02 dhjetor 2015
10:14

Sbunker pyet: Si përfiton shoqëria nga barazia gjinore?
Bashkimi Evropian e ka njohur barazinë gjinore mes grave dhe burrave si vlerë fundamentale dhe është i përkushtuar në avancimin e barazisë gjinore.
Është më se e arsyeshme që secila shoqëri, secila organizatë duhet ta shfrytëzojë potencialin e plotë të burrave dhe grave. Këtu është në pyetje drejtësia, meqë mundësitë e barabarta dhe njohja e barabartë duhet të jetë e garantuar për të gjithë. Sidoqoftë, barazia gjinore gjithashtu ka kuptim ekonomik. Gratë i japin kontribut masiv ekonomisë, qoftë në biznes, në ferma, si ndërmarrëse apo punëtore, apo duke realizuar punë pa pagesë në shtëpi. Studimet ndërkombëtare kanë treguar në mënyrë konsistente që sa më të mëdha janë mundësitë që gratë të angazhohen në biznese të vogla dhe të mëdha, aq më i madh është përfitimi ekonomik për të gjithë. Siç e ka theksuar së fundmi Organizata Ndërkombëtare e Punës, ka një lidhje pozitive midis pjesëmarrjes së grave në menaxhmet dhe performancës më të mirë në biznes. Askujt nuk i konvenon të humbasë talentin, dhe ekonomitë kanë performancë më të dobët nëse përjashtojnë 50% të popullatës.
Edhe pse kanë një presidente grua, gratë e Kosovës mbesin të nënpërfaqësuara në nivelin lokal dhe kombëtar të vendimmarrjes.
Në Kosovë, kjo situatë është fatkeqësisht tejet serioze. Sipas të dhënave nga Profili Kombëtar Gjinor, përqindja e punësimit të grave është përafërsisht 18%, më e ulëta në Evropë, në krahasim me 55% të burrave të punësuar. Vetëm një nga dhjetë gra është e punësuar formalisht, kurse një tjetër është në kërkim të punës. Tetë të tjerat janë tërhequr krejtësisht nga tregu i punës. Diskriminimi gjinor, rolet tradicionale gjinore, bartja e përgjegjësisë për rritjen e fëmijëve dhe punëve të shtëpisë nënkupton që gratë shpesh përfundojnë në punë të pasigurta dhe me paga të ulëta. Implementimi efektiv i të drejtave të grave në trashëgimi vazhdon të jetë i kufizuar, përkundër faktit që me ligj nuk ka dallim midis grave dhe burrave.
Dhuna në familje mbetet problematike në Kosovë. Një raport i fundit mbi dhunën në familje realizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës tregon që 62% e kosovarëve raportojnë të kenë përjetuar dhunë në familje ndonjëherë gjatë jetës së tyre. 41% e grave thonë se kanë përjetuar dhunë të tillë vitin e kaluar.
BE-ja promovon jashtë të njëjtat vlera që i synon brenda.
Për Bashkimin Evropian, gjinia është një çështje me ndikim të madh. BE-ja ka përvetësuar Planin e Veprimit Gjinor që vendosë objektiva të qarta për të adresuar barazinë gjinore në të gjitha aktivitetet. Një ndër këto objektiva specifike është vendosja e barazisë gjinore në mënyrë sistematike në agjendën e dialogut me shtetet partnere. Duke e pasur këtë parasysh, ne kemi punuar ngushtë me Qeverinë e Kosovës, Kuvendin dhe shoqërinë civile për të adresuar këto çështje. Në Kosovë, një mjet konkret për këtë është Procesi i Dialogut për Stabilizim dhe Asocim mbi Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë. Në takimin e ardhshëm në janar të vitit 2016, ne sërish do t’i ngritim çështjet që i përmenda më lartë dhe do ta nxitim Qeverinë që të përmbushë detyrat e veta.
Në maj të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës përshtati pakon e ligjeve për të drejtat e njeriut, ku përfshihet një ligj i ri për barazinë gjinore. Ky është një ligj i mirë. Tani është koha të sigurohemi që do të zbatohet në tërësi. Kjo kërkon veprim nga Qeveria dhe avokim nga shoqëria civile. Kërkon që gratë në Kosovë të vazhdojnë të kërkojnë që të drejtat e tyre duhet të respektohen: të luftojnë për to, ta ngritin zërin dhe të mos kënaqen me premtime të zbrazëta. BE-ja do të vazhdojë të ofrojë përkrahje.
Dua ta përfundoj me fjalët e Federica Mogherinit, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, si dhe Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, “Progresi në fushën e të drejtave të grave është progres i të drejtave të njeriut. Shoqëritë që i japin grave mundësi të barabarta për të qenë të suksesshme dhe për të marrë pjesë lirshëm në jetën sociale, politike dhe ekonomike, janë më paqësore dhe më të suksesshme. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian ka promovuar barazinë gjinore që nga fillimet e veta – si në shtëpi ashtu edhe jashtë. Përkrahja e zhvillimit të vajzave dhe grave është pjesë e ADN-së së Bashkimit Evropian.”
Autori është Kreu i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësues Special i BE-së për Kosovën.
____
Ky edicion i Përballjes është një nismë e përbashkët mes Sbunker dhe UN Women, në kuadër të Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore, si pjesë e fushatës 16 ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore. Kjo fushatë globale ka për synim ngritjen e vetëdijes publike dhe rritjen e vullnetit dhe burimeve politike për parandalimin dhe reagimin ndaj të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave kudo në botë. Për më shumë, vizitoni: http://www.16-dite.com/
02 dhjetor 2015
10:14
Sbunker pyet: Si përfiton shoqëria nga barazia gjinore?