimin e protestave me siguri, duke ndërmarrë veprime të llojit si: bllokim të rrugëve po qe e nevojshme që të mundësohet mbajtja e distancës në mes të protestueseve, si dhe shpërndarje të maskave e dezinfektueseve. Pra, jo të limitohen, por mundësohen kushtet për protestë. Në anën tjetër, kushdo që është i/e vendosur të protestojë, fillimisht rrezikon veten dhe merr rrezikun mbi kokën e personave më të afërt që mund t’i infektojë me virus, për një besim më të madh - që është ai për të drejtën.

Gjithsesi, përveç protestës tradicionale, dhe për t’i ikur asaj e siguruar vetën e të tjerët, e për të mos i mbingarkuar spitalet - patjetër që është e nevojshme të mendohet dhe zhvillohen dhe forma të tjera alternative protestuese që mund të kenë efektin e ndikimin e njëjtë. Me shembuj të tillë dhe aksione edhe jemi njoftuar.Janë për tu marrë shembull, protestat nga ballkonet gjatë izolimit karantinor, çarçafët me mbishkrime lëshuar në ballkone e dritare, e rishtazi dhe me mbishkrimet në mure që denoncojnë dhunën sistematike ndaj grave në komuna si Deçan e Mitrovicë. Aksione të ngjashme kreative e simbolike që mund të ndërmerren përgjatë kësaj periudhe, mund të ndërlidhen me artin dhe fuqinë e mediave sociale.

Disa shembuj të tjerë që mund të aplikohen janë: “E bërtitura nga çatitë (Shouting from roofs)” që ka zënë vend në Iran gjatë 2009, pra thirrje e sloganeve kauzale nga çatitë; “Topat e Ping Pong-ut dhe MP3” që ka zënë vend në Siri, ku protestuesit kanë shkruar mesazhe në topa të pingpongut dhe i kanë hedhur rrugëve, e në të njëjtën anë kanë lansuar këngë protestuese dhe kanë vendosur mp3 në shporta të mbeturinave për tu dëgjuar e jehuar; “Mbaje radhën”, Egjipt, 2010,– ku protestuesit janë veshur me të zezë dhe renditur në linjë në qytet në 5 metra distancë nga njëri/a-tjetri/a.

Mediumet qoftë mediat sociale dhe mediat nacionale – janë mjet tjetër që do të mund të përdorej për të protestuar, pra marrja e hapësirës mediale nga aktivistët/et për të promovuar të drejtat dhe kërkuar barazinë e drejtësinë është e nevojshme. Po aq sa dhe aktivizmi qytetar i llojit të pjesëmarrjes në procese politikë-bërëse e vendim-marrëse si dëgjimet publike, pyetjet ndaj deputetëve e grupeve parlamentare dhe peticionet, sepse protesta është e lidhur ngushtë me politikat.

Llojet e protestimit dhe protesta mund të shihet si e lehtë dhe pa ndikim. Përmes tyre aktivistët/et demonstrojnë përkushtimin dhe vet faktin që ngrihen e protestojnë. Jo vetëm pse kjo është gjëja e duhur për ta bërë, por dhe sepse vendosin t’i përdorin mjetet më të mira që kanë në dispozicion për ta bërë shtetin që duan. Protestat tradicionale e kreative, aksionet simbolike dhe zëri i ngritur nuk do të mungojnë po aq sa nuk do të mungojë vullneti qytetar për ta luftuar pabarazinë e padrejtësinë.

Në fund të ditës, demokracia nuk ndalet në pandemi.

11 maj 2021
15:40

Agnesa Qerimi